Kundërshtohet deklarata e partive politike për mbrojtjen e Mujës

Organizatat jo-qeveritare që monitorojnë legjislativin dhe ekzekutivin e Prizrenit, deklaratën mbrojtëse të partive politike për kryetarin Ramadan Muja, e vlerësojnë si një përpjekje politike për të ndikuar në organet e pavarura të drejtësisë. Ata thonë se deklarata e publikuar nga partitë politike, ka qenë një një veprim i turpshëm antidemokratik që shkel parimet e ndarjes së pushteteve.
“Është një veprim i turpshëm antidemokratik, por asgjë e re nga Komuna e Prizrenit. Këshilltarët nënshkrues, ose janë injorantë të parimeve të ndarjes së pushteteve, ose kanë vepruar me vetëdije, që nënkupton se ata nuk mërziten për parimet e demokracisë. Në të dyja rastet, pasojat janë të njëjta, edhe një precedent i turpshëm i ndërhyrjes së politikës në punët e gjyqësisë”, ka thënë drejtori ekzekutiv i OJQ-së “EC Ma Ndryshe”, Hajrulla Çeku, transmeton PrizrenPress.
Kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja,javën e kaluar i kanë ndalë në mbrojtje këshilltarët e subjekteve politike të PDK-së, AAK-së, AKR-së, LDD-së, NDS-së, KDTP-së dhe VAKAT-it.
Anëtarët e Kuvendit Komunal të Prizrenit, kanë miratuar një deklaratë publike përmes së cilës i kanë dhënë mbështetje kryetarit të Komunës, Ramadan Muja, për anashkalimin që u ka bërë procedurave administrative gjatë dhënies në shfrytëzim të tokës komunale për qendrën edukative arsimore “Gulistan” dhe fabrikën e çokollatës, “Kamila”.
“Vendimet e kryetarit të Komunës së Prizrenit, prof. dr. Ramadan Muja, për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale për këto dy subjekte, arsimore dhe ekonomike, të cilat kanë ndihmuar në zbutjen e papunësisë në komunën tonë, janë në përputhje me interesat e qytetarëve dhe në përputhje me programin e kryetarit të Komunës për të gjeneruar punësim dhe zhvillim ekonomik lokal”, thuhet në deklaratën e partive politike të nënshkruar nga këshilltari Masar Shala.
“KK-ja duhet të ndërmarr veprime edhe për dyshimin më të vogël se kryetari nuk po e kryen punën si duhet. Ndërsa kur zhvillohen procese gjyqësore, KK-ja duhet të jetë garanci e pavarësisë së gjyqësorit dhe të jetë në shërbim të kërkesave të tij. Prandaj, MAPL-i duhet urgjentisht të kërkojë nga KK-ja shfuqizimin e kësaj deklarate, duke u thirrur në parimet kushtetuese të ndarjes së pushteteve dhe pavarësisë së gjyqësorit”, ka thënë Çeku.
Ndaj kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja, dhe pesë bashkëpunëtorëve të tij, është duke u zhvilluar procesi gjyqësor në Gjykatën Themelore të Prizrenit me dyshimet se ata kanë shpërdorur detyrën zyrtare ose autoritetin në disa raste të ndryshme. Dy pika të aktakuzës së ngritur nga Prokuroria e EULEX-it lidhen me shkeljet gjatë dhënies së parcelave ndërtimore për QEA “Gulistan” (“Mehmet Akif”) dhe NTP “Kamila”.
Monitoruesi i punës së KK-së, Naim Cahani, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), tha se deklarata e kuvendarëve të KK-së së Prizrenit kapërcen moralin politik të zgjedhurve lokalë. Sipas tij, legjislativi lokal duhet të jetë vigjilent në mbikëqyrjen e punës së qeverisë lokale dhe vetë të raportojë për çfarëdo shkeljeje, ngase në bazë të ligjit anëtarët e KKsë janë të kompetentë të mbrojnë interesat e qytetarëve dhe jo të pushtetarëve.
“Deklarata e grupit të anëtarëve të KK-së në mbështetje të vendimeve të ekzekutivit komunal, vendime këto për të cilat po gjykohen kryetari dhe disa zyrtarë të lartë komunalë tejkalojnë edhe moralin politik, aq më tepër kur KK-ja si organ me i lartë i vetëqeverisjes lokale duhet të reflektojë interesin e qytetarëve. Madje, detyrë e tyre duhet të jetë edhe denoncimi i rasteve kur ka dyshime se ekzekutivi komunal i ka tejkaluar kompetencat ligjore”, tha Cahani.
Ai ka shprehur qëndrimin se të gjithë anëtarët që kanë nënshkruar deklaratën duhet ta dinë se pushtetet janë të ndara sipas Kushtetutës dhe legjislacionit në fuqi dhe se çdo deklaratë e dalë nga organet e vetëqeverisjes lokale apo edhe të subjekteve politike nënkupton presion dhe ndërhyrje në punën e gjyqësorit. “KDI-ja kërkon nga anëtarët e KKsë së Prizrenit që ta tërheqin këtë deklaratë dhe të mos i mbrojnë vendimet që dyshohen që nuk janë marrë në përputhje me legjislacionin në fuqi. Njëkohësisht inkurajon çdo anëtar të Kuvendit dhe çdo qytetar që has në rastet të vendimeve të dyshimta t’i raportojnë në organet e drejtësisë gjithnjë me qëllim të krijimit të një shteti ligjor dhe shoqërie demokratike”, shprehet Cahani. /Indeksonline/