LDK, Demaçit: Tahir Zemaj është hero

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave se ushtaraku Tahir Zemaj ka qenë një kontrabandistë droge.
“Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh indinjatën e thellë ndaj deklaratave të z. Adem Demaçi lidhur me kolonel Tahir Zemajn, ish-komandant i UÇK-së në Zonën Operative të Dukagjinit dhe drejtues e fitues i betejave të Loxhës, i vrarë pas luftës, së bashku me djalin Enisin dhe kushëririn Hasanin, nga autorë të panjohur edhe sot. Deklaratat e tilla fyejnë rëndë familjen Zemaj, bashkëluftëtarët e Tahir Zemajt dhe qytetarët e Kosovës”, thuhet në reagim.
“Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se është detyrë e çdo qytetari të Kosovës që ta nderojë veprën e madhe të heronjve tanë. Heroi i Kosovës, kolonel Tahir Zemaj, ka qenë një nga drejtuesit kryesorë të luftës në Kosovë, një nga profesionistët që kanë drejtuar dhe kanë fituar beteja. Lidhja Demokratike e Kosovës do të nderojë përherë veprën e madhe të kolonel Zemajt dhe të bashkëluftëtarëve të tij në shërbim të lirisë së Kosovës”, vazhdon reagimi i LDK-së./Indeksonline/