Kundërshtoi arrestimin, Apeli i GJKKO refuzon ankimimin e Fredi Belerit

Gjykata e Posaçme e Apelit ka refuzuar ankimin e bërë nga kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, në lidhje me ligjshmërinë e arrestimit të tij. Përmes avokatëve, Beleri, kundërshtoi në Apel vendimin e Shkallës së Parë, që e deklaroi të ligjshëm arrestimin e tij.
Dy ditë më parë gjykata e Posaçme e Apelit refuzoi një kërkesë të Fredi Belerit për zëvendësim të masës “arrest në burg”.
Beleri u arrestua më 12 maj, ndërsa hetimet ndaj tij kishin nisur më 9 maj pas referimit të rastit nga policia e Vlorës, dhe u mbështet me pamje filmike dhe përgjime pasi një agjent i infiltruar i policisë, përgjoi momentin kur bashkëpunëtorët Belerit dhanë 40 mijë lekë për 8 vota.
Në zgjedhjet e 14 majit Beleri, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” u shpall fitues në Bashkinë Himarë përballë Jorgo Goros me një diferencë prej 19 votash.
Teksa përballet me drejtësinë, e paqartë mbetet procedura se si Fredi Beleri do të kryejë betimin si kryetar i zgjedhur i Bashkisë së Himarës.
Gazetare: Herisela Dyrmishi
/RTSH/