E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Ngacmimi i 12-vjeçares në Deçan, aktivistja Koçibellinj: Edukimi seksual konsiderohet tabu, ndërkohë po plasin “bomba” në klasa

Një vajzë 12-vjeçare është ngacmuar seksualisht nga mësuesi në shkollën “Lidhja e Prizrenit” në Deçan të Kosovës. Ngjarja është mësuar nga një video e publikuar pak ditë më parë, në të cilën shihet mësuesi teksa puth nxënësen e mitur në klasë.

Suela Koçibellinj, aktiviste për mbrojtjen e fëmijëve tha në emisionin “Në radio” të gazetarit Andri Xhahu se është e frikshme që fëmijës t’i rrezikohet cilësia e jetës nga një mësues. “Është i vetmi institucion, që në parim do ta quajmë të sigurt, dhe ja ku jemi përpara faktit që edhe shkolla nuk është më ambient i sigurt sepse kemi të tillë mësues që nuk meritojnë të jenë mësues.”

Sipas aktivistes, ky mund të jetë një rast i përsëritur. “Mundësia më çon që fëmija që mund të ketë bërë videon e ka dyshuar dhe e ka ditur që po ndodh diçka ose që ky mësues bën gjëra të tilla. Potencialisht mund të jetë rast i përsëritur. Ekziston edhe mundësia tjetër, që ky mësues mund ta ketë bërë këtë veprim me vajza të tjera, të cilat për shumë arsye kanë heshtur.”

E pyetur se a mund të ishte parandaluar ky akt nëse mësuesit e tjerë do të ishin në dijeni ose nxënësit do të kishin raportuar tek ata, Koçibellinj shprehet: “Në Shqipëri autoriteti keqpërdoret. Autoriteti nuk është nënshtrim por duhet të jetë respekt. Mësuesi e injoron fëmijën dhe vetvetiu ai nënshtrohet akoma më shumë. Autoriteti krijohet mbi bazë të respektit dhe të rregullave. Një mësues që shkel rregullat, çfarë mund të kërkojë nga fëmija. Një mision i fortë i shkollës është të përgatisë të rinj dhe të reja që respektojnë trupin e tyre, që do të thotë ta njohësh trupin tënd dhe të kuptosh që të vlen ty dhe jo dikujt tjetër.”

Suela Koçibellinj thekson se edukimi duhet të nisë në familje por prindërit janë të papërgatitur. “Kohët kanë ndryshuar dhe fëmijët duhen edukuar me rreziqet që ka kjo kohë. Kemi prindër që prekin fëmijët në vende të paduhura në shenjë dashurie, pa kuptuar se në këtë mënyrë kanë thyer barrierat e këtij fëmije në lidhje me pjesët intime, dhe fëmija mendon që kështu mund të bëjnë të gjithë.”

A duhet bërë më shumë nëpër shkolla ose të shtohen orë mësimore që informojnë nxënësit rreth edukatës seksuale? “Kryesisht këto orë shmangen, pra cilësohen tabu, ndërkohë ne po na plasin bombat në çdo klasë. Më mirë mos e cilëso tabu dhe fëmijës foli drejt dhe hapur për informacionin që i takon për të ditur, si zhvillohet trupi yt, si ndryshojnë hormonet e tua, respektimi i trupit, çfarë quhet një prekje jo miqësore. Kjo u duhet fëmijëve që ata të kuptojnë që kjo nuk është një sjellje e duhur”, shprehet Koçibellinj.

Një pjesë e rëndësishmë është ajo çfarë ndodh pasi një fëmijë përballet me një situatë dhune. “Një fëmijë që kalon të tilla memorie ka nevojë për ndihmë. Këto lënë gjurmë dhe ndërtojnë mënyra se si ata ngrenë marrëdhëniet në të ardhmen. Prindi ka për detyrë të ndërhyjë dhe të gjejë mekanzimin që mund të jetë psikologu ose një ekspert i fushës që këta fëmijë të kuptojnë pse ndodhi, që ai nuk është fajtor dhe secili do të marrë përgjegjësitë e veta. Kur fëmijët shohin që askush nuk merr përgjegjësi kthehet në model dhe asnjëherë s’do e kërkojnë të drejtën. Prandaj këto çudi që ndodhin kaq shpesh kanë nevojë të zgjidhen deri në fund.”

Koçibellinj vë theksin edhe në faktin që fëmijët nuk kanë informacion për ligjin. “Në shkolla duhet të shtohet një informacion ligjor. Fëmijët kanë nevojë të kuptojnë që kanë të drejta dhe detyrime. Po kështu edhe mësuesit. Mendoj që ligji duhet forcuar së pari dhe më pas të vijë ndërgjegjësimi, sepse ky i fundit merr shumë kohë dhe çojmë dëm shumë fëmijë ndërkohë.”

Aktivistja nënvizon se edukimi është shumë i rëndësishëm. “Kemi burra dhe djem të paedukuar për të respektuar trupin e tyre dhe të vajzave apo grave. Kur përdhunon një fëmijë apo një vajzë do të thotë që ti nuk respekton trupin tënd dhe nuk kupton ndjenjat e tua.”

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›