E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kundërshtuan policinë, arrestohen dy persona

TIRANË- Dy vëllezër që tentuan t'i shmangen kontrollit të policisë, duke fyer dhe goditur një efektiv të rendit, janë arrestuar në flagrancë nga komisariati nr.4. Fabian dhe Ermal Bidaj, 18 dhe 24 vjeç, me banim në Tiranë, janë arrestuar dy ditë më parë nga efektivët e komisariatit të Policisë nr. 4, pasi i kanë iku Patrullës së Përgjithshme të Policisë, duke u larguar në drejtim të banesës së tyre. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së kryeqytetit, dy të rinjtë kur janë afruar pranë shtëpisë së tyre, kane kundërshtuar me dhunë dhe goditur një punonjës policie.


Ndërkohë, pas arrestimit, dy personave iu është sekuestruar një motor për të cilin dyshohet se është i vjedhur nga dy personat që janë arrestuar.


Fabian dhe Ermal Bidaj akuzohen për veprat penale të "kundërshtimit të punonjësit të policisë", "kanosjes", "fyerjes për shkak të detyrës" dhe të "goditjes për shkak të detyrës" dhe për akuzat e ngritura ndaj tyre, hetimet do të vazhdojnë nga Prokuroria e kryeqytetit.

Gjatë 24 orëve, Policia Rrugore vendos 675 gjoba ndaj shoferëve


TIRANË- Shoferët që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor vazhdojnë të gjobiten nga Policia Rrugore, e cila gjatë muajve të fundit ka ndërmarrë një aksion për ndëshkimin e të gjithë drejtuesve të automjeteve që nuk respektojnë rregullat e qarkullimit. Sipas burimeve të Policisë së kryeqytetit, gjatë 24 orëve të fundit janë vendosur 675 masa administrative dhe janë pezulluar dhjetë leje drejtimi.


Gjithashtu kontrolli i Policisë Rrugore ka vazhduar edhe ndaj atyre personave që janë debitorë në shlyerjen e gjobave që kanë marrë në ditët e fundit. Në 24 orët e fundit janë pezulluar 56 leje qarkullimi, për mos shlyerje të gjobave.


Kontrollet e policisë janë përqendruar në drejtim të vendosjes së rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë, përdorimit të alkoolit nga drejtuesit e mjeteve dhe parkimet e gabuara.


Kontrolle të vazhdueshme janë kryer kryesisht për parkimet e gabuara, apo parkimet dyshe në akset e qytetit të Tiranës, për shkak të pengimit të qarkullimit që krijojnë parkimet dyshe. Shërbimet e Policisë Rrugore në Tiranës do të vazhdojnë aksionin e përditshëm për ndëshkimin e drejtuesve të automjeteve, për parandalimin e aksidenteve në rrugë dhe krijimin e lehtësirave për lëvizjen e lirë të mjeteve, me qëllim parandalimin aksidenteve rrugore.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›