Mitingu i 8 Dhjetorit, qeveria harxhoi 4 mln euro
PS bën publike koston totale të shpenzimeve, si dhe shkeljet ligjore të qeverisë
TIRANË - Festimet e zhvilluara nga qeveria dhe Partia Demokratike me rastin e ditës së lëvizjes së Dhjetorit, i ka kushtuar xhepave të shqiptarëve plotë 4 milionë euro. Kjo është shifra që ka nxjerrë Partia Socialiste, pasi ka llogaritur të gjitha shpenzimet e kryera në funksion të kësaj feste, që zgjati vetëm dy orë, duke filluar që nga paratë e hedhura për publicitetin, banderolat, transporti i pjesëmarrësve dhe organizimi.
Dy deputetët socialistë, Saimir Tahiri dhe Blendi Klosi, në dy konferenca të ndryshme për mediat nga selia rozë kanë sjellë në vëmendje të opinionit publik jo vetëm shkeljet ligjore të qeverisë të konstatuara gjatë kësaj dite, por edhe koston totale të shpenzimeve të kryera në funksion të këtij mitingu, si dhe shërbimeve të pakryera nga administrata për shkak të angazhimit të tyre për të marrë pjesë në të.
Duke detajuar këtë shumë të konsiderueshme parash, deputeti socialist, Saimir Tahiri ka bërë të ditur se gjysma e saj, pra 2 milionë euro janë harxhuar si shpenzime për koncertin dhe gjysma tjetër për pagimin e administratës edhe pse nuk punoi për shkak të se duhet të dilte për të "festuar" në sheshin "Skënderbej", por edhe për shërbimet publike të munguara.
"Partia në pushtet organizoi mitingun e radhës në kulmin e fushatës së saj të dhunës dhe denigrimit jo vetëm ndaj opozitës, jo vetëm ndaj pushtetit vendor, por edhe ndaj qytetarëve të thjeshtë.
Shqiptarët duhet të dinë se kanë paguar nga xhepat e tyre për mitingun e djeshëm të partisë në pushtet, plot 2 milionë Euro. Qeveria ka paguar për: Postera, printime, transport me autobusë dhe reklama në median e shkruar dhe vizive, afërsisht 1.7 milionë Euro.
Koncertin dhe fishekzjarrë, afërsisht 228.000 Euro. Përveç kësaj kostoje që është kosto e drejtpërdrejtë për organizimin e mitingut, janë edhe 2 mln euro të tjera, kosto e shkaktuar nga mungesa e punës dhe ofrimit të shërbimeve dje nga administrata publike, rrogat e paguara për një ditë punë të munguar dhe shërbime të pa ofruara", - tha Tahiri.
Ndërsa deputeti tjetër, Blendi Klosi, ka evidentuar faktin se përveç kostos financiare, festimet e kryera me rastin e kësaj dite janë bërë edhe në kundërshtim të disa ligjeve, të cilat janë shkelur nga qeveria, duke angazhuar administratën shtetërore për të mbushur sheshin.
"Tentativa e Sali Berishës për të realizuar një antimiting shtetëror për të mos hapur kutitë, duke shfrytëzuar një datë të shënuar dhe historike për memorien e shqiptarëve i kushtoi qytetarëve të këtij vendi përveç kostove marramendëse financiare dhe një ditë të paralizuar administrative.
Paralizoi shërbimet për qytetarët, në shkolla, në spitale, poliklinika, ambulanca, dhe në të gjitha institucionet publike", - tha Klosi.
Sipas tij, qeveria ka shkelur në datën 8, Ligjin "Për Shërbimit Civil", Ligjin "Për Statusin e nëpunësit Civil", Ligjin "Për Etikën" dhe Ligjin "Për arsimin e parauniversitar".