Kuota gjinore në Kuvend, Zaçe: Arritje e politikës shqiptare
Ministria e Punës përshëndeti dje vendimin e Kuvendit për miratimin e kuotës gjinore prej 30% të alternuar, në Kodin Zgjedhor. “Ishte hapi i fundit i synimeve tona dhe kjo është një arritje jo vetëm për politikën dhe qeverinë shqiptare, por njëherazi edhe për çështjen e barazisë gjinore”, - deklaroi të mërkurën për mediat zv.ministrja e Punës, Marjeta Zaçe. Duke iu referuar edhe përfundimeve të raportit të Forumit Botëror Ekonomik, i cili vlerëson se barazia gjinore në Shqipëri ka pësuar rënie, Zaçe tha se “me miratimin e Kodit Zgjedhor dhe ligjit “Për barazinë gjinore në shoqëri”, u plotësua i gjithë kuadri ligjor që bën të mundur realizimin e një përfaqësimi më të madh, veçanërisht të gruas në politikë dhe vendimmarrje, në vazhdim të nismave të tjera ligjore që ka realizuar qeveria". Aktualisht, në Shqipëri përfaqësimi i grave në Parlament është në shifrën 7.1%. Në treguesin “gratë në vendimmarrje”, raporti i Forumit Botëror Ekonomik nuk ka reflektuar pjesëmarrjen e ministres së dytë në qeveri, e cila e dyfishon përqindjen dhe përmirëson renditjen.