Rrëshen-Kalimash, volumet e punimeve realizohet 70%
Punimet në rrugën Rrëshen-Kalimash kanë arritur të realizohen në masën 70 për qind. Kompania “Bechtel-Enka” po punon në të gjithë gjatësinë e rrugës, 60 km. Puna vazhdon në të 27 urat. Burime zyrtare nga MPPTT bëjnë me dije se deri tani nga 2 impiante prodhimi janë prodhuar 463 trarë. 292 prej tyre janë tashmë instaluar. 10 ura kanë përfunduar dhe ato tashmë përdoren nga mjetet e kompanisë për të lehtësuar trafikun. Janë vendosur bazamentet dhe këmbët mbajtëse edhe në 11 ura të tjera. Në 23 shtator filloi vendosja e trarëve në urën më të lartë në këtë aks (80 metra), e cila tashmë ka përfunduar. Deri tani janë gërmuar 27.362.639 milionë metër kub material përgjatë projektit ose 90% duke përdorur 10.433.016 milionë metër kub material mbushës, si dhe janë vendosur 167.915 metra kub struktura betoni. Në shtator përfundoi asfaltimi në një seksion provë, në afërsi të portalit verior të tunelit. Mbas testeve të nevojshme të kryera, BEJV do të vazhdojë asfaltimin në seksionin 3 (nga portali verior i tunelit deri në Kalimash) të projektit. Në të njëjtën kohë, BEJV po punon njëkohësisht në të dyja tunelet – në të dyja hyrjet veri dhe jug paralelisht. Progresi total i kombinuar në të dy galeritë e tunelit është 8.014 km, pra gërmimi i tunelit ka arritur në masën 74% deri më datë 15 nëntor. Për të arritur një progres të tillë punimesh po përdoren rreth 1300 makineri të tipave të ndryshme. Në pajisjet e mëdha përfshihen dy nyje asfalti (një në Klos dhe një në Kukës), 5 sonda për të hapur tunelet, dy lançera për trarët e urave, 2 impiante të prodhimit të trarëve të paranderur të urave, 6 nyje betoni, dy gurore, 6 vinçë të lartësive dhe peshave të mëdha, 380 kamionë, 92 ekskavatorë. Aktualisht janë mbi 3.500 punëtorë që punojnë në projekt. Në fund të muajit tetor, projekti arriti në total 15.715.024 milionë orë punë.