MASH: Literatura ndihmëse për arsimin parauniversitar ka afat deri më 10 korrik
Propozimet për literaturën ndihmëse për arsimin parauniversitar do të pranohen deri në datën 10 korrik 2008. Lajmi bëhet i ditur nga Bordi i Rekomandimit të Literaturës së mendimit Historik, filozofik, sociologjik dhe psikologjik (BORELHIS) pranë Ministrisë së Arsimit. BORELHIS do të marrë në shqyrtim kërkesat e botuesve, të cilët ofrojnë literaturë në fushën e mendimit historik, filozofik, psikologjisë, sociologjisë dhe do të miratojë ato të cilat plotësojnë kriteret dhe pikësynimet e shkollës shqiptare për vlerat njohëse dhe edukative, në ndihmë të procesit mësimor dhe veprimtarive ekstrakurrikulare brenda dhe jashtë shkollës. Ndërsa përzgjedhja përfundimtare e librave, sipas titujve të listës së BORELHIS, do të bëhet në çdo shkollë nga komisioni lëndor, në përbërje të të cilit janë të gjithë mësuesit e historisë për shkollat 9 vjeçare dhe mësuesit e historisë, sociologjisë, psikologjisë dhe të filozofisë për shkollat e mesme. Vlera estetike, të edukimit atdhetar demokratik dhe qytetar kanë përparësi në përzgjedhjen e literaturës. Ndër dy a më shumë botime të një vepre, Bordi përzgjedh botimin me cilësi më të lartë. Nëse ndër dy a më shumë botime të një vepre, asnjëri nuk i përmbush parametrat cilësorë, asnjëri prej tyre nuk përfshihet në listën rekomanduese. Kur në treg mungojnë botimet që janë vlera të njohura në fushën e mendimit historik, filozofik, sociologjik dhe sociologjik, Bordi sugjeron për shtëpitë botuese botimin ose ribotimin e titujve që mendon se i vinë në ndihmë procesit mësimor dhe veprimtarive ekstrakurrikulare. Botimet duhet të shoqërohen me dokumentet që vërtetojnë marrjen e të drejtës së autorit të firmosura nga “Zyra për Mbrojtjen e të Drejtës së Autorit”. Botimet që nuk respektojnë të drejtën e autorit nuk merren në shqyrtim. Botimet që rezultojnë me probleme redaktoriale dhe drejtshkrimore përjashtohen nga shqyrtimi. Ndër dy a më shumë përkthime ka më shumë përparësi në përzgjedhje ai që është përkthyer nga origjinali dhe jo nga një gjuhë e huaj e dytë. Në Bord do të pranohen për shqyrtim botime të ofruara vetëm nga shtëpi dhe ente botuese.
30 Qershor 2008