E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kupa, Besa në gjysmëfinale

(www.albania-sport.com) – Besa, falë dy golave në fushën kundërshtare në humbjen 4-2 ndaj Tiranës në “Selman Stërmasi”, është gjysmëfinalistja e parë e Kupës së Shqipërisë, duke mbërritur për herë të 11-të gjatë 52 edicioneve të këtij kompeticioni në të cilat skuadra kavajase ka marrë pjesë.

Protagonistë të kualifikimit të 5-të në 14 çiftime direkte me Tiranë (9 kualifikime) ishin Bledar Mancaku dhe Daniel Xhafaj, madje me të njëjtën skemë realizimi, ashtu si në fitoren 2-0 të ndeshjes së parë të luajtur në Kavajë: gol nga pika e bardhë për durrsaku Mancaku, të pasuar me një gol të dytë të realizuar nga vlonjati Xhafaj.

Pas një pjesë të parë pa gola, por të shoqëruar me dy momente të bukura: silurë Daniel Xhafaj (Besa) në minutën e 37-të dhe predhë-shtyllë e Julian Ahmatajt (Tirana) në minutën e 41-të, fraksioni i dytë ishte i tëri për tu shijuar.

Gjashtë gola, katër për Tiranën - e cila madje udhëhoqi deri në 4-0 deri në minutën e 67-të, matematikisht e kualifikuar deri në atë moment – dhe dy për Besën, e shoqëruar edhe me kartonin e dytë të verdhë e rrjedhimisht të kuq të Erbim Fagut (84’) të Besës. Ia vlen të kutjojmë se në ndeshjen e parë çerekfinale doli me karton të kuq mbrojtësi i Besës, Renato Arapi (43’).

Skenari i golave është i denjë për një “thriller” për nga kronologjia dhe emocionet që dhuroi. Mbrojtësi i majtë i Tiranës Julian Ahmataj shënoi pa kaluar ende një minutë nga pjesa e dytë golin e parë për 13-herë fituesit e Kupës, ndërkohë që katër minuta më pas, në të 50’, ishte Sebino Plaku që dyfishoi për bardheblutë duke çuar rezultatin e përgjithshëm të dy takimeve në 2-2.

Furia e formacionit Muka-Sengla nuk u ndal, dhe ishte sërish Plaku, i ardhur te Tirana nga Dinamo gjatë merkatos dimërore, që pas një asisti të marrë nga Gjergji Muzaka fitoi një penallti të konvertuar në gol nga kavajasi Andi Lila në minutën e 52-të. 3-2 për Tiranën, që të paktën në moment është e kualifikuara e madhe.

Dominimi i finalistëve të sezonit të kaluar vazhdoi me elbasanasin Julian Ahmatajn, i cili çon shifrat në 4-0 në minutën e 67-të dhe rezultatin e përgjithshëm në 4-2. Teksa në kampin bardheblu shijojnë virtualisht mbërritjen për herë të 31-të në gjysmëfinale (në 57 pjesëmarrje në Kupë), në atë kavajas gjejnë fuqitë e “Feniksit” për tu ringjallur sërish nga hiri.

Protagonisti absolut ishte një ish-lojtar që deri sezonin e kaluar mbronte ngjyrat e Tiranës: Daniel Xhafaj. Sulmuesi i Besës fitoi në minutën e 73-të penalltinë e shndërruar në gol nga Bledar Mancaku dhe shtatë minuta më pas, ishte Daniel Xhafaj që bëri heroin e takimit, duke shënuar golin e dytë për kavajasit, atë 4-2, njëherësh edhe goli i artë i kualifikimit.

Një kualifikim i bujshëm i Besës, që ëndërron finalen e 8-të, por dhe fitimin për herë të dytë të Kupës së Shqipërisë, teksa e ka fituar atë vetëm një herë në sezonin 2006-2007.

KUPA E SHQIPËRISË
ÇEREKFINALET

TIRANA-BESA 4-2
E mërkurë, 24 shkurt 2010
Shënues: Ahmataj 46’ dhe 67’, Plaku 50’, Lila 52’ (p)/ Mancaku 73’ (p), Xhafaj 80’.
Takimi i parë: Besa-Tirana 2-0
Rezultati i përgjithshëm: 4-4
Kualifikohet Besa me gol në fushën kundërshtare

RRUGA E BESES
Në rrugën drejt gjysmefinaleve, në turin e parë Besa eliminoi Pogradecin e Kategorisë së Parë me dy fitore të ngushta: 3-2 në Pogradec dhe 1-0 në Kavajë. Në turin e dytë eliminoi Laçin: fitoi 0-1 në takimin e luajtur në Lezhë dhe barazoi 1-1 në ndeshjen e kthimit në Kavajë. Në turin e tretë, çerekfinalet, Besa eliminoi Tiranën: fitoi 2-0 në Kavajë dhe humbi 4-2 në kryeqytet, duke mbërritur në gjysmëfinale.

BESA

Pjesëmarrëse: në 52 edicione
Në çerekfinale: 22 herë
Në gjysmëfinale: 11 herë
Në finale: 7 herë
Fituese: 1 herë
Finale të humbura: 6 herë


Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter

E Merkure, 24 Shkurt 2010
Shto dhe ti komentin tend Emri dhe e-maili

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›