Kupa, Teuta - Vllaznia

Edicioni i 58-të i Kupës së Shqipërisë do të startojë aktin e parafundit, gjysmëfinalet, ku në katërshen më të mirë të sezonit 2008-2009 bëjnë pjesë katër skuadra rrethesh të çiftuar në dy dyshe shumë interensante: Teuta-Vllaznia (gjykon arbitri i FIFA-s, Lorenc Jemini) dhe Besa-Shkumbini (gjykon Kridens Meta). Nga katër skuadrat gjysmëfinaliste vetëm Shkumbini nuk e ka fituar asnjëherë kupën. Vllaznia e ka fituar 6 herë (e fundit në vitin 2008), Teuta 3 herë (2005) dhe Besa një herë (2007).
PRAGNDESHJA
Teuta dhe Vllaznia formojnë një dyshe ambicioze në kërkim të një vendi në Ligën e Europës, të cilën mund ta arrijnë vetëm përmes fitimit të Kupës së Shqipërisë, nisur dhe nga pozicionet e tyre në renditje. Pas 24 javësh, Teuta ka grumulluar 31 pikë (vendi i 7-të) dhe Vllanzia, 30 pikë (vendi i 8-të). Në dy përballjet sezonale, Teuta fitoi 1-0 në “Niko Dovana” (faza e parë), ndërkohë që Vllaznia fitoi 2-1 në “Loro Boriçi” (faza e dytë).
Kapiteni i Teutës, sulmuesi Vangjel Mile (6 gola në kampionat), i porsa rikthyer nga dëmtimi, tha” “Ndeshja me Vllazninë është një “gur prove’ për kthesën tonë. Synojmë finalen e Kupës së Shqipërisë”. Teuta ka fituar 3 nga 9 finalet e diskutuara, e fundit në vitin 2005. Teuta humbi ndeshjen e fundit në kampionat 2-0 me Gramozin e vendit të fundit në Durrës, ndërkohë që Vllaznia fitoi 1-0 me Laçin e fortë në Shkodër.
Bekim Bala, golashënuesi më i mirë i Vllaznisë në kampionat (8 gola) dhe kupë (7 gola), tha: “Teuta është një skuadër që duhet respektuar, por kupa është synimi ynë”. Sulmuesi boshnjak i Vllaznisë, Sead Haxhibuliç theksoi: “Ekipi po kalon një moment të mirë dhe Vllaznia është në rrugë të mbarë. Shpresoj të vendos unë për kualifikimin e Vllaznisë”. Skuadra shkodrane ka mbërritur 12 herë në finale, duke fituar 6 prej tyre, e fundit në vitin 2008.
STATISTIKA
Në fakt, në dy përballjet e fundit direkte në 10 edicionet e fundit të Kupës së Shqipërisë, Teuta ja ka dalë të eliminojë Vllazninë. Kështu, në edicionin 2000-2001, Teuta e drejtuar nga Hasan Lika i fitoi të dyja takimet me të njëjtin rezultat: 2-1 si në Shkodër (Rexhepi e Kodra shënuan për Teutën, Lici për Vllazninë ), ashtu dhe në Durrës (Shtrepi dhe Kote për Teutën dhe Osmani për Vllazninë).
Për herë të fundit në gjysmëfinale Teuta dhe Vllaznia janë përballur në edicionin 2003-2004. Durrsakët e drejtuar asokohe nga Hasan Lika kaluan në finale: fituan 2- 1 ndeshjen e parë në “Niko Dovana” (gola të Gentian Begesë dhe Arjan Zëre për Teutën dhe Klodian Asllanit për Vllazninë) dhe barazuan 1-1 në ndëshjen e kthimit në “Loro Boroçi”: Migen Memelli shënoi i pari për Teutën, ndërsa barazoi Skerdi Bejzade për Vllazninë e drejtuar nga Ramadan Shehu).
Teuta për herë të fundit në gjysmëfinale ka qenë në edicionin 2006-2007, kur pasi eliminoi Partizaninm humbi në finale me Besën 3-2. Vllaznia është dashuruar me gjysmëfinalet: tetë pjesëmarrje në dhjetë edicionet e fundit, ku ka dalë vetëm një herë fituese, në edicionin 2007-2008, kur mundi në finale Tiranën (2-0, gola të Gilman Likës dhe Xhevair Sukajt).
ÇIFTI TEUTA-VLLAZNIA
RRUGA E TEUTËS
Në rrugën drejt gjysmëfinaleve, në turin e parë Teuta eliminoi Vlorën pas dy fitoreve 2-0 (në tavolinë, ndeshja nuk u luajt në Vlorë) dhe 1-0 në Durrës, ndërsa në turin e dytë Partizanin: barazoi 1-1 në Tiranë dhe fitoi 2-0 në Durrës. Në turin e tretë Teuta eliminoi Gramozin: barazoi 1-1 në ndeshjen e parë (në Elbasan) dhe 0-0 në Durrës, duke u kualifikuar me gol në fushën kundërshtare.
TEUTA
Viti i themelimit: 1925
President: Edmond Hasanbelliu
Stadiumi: “Niko Dovana”, Durrës
Pjesëmarrëse: në 57 edicione
Në çerekfinale: 37 herë
Në gjysmëfinale: 17 herë
Në finale: 9 herë
Fituese: 3 herë
Finale të humbura: 6 herë
Fituese: 1994-1995, 1999-2000 2004-2005
Finaliste e humbur: 1957 1974-75 1993-94 2000-2001 2002-2003 2006-2007
Gjysmëfinaliste: 1948, 1949, 1975-1976, 1978-1979, 1982-1983, 1995-1996, 2001-2002, 2009-2010
RRUGA E VLLAZNISE
Në turin e parë, Vllaznia eliminoi Tomorin e Beratit: fitoi 4-0 në Berat dhe 5-1 në Shkodër. Në turin e dytë eliminoi Kamzën: fitoi 3-1 në Kamzë dhe barazoi 2-2 në “Loro Boriçi”. Në ndeshjen e parë të turit të tretë Vllaznia barazoi 0-0 Skënderbeun në Korçë, ndërkohë që në atë të kthimit fitoi thellësisht 4-0 në “Loro Boriçi”.
VLLAZNIA
Viti i themelimit: 1919
President: Valter Fushaj
Stadiumi: “Loro Boriçi”, Shkodër
Pjesëmarrëse: në 57 edicione
Në çerekfinale: 46 herë
Në gjysmëfinale: 28 herë
Në finale: 12 herë
Fituese: 6 herë
Finale të humbura: 6 herë
Fituese: 1964-1965, 1971-1972, 1978-1979, 1980-1981, 1986-1987 2007-2008
Finaliste e humbur: 1965-1966, 1967-1968, 1969-1970, 1985-1986 1998-1999, 2005-2006
Gjysmëfinaliste: 1951, 1951, 1957, 1973-1974, 1976-1977, 1977-1978, 1984-1985, 1987-1988, 1989-1990, 1992-1993, 1997-1978 , 2000-2001, 2002-2003, 2003-2004, 2004-2005, 2008-2009, 2009-2010
Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter
E Marte, 23 Mars 2010
Shto dhe ti komentin tend Emri dhe e-maili