E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kupa, Tirana sfidon Kukësin e pathyeshëm

Kupa e Shqipërisë zhvillon sot ndeshjet e vajtjes së turit të dytë, me skuadrat e mëdha që pritet të kenë prova shumë më të vështira se në raundin paraardhës. Sfida më e fortë luhet padyshim në Kavajë, aty ku Flamurtari do të kërkojë të hakmerret ndaj Besës për humbjen e pësuar katër ditë më parë në kampionat. Për trajnerin Rubio Sançez është një provë decizive, duke qenë se durimi i drejtuesve të Flamurtarit duket i sosur pas rezultateve tejet zhgënjyese në kampionat. Ndërkohë, një provë e vështirë edhe për Tiranën, që do të ndeshet me Kukësin, një skuadër që nuk njeh ende humbje kampionat. 

Bardheblutë pritet të zbresin në fushë me formacionin më të mirë, duke synuar të mos i lënë asgjë rastësisë ndaj një kundërshtari jo shumë komod. Ndërkaq, sfidë më e lehtë për Skënderbeun, që do të ndeshet me Kamzën, ndërkohë që Vllaznia do të luajë ndaj Shkumbinit në transfertë në ndeshjen e parë. Për shkodranët bëhet fjalë për një test të vështirë, pasi peqinasit mbeten ende të fortë në fushën e tyre. Në takimet e tjera, Luftëtari pret Bylisin, Apolonia do të ndeshet me Kastriotin, ndërsa Tomori do të sfidojë Laçin.

Sot, 14.00
Grupi A
Kamza-Skënderbeu
Kukësi-Tirana
Apolonia-Kastrioti
Shkumbini-Vllaznia
Grupi B
Lushnja-Teuta
Besa-Flamurtari
Luftëtari-Bylis
Tomorri-Laçi

(a.k/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›