E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kupa e Italise Juve ne finale

Janë dashur 120 minuta, por bardhezinjtë ia kanë dalë. Juventus u kualifikua mbrëmë për në finalen e Kupës së Italisë, pas një barazimi dramatik, 2-2 ndaj Milanit në Torino, në një ndeshje gjysmëfinale që njohu përmbysje dhe shumë emocione.
Pas gjysmëfinales së parë të fituar nga Juve në “San Siro”, u mendua se çështja e kalimit të turit ishte thuajse e zgjidhur dhe kjo bindje u shtua edhe më tepër pasi Alesandro Del Piero e kaloi skuadrën vendase në avantazh që në minutën e 28-të.
Por, në një reagim të mrekullueshëm, skuadra kampione e Italisë tregoi karakterin e saj të fortë. Milanin realizoi në nisje të pjesës së dytë me anë të mbrojtësit Mesbah në të 51-ën, ndërsa goli i dytë erdhi 9 minuta para fundit të kohës së rregullt, realizuar shumë bukur nga Maksi Lopez.
Për të përcaktuar finalistin u desh koha shtesë dhe dhjetëra mijë tifozët juventinë u çliruan pak si shpejt, pasi Mirko Vuçiniç shënoi një gol të jashtëzakonshëm nga një largësi e madhe, vetëm 6 minuta pas nisjes së shtesës së parë.
Pas këtij goli, penalltitë nuk do të gjuheshin më, por Milani mund të kualifikohej nëse do të barazonte. Kjo nuk ndodhi dhe Juventus do të provojë të fitojë Kupën e Italisë, në finalen e parë që nga skandali i “Kalçopolit” në 2006. Bardhezinjtë presin fituesen e çiftit tjetër gjysmëfinalist, Napoli-Siena. Sienezët kanë fituar 2-1 ndeshjen e parë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›