E Shtunë, 31 Tetor 2026

NBA bien Lejkersat Majemi dhe Oklahoma

Pas një çereku të parë të shkëlqyer, nuk është se mendohej që Liqenorët e Los Anxhelosit do të humbisnin në NBA, por ja që ndodhi. Lejkërsat u thyen 104-107 në fushën e Hjustonit, ndonëse kryesuan 40-25 pas 12 minutave të para dhe, madje, ishin në epërsi 6 pikëshe edhe në nisje të çerekut të fundit.
Kobi Brajant ishte shënuesi më i mirë i ndeshjes me 29 pikë, një kuotë disi modeste për të dhe që nuk mjaftoi për t’i dhënë fitoren kalifornianëve. Spanjolli Pau Gasol shënoi 21 pikë për Lejkërsat, ndërsa tek vendasit më i miri ishte argjentinasi Luis Skola me 23 pikë dhe Kartni Li realizoi po 23 pikë, dha 4 asistë dhe kapi 5 topa në tabela.
Majemi fitoi me vështirësi ndaj Feniksit, 99-95, në një ndeshje ku Kris Bosh kaloi supertalentet Xhejms dhe Uejd. Bosh realizoi 29 pikë dhe kapi 8 topa në tabela, ndërsa Lebron Xhejms shtoi 20 pikë, kapi 8 topa dhe dha 6 asistë. Edhe Duejn Uejd ishte në po këtë nivel, me 19 pikë, 7 topa në tabela dhe 5 asiste. Gjithsesi, ishte mbrojtja që i dha fitoren Majemit në këtë ndeshje.
Oklahoma pësoi humbje në fushën e Jutahut, me një diferencë prej 7 pikësh, 97-90. Majllsap shënoi 20 pikë për fituesit, ndërsa miqtë u udhëhoqën pa dobi nga Rasëll Uestbruk me 23 pikë dhe 3 asiste.
Në “Medison Skuer Garden” Nju Jorku ia doli të fitonte madje lehtë ndaj Torontos, 106-87, duke udhëhequr gjatë gjithë kohës. Xheremi Lin nuk ishte shënuesi më i mirë në fushë, madje as më i miri i skuadrës së tij, por sërish ra në sy. Lin shënoi 18 pikë dhe dha 10 asistë, ndërsa Studëmajër ishte shënuesi i parë i Nju Jorkut dhe i ndeshjes me 22 pikë duke kapur edhe 12 topa në tabela.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›