E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kupa e Shqipërisë: Dinamo e Jupit, e bekuar nga shorti në grupin e parë

Nga Altin B. Kodra
Bashkë-editor i Albania-Sport.com


Albania-Sport - Kupa e Shqipërisë luan në mesjavë ndeshjet e para të turit cerekfinale dhe tashmë mund të thuhet me plot gojën se, pas këtyre dy ndeshjeve, do të përvijohet plotësisht edhe fati i këtij sezoni për cdo skuadër. Duke parë se Tirana kryeson e shkëputur plot 10 pikë në renditjen e Kategorisë Superiore, Kupa e Shqipërisë mbetet shpresa kryesore për të paktën katër skuadra të tjera, përvec bardhebluve, që ato të mos e mbyllin këtë sezon duarbosh. Tetë skuadrat e mbetura në valle janë ndarë në dy grupe dhe, nga secili grup do të dalin dy finalistet që do të diskutojnë trofeun e dytë të futbollit shqiptar. Fati duket mjaft më bujar me Dinamon, e cila, në grupin e parë, duhet të kalojë fillimisht Besën dhe, më pas, fituesen e ciftit Turbina-Shkumbini. Të tre skuadrat e grupit të lojtarit/trajner të Dinamos, Redi Jupi, ose mbajnë vende në katet e fundit të renditjes së Kategorisë Superiore, ose, sic është rasti i Turbinës, vijnë nga Kategoritë inferiore. Për vetë natyrën e futbollit shqiptar, Kupa e Shqipërisë vlen si një koeficient mjaft i leverdishëm përllogaritës për shumë skuadra dhe, këtë sezon, këto llogari pritet t'i bëjnë mirë Besa e Shkumbini, ndërsa për skuadrën modeste cërrikase, Turbinën, gjithcka është përtej llogarive, ndonëse një tur më parë ka eliminuar pikërisht kampionen në fuqi, Elbasanin. Turbina ndodhet në vendin e katërt të renditjes së Kategorisë së Parë dhe mund të synojë realisht për një ngjitje në Kategorinë Superiore dhe kjo e bën disi të pamundur vazhdimësinë e kësaj skuadre në Kupën e Shqipërisë. Një tjetër arsye, është edhe ajo që përballë cërrikasve është Shkumbini, një skuadër që mban vendin e fundit në renditje dhe rrezikon seriozisht rënien nga Kategoria Superiore. Për këtë arsye, Shkumbini do të synojë të shkojë patjetër në katërshe, ku, sic ndodh rëndom, skuadra të rrezikuara për mbijetesë, bëjnë pazare me skuadra që synojnë realisht për trofe, duke premtuar një kalim pa pengesa në shkëmbim të pikëve në kampionat. Një logjikë e tillë vlen edhe në rastin e Besës, ndonëse nuk duhet mohuar fakti që, në teori, skuadra e Dinamos është e aftë të mundë cilindo nga kundërshtaret e grupit të saj, duke filluar që nga skuadra kavajase, në turin cerekfinal, dhe dy të tjerët në gjysmëfinale. Duke qenë se, ngjeshja e skuadrave që ndjekin Tiranën kryesuese nuk para i premton Dinamos një biletë për në Evropë nëpërmjet kampionatit, cka e bën edhe më reale dhe më të mundshme një vend në Kupat e Evropës nëpërmjet Kupës së Shqipërisë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›