E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kupa e Shqipërisë: Tirana, makthi i tre “mosketierëve” të grupit të dytë

Nga Altin B. Kodra
Bashkë-editor i Albania-Sport.com

Albania-Sport
- Në grupin e dytë të Kupës së Shqipërisë, e cila, këtë sezon ka aplikuar një formulë interesante, duke synuar që të mbajë larg njëra-tjetrës skuadrat pretendente. Por, duket se kjo nuk ka funksionuar në rastin e grupit të dytë, ku të katër skuadrat janë pretendente për trofe dhe nuk pritet që ato t'i hapin rrugë njëra-tjetrës, ndonëse edhe këtu, si në rastin e grupit të parë, nuk përjashtohen llogaritë dhe pazare, ndonëse me një kah tjetër, vendet në Kupat e Evropës. Cështja është mjaft më e thjeshtuar për Tiranën, e cila nuk e ka fshehur synimin për të luftuar deri në fund për të dyja trofetë dhe, diferenca midis kryesueses aktuale dhe skuadrave të tjera, të cilat janë 3 skuadrat me të cilat përballet në tre turet e fundit të Kupës së Shqipërisë, u theksua më tepër nga ajo fitore 5-0 që bardheblutë arritën në kampionat para dy javësh kundër "Djemve të detit", të drejtuar, për ironi të fatit, nga ish-trajneri bardheblu, Sulejman Starova. Në fakt, dy ndeshjet cerekfinale midis Teutës dhe Tiranës, mbartin me vete edhe më tepër intrigë, pasi ishte pikërisht skuadra durrsake ajo që i mohoi Starovës trofeun e Shqipërisë përpara dy sezonesh. Për Teutën, sikundër edhe Vllazninë e Partizanin, këto dy ndeshje janë vendimtare për shpresat për një vend në Kupën e Evropës, ndonëse këtu futen në lojë edhe renditja dhe ecuria në kampionat. Skuadra e trajnerit Starova bëri një hap fals në fundjavë në kampionat, duke mos shkuar dot më larg se një barazim 1-1 në fushën e saj kundër Shkumbinit, cka i kushtoi një vend në renditje dhe tashmë mban vendin e tretë, me 32 pikë, një pikë prapa Partizanit të vendit të dytë. E gjithë kjo e bën edhe më imperative luftën deri në fund në Kupën e Shqipërisë për skuadrën durrsake, por Tirana nuk është aspak një kundërshtar që toleron. "Dyshja e ferrit", kështu mund të quhet dueli Vllaznia-Partizani dhe nga këto takime priten 180 minuta pa kompromis. Vllaznia është një skuadër e ringjallur dhe simpatike nën drejtimin e trajnerit Mirel Josa, por Partizani ka fituar dy ndeshje radhazi në kampionat dhe vjen në këtë sfidë me moral të lartë. Të dyja skuadrat e kanë të qartë se duhet të luftojnë deri në fund, pasi, në gjysmëfinale është Teuta ose Tirana, ndërsa në finale, sipas gjasave, Dinamo, skuadra këto që nuk e kanë fshehur dëshirën e tyre për të synuar realisht për Kupën. Gjithcka është e hapur në këtë grup dhe, të mërkurën mund të merren përgjigjet e para...

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›