Kupa e Shqipërisë, elitaret "shëtitje" në turin e parë
Zbardhen përballjet e turit të parë të Kupës së Shqipërisë. Sipas formulës së përdorur nga FSHF-ja, ku duelet përcaktohen në bazë të klasifikimit të një sezoni më parë në Superiore dhe në Kategorinë I (duke iu shtuar edhe katër inferioret e kualifikuara), ky raund mund të cilësohet si një "shëtitje" për elitaret. Skuadrat janë të ndara në dy grupe, ku kokat e serive janë katër skuadrat më të mira të kampionatit të kaluar, Tirana e Dinamo në Grupin A dhe Vllaznia e Teuta në Grupin B. Në ndeshjet e para, që luhen të mërkurën më 21 tetor, dy skuadrat e kryeqytetit luajnë me ekipe të Kategorisë së Dytë. Bardheblutë do të ndeshen me Luzin, ndërsa edhe Dinamon e pret një test i lehtë përballë Mamurrasit. Të gjitha skuadrat e tjera kryesore në Grupin A kanë "peshkuar" kundërshtarë nga Kategoria e Parë dhe duhet të derdhin djersë për kalimin e turit. Shkumbini luan me Memaliajn, Besa me Pogradecin, Laçi me Besëlidhjen, Kastrioti me Sopotin, Bylisi me Turbinën dhe Lushnja me Burrelin. Edhe në Grupin B, skuadrat inferiore (Tomori dhe Vlora) do të luajnë me dy ekipet më të forta, përkatësisht me Vllazninë dhe Teutën. Flamurtarin e pret përballja me Gramshin, Apolonia luan me Bilisht Sportin, Skënderbeu me Skraparin dhe Gramozi debutues në Superiore luan me Luftëtarin, një prej emrave të mëdhenj të futbollit shqiptar. Mjaft interesante dy përballjet e fundit të këtij grupi, ku Partizani do të luajë me Adën, skuadrën që vetëm një muaj më parë i shkaktoi humbjen e turpshme 5-0 në Velipojë. Ndërsa Elbasanin kryesues të Kategorisë I e pret sfida me Kamzën, një skuadër e re, por që pretendon të ngjitet sa më shpejt mes më të mirave në vend.
e. kodheli
e. kodheli