E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kupa e Shqiperise, sot ndeshjet e para te Turit te Dyte

Premio speciale nga të dy presidentët e klubeve. Shkumbini-Elbasani pritet të dhurojë edhe emocionet më të mëdha në turin e dytë të Kupës së Shqipërisë, ku përballen 16 skuadra të ndara në tetë cifte dhe marrin pjesë nëntë fitues të këtij trofeu në 55 edicionet e mëparshme.
Ndeshja e prefekturës mes Shkumbinit dhe Elbasanit (2 herë fitues i Kupës) do të përbëjë edhe kulmin e këtij turi. Të dy ekipet shënuan një bollëk golash në dy ndeshjet e turit të parë: 8 Shkumbini kundër Bilishtit dhe 7 Elbasani kundër Tomorit. Të dyja skuadrat po përjetojnë momente të mira në kampionat, gjë që do të reflektojë edhe në sfidat e dyfishta të Kupës.
Kampionia e dimrit, Dinamo (13 herë fituese e kupës), do të përballet në "Loni Papuciu" kundër një Apolonie ambicioze, që ende ruan aromën e trofeut të vetëm të fituar në futbollin shqiptar në vitin 1998. Për blutë e Agim Canajt, me vlerë do të jetë debutimi i argjentinasit Hanush, ndërkohë që kryesuesve të kampionatit mund t'i mungojë mesfushori Igli Allmuca, autori i dy golave në fitoren 2-0 kundër Teutës.
Tiranën, 13 herë fituese e Kupës, e pret një ballafaqim i vështirë në Lac. Tekniku Sulejman Mema, i cili arriti të fitojë 3-0 kundër vëllait të madh të lacianëve, Kastriotit të Krujës, mund të provojë të gjitha blerjet dimërore. Titullarë kundër Lacit do të jenë Lekë Kcira, maqedonasi Sasho Gjoreski, kosovari Berat Hyseni dhe francezi Loren Mohelebi.
Laci, që eliminoi në turin e parë të Kupës Lushnjën, u mund të shtunën 1-0 pikërisht nga Lushnja në ndeshjen e vlefshme për kampionatin e kategorisë së parë.
Teuta e Durrësit, një ekip mjaft në vështirësi dhe që gjendet në zonën e ftohtë të Kategorisë Superiore, do të luajë kundër një kundërshtari agresiv në fushën e tij, pasi Turbina nuk të fal kollaj.
Vllaznia e ulje-ngritjeve të mëdha në këtë kampionat do të luajë kundër një Besëlidhjeje të Neptun Bajkos, që synon të lërë shenjë në Kupë, pas asaj fitoreje të thellë 8-0 me Pogradecin. Trajneri Mirel Josa nuk dëshiron surpriza, pasi dhe objektivi kryesor i shkodranëve të presidenit Fushaj,
Flamurtari dhe Kastrioti, do të luajnë mes tyre derbin e mesit të tabelës së Superligës, një ndeshje e barabartë e dy prej skuadrave që pritej më shumë në këtë sezon prej tyre.
12 + 4
12 skuadra të Kategorisë Superiore dhe katër të Kategorisë së Parë, Luftëtari, Turbina, Laci dhe Apolonia, marrin pjesë në turin e dytë të Edicionit të 56-të të Kupës së Shqipërisë. Nga skuadrat që aktivizohen aktualisht në Kategorinë e Parë, vetëm Apolonia ka mundur ta fitojë një herë Kupën në vitin 1998.
3 PËRJASHTIME
Tre ekipe futbolli, Delvina, Maliqi, Përparimi, u përjashtuan nga Kupa e Shqipërisë së këtij edicioni dhe u përjashtuan gjithashtu edhe nga aktiviteti i Kupës së Shqipërisë për vitin e ardhshëm. Të tre klubet nuk u paraqitën në ndeshjet e turit të dytë duke paraqitur si arsye pamundësinë financiare.
KUPA E SHQIPËRISË, EDICIONI I 56-të
TURI I DYTË
Laci-Tirana
Turbina-Teuta
Besëlidhja-Vllaznia
Skënderbeu-Partizani
Apolonia-Dinamo
Luftëtari-Besa
Shkumbini-Elbasani
Flamurtari-Kastrioti
* Ndeshjet do të luhen më 13-27 shkurt 2008
16 skuadrat në garë
Tirana, Skënderbeu, Partizani, Besa, Vllaznia, Shkumbini, Turbina, Apolonia, Flamurtari, Dinamo, Elbasani, Kastrioti, Besëlidhja, Laci, Luftëtari, Teuta.
Turi i Parë
Skënderbeu-Tepelena 1-0 (2-3)
Tirana-Butrinti 4-2 (2-2)
Partizani-Skrapari 2-1 (2-0)
Besa- Bylis 3-0 (3-2)
Vllaznia-Naftëtari 6-1 (3-2)
Shkumbini-Bilishti 3-1 (5-4)
Turbina-Erzeni 2-0 (1-1)
Apolonia-Sopoti 3-0 (1-2)
Flamurtari-Ada 4-1 (0-2)
Dinamo-Dajti 3-1 (2-0)
Elbasani-Tomori 7-2 (0-0)
Kastrioti-Burreli 2-0 (2-3)
Besëlidhja-Pogradeci 8-0 (0-2)
Lushnja-Laci 1-1 (1-3)
Teuta-Iliria 3-1 (1-1)
Luftëtari-Gramshi 6-0 (0-2)
• Në kllapa rezultatet e ndeshjeve të para

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›