E Diel, 1 Nëntor 2026

Kupa, kalon Vllaznia, eliminohet Dinamo

TIRANE- Dinamo është eliminuar nga Kupa e Shqipërisë, pas humbjes 0-1 në “Qemal Stafa” përballë Shkumbinit. Skuadra e Shkëlqim Muçës nuk ka mundur dot të përmbysë humbjen 2-1 të pësuar në Peqin tre javë më parë, madje në çastet e fundit ka pësuar edhe golin e nokautit me autor Bakiun. Blutë e kishin konsideruar një objektiv të rëndësishëm Kupën, megjithatë është eliminuar që në çerekfinale nga një skuadër që ka besuar deri në momentet e fundit. Bakaj, Souza apo Vila nuk kanë mundur dot të çajnë mbrojtjen e skuadrës peqinase, që në këtë takim ka qenë e mirëvendosur në fushën e lojës. Në pjesën e dytë Dinamo u hodh e gjitha në sulm, por pa mundur të gjejë golin. Atë që nuk bëri skuadra e Muçës, e bëri Shkumbini me anë të Bakiut në minutën e 89-të. Ndërkohë, në ndeshjen tjetër çerekfinale të luajtur sot, Vllaznia ka kaluar lehtësisht ndaj Skënderbeut, duke triumfuar me rezultatin 4-0. Heroi i shkodranëve ishte Bekim Bala me një dopietë, ndërsa dy golat e tjerë mbajnë firmën e Elvis Krajës dhe Ndriçim Shtubinës. Vllaznia vinte e favorizuar në këtë takim pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë në Korçë, megjithatë ka sulmuar nga fillimi në fund. Ndeshja e fundit çerekfinale e Kupës së Shqipërisë do të luhet të mërkurën në Durrës. Përballë do të jenë Teuta e Gramozi, që në sfidën e parë në Elbasan kanë barazuar 1-1. Tre skuadrat që janë kualifikuar tashmë për në gjysmëfinale janë Besa, Vllaznia e Shkumbini.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›