E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat, MB padi ndaj PS-së për informata të rreme

Ministria e Brendshme ka ngritur kallëzim penal ndaj Partisë Socialiste për letërnjoftimet. Kallëzimi është bërë për përhapje të rreme të informatave për falsifikim të letënjoftimeve.
"Në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë të datës 4 Mars 2010, është deklaruar publikisht se ka prova e fakte të cilat disponohen nga ana e deklaruesve, në lidhje me qarkullimin dhe përdorimin nga persona të ndryshëm të kartave të identitetit false (letërnjoftimeve elektronikë). Ky pohim është ripërsëritur nga mediat e shkruara si edhe në emisionin "Ora e Debatit" të datës 12.3.2010 në Televizionin "Ora News"" thuhet në deklaratën për shtyp të MB-së.
Më tej Ministria e Brendshme shpreh bindjen e plotë mbi pamundësinë e falsifikimit te dokumenteve origjinale te prodhuara nga firma koncesionare, sipas standardeve më të mira të BE-së e më gjerë.
"Nga ana tjetër, sistemi i prodhimit dhe shpërndarjes së dokumenteve të identitetit, është provuar të jetë një sistem solid, që mishëron teknologjinë e fjalës së fundit në fushën e identifikimit dhe procedura strikte të mirëpërcaktuara për aplikimin dhe shpërndarjen e Letërnjoftimit Elektronik dhe Pasaportës Biometrike. Këto vlerësime janë dhënë Në Raportin e datës 14 Shtator 2009 të Misionit të OSBE/ODIHR-it për Vëzhgimin e Zgjedhjeve Parlamentare të 28 qershorit 2009, ku vlerësohet së tepërmi procesi i pajisjes së shtetasve shqiptarë me Letërnjoftim Elektronik, por edhe nga ekspertët e fushës të BE-së të cilët kanë inspektuar dhe monitoruar sistemin në tërësinë e vet, në kuadrin e Procesit të Liberalizimit të Vizave (Blloku i parë)" thekson Ministria e Brendshme.
Gjithashtu MB-ja thekson se duke pasur parasysh rëndësinë e pajisjes së shtetasve shqiptarë me karta identiteti të standardeve evropiane të një cilësie dhe sigurie të lartë, duke reflektuar besueshmëri tek partnerët evropianë si dhe tek qytetarët shqiptarë, për të shmangur raste të tilla në të ardhmen, kërkuam regjistrimin e kallëzimit penal dhe fillimin e procedurave të verifikimit e hetimit të fakteve përkatëse ndaj dokumenteve të paraqitura dhe personave që kanë dijeni për çështjen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›