E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kupa, sfida me “kokëprerje”

Sot do të përcaktohen tetë çerekfinalistët e Kupës së 56-të. Nga përfundimi varet edhe fati i dy trajnerëve, Alimehmeti e Bici
Dash Frashëri

Ndeshjet e kthimit të 1/16 të Kupës së Shqipërisë, me përfundimet e rezultateve të tyre, do të përcaktojnë edhe tetë ekipet çerekfinaliste të edicionit të 56-të të trofeut të dytë më të rëndësishëm të futbollit shqiptar. Ndryshe nga ndeshjet e para dy javë më parë, ato të kthimit shënojnë edhe debutimin e dy trajnerëve të rinj, dy Ilirëve: Dajës te Dinamo dhe Gjylës te Besëlidhja. Parashikimet janë të shumta, nisur edhe nga rezultatet (në kllapa) e ndeshjeve të para dhe nga përfundimi i tyre varet edhe fati i dy trajnerëve të tjerë: Krenar Alimehmetit (Elbasani) dhe Vasil Bicit (Kastrioti).

TIRANA - LAÇI (1-1)
Tirana, në katër ndeshjet në drejtimin e Sulejman Memës, ka fituar një takim dhe ka barazuar tre të tjerë në dy kompeticionet dhe një prej barazimeve është arritur në Kupë, pikërisht kundër kundërshtarit të radhës. Tirana barazoi 1-1 me Laçin. Kashari për Laçin dhe Xhafaj për Tiranën, ishin autorët e golave. 13 herë fituesve të Kupës u mjafton edhe një fitore me rezultat minimal, duke filluar nga 1-0.

ELBASANI - SHKUMBINI (0-2)
Detyrën më të vështirë në këtë tur e ka, pa dyshim, Elbasani. Skuadra e presidentit Arben Laze humbi 2-0 me Shkumbinin në ndeshjen e parë (dy gola të Qorrit për peqinasit) dhe për të kaluar në tetë më të mirat e Shqipërisë i duhet të fitojë me diferencë prej tre golash. Në rast se verdheblutë eliminohen, shkarkimi i trajnerit Krenar Alihmehmeti do të jetë thjesht një formalitet.

VLLAZNIA - BESËLIDHJA (1-0)
Besëlidhja e Neptun Bajkos humbi në shtëpi 1-0 me Vllazninë (gol i kosovarit Ilir Nallbani), por formacioni lezhjan, tashmë i drejtuar nga Ilir Gjyla, synon të shkaktojë surprizën e madhe brenda në “Loro Boriçi”. Në 13 përballje midis tyre (e para daton në vitin 1961) shkodranët kanë dalë fitimtarë në 8 prej tyre, teksa Besëlidhja ka fituar vetëm 2 herë me 5 herë fituesit e Kupës së Shqipërisë.

PARTIZANI - SKËNDERBEU (0-1)
Të kuqtë i kanë fituar të dyja përballjet me korçarët në kampionat, por në ndeshjen e parë të Kupës së Shqipërisë, Skënderbeu fitoi 1-0 me golin e realizuar nga Çipi. Nëse për Partizanin e Hasan Likës Kupa mbetet objektiv madhor sezonal, për skuadrën “ujqit e dëborës” ajo mbetet thjesht një formalitet, pasi trajneri i Skënderbeut, Renato Rrapo, pohoi se e gjithë vëmendja e tij është lufta për mbijetesë në kampionat.

DINAMO - APOLONIA (1-0)
Gjysmë e kualifikuar, Dinamo, në premierën e Ilir Dajës synon një fitore me rezultat sa më të thellë me Apoloninë, për të rifituar imazhin e cenuar në kampionat. Në takimin e parë ish-trajneri Agim Canaj fitoi në Fier 1-0 (gol i Pejiç). Në dhjetë takimet midis dy ekipeve, 7 janë fituar nga 13 herë fituesit e Kupës së Shqipërisë. Presidenti Besnik Sulaj nuk e ka fshehur oreksin e madh, i kërkon të dyja trofetë, që rrjedhimisht i japin edhe të tretin, Superkupën.

BESA - LUFTËTARI (1-1)
Fituesja në fuqi e Kupës së Shqipërisë duket se e ka humbur përfundimisht betejën për të fituar për herë të parë kampionatin (ndodhet 10 pikë larg Dinamos kryesuese). Besa e Bizhdilit ka vetëm një synim: mbrojtjen e trofeut të vetëm në 80 vjet histori. Takimi me Luftëtarin në Gjirokastër u mbyll në barazim 1-1 (gola Brahimit dhe Prognit) dhe shanset flasin më shumë për një kualifikim të verdhezinjve. Në 7 përballjet historike “pesha” e fitoreve anon nga Besa: 4 të tilla dhe 3 barazime.

TEUTA - TURBINA (0-0)
Skuadrës durrsake i mjafton fitorja me çdo lloj rezultati kundër Turbinës së Cërrikut. Në takimin e parë Teuta e Kristaq Miles e mbylli në barazim pa gola ndeshjen e parë në “Nexhip Trungu” kundër formacionit të Bardhyl Minxhajt. Në statistikat midis dy ekipeve, janë vetëm dy ndeshje, ku është shënuar vetëm një gol në fitoren 1-0 të Teutës, më 22 janar 1989, ku dy ekipet bënin pjesë atëherë brenda një grupi.

KASTRIOTI- FLAMURTARI (1-1)
Paralajmërimi për Vasil Bicin është i hapur. Nëse Kastrioti nuk eliminon Flamurtarin e Eqerem Memushit në 1/16 e Kupës së Shqipërisë, atëherë tekniku është më mirë të japë dorëheqjen para shtypit, përpara të shkarkohet me ndonjë SMS. Takimi i parë në Vlorë u mbyll me rezultatin 1-1 (shënuan Beqiri dhe Abazaj). Statistikat flasin për vlonjatët (2 fitore dhe 2 barazime në katër takime). Edhe në ndeshjen e fundit në kampionat në asnjanësin “Selman Stërmasi” fitoi Flamurtari 1-0.

Statistikat e 16 skuadrave

Tirana është skuadra që ka diskutuar më shumë çerekfinale, plot 44 herë, 1 më shumë se Partizani, Vllaznia, por është skuadra e “kuqe” ajo që ka qenë më shpesh në finale: 23 të tilla, ku ka mundur të fitojë 15 trofe. Tirana dhe Dinamo kanë fituar nga 13 të tilla, Vllaznia 5, Teuta 3, Elbasani 2, Flamurtari 2, Apolonia 1, Besa 1, që është dhe fituesja e fundit e Kupës së Shqipërisë. Ky është edicioni i 56-të i Kupës së Shqipërisë.

TIRANA - LAÇI (1-1)
Bilanci: Nd. 5, F 2, B 2, H 1. Golat: 8-3
TIRANA: 55 pjesëmarrje, 28 herë në çerekfinale, 44 herë në gjysmëfinale, 19 herë në finale, 13 herë fituese
LAÇI: 16 pjesëmarrje, 0 herë në çerekfinale, 1 herë në gjysmëfinale, 0 herë në finale, 0 herë fitues

TEUTA - TURBINA (0-0)
Bilanci: Nd. 2, F 1, B 1, H 0. Golat: 1-0
TEUTA: 55 pjesëmarrje, 35 herë në çerekfinale, 16 herë në gjysmëfinale, 9 herë në finale, 3 herë fitues
TURBINA: 12 pjesëmarrje, 1 herë në çerekfinale, 0 herë në gjysmëfinale, 0 herë në finale, 0 herë fitues

VLLAZNIA - BESËLIDHJA (1-0)
Bilanci: Nd. 13, F 8, B 3, H 2. Golat: 19-10
VLLAZNIA: 55 pjesëmarrje, 43 herë në çerekfinale, 25 herë në gjysmëfinale, 11 herë në finale, 5 herë fitues
BESËLIDHJA: 34 pjesëmarrje, 6 herë në çerekfinale, 1 herë në gjysmëfinale, 0 herë në finale, 0 herë fitues

PARTIZANI - SKËNDERBEU (0-1)
Bilanci: Nd. 16, F 8, B 2, H 6. Golat: 23-16
PARTIZANI: 54 pjesëmarrje, 43 herë në çerekfinale, 31 herë në gjysmëfinale, 23 herë në finale, 15 herë fitues
SKËNDERBEU: 52 pjesëmarrje, 22 herë në çerekfinale, 7 herë në gjysmëfinale, 3 herë në finale, 0 herë fitues

DINAMO - APOLONIA (1-0)
Bilanci: Nd. 11, F 7, B 3, H 1. Golat: 19-8
DINAMO: 50 pjesëmarrje, 41 herë në çerekfinale, 29 herë në gjysmëfinale, 18 herë në finale, 13 herë fitues
APOLONIA: 42 pjesëmarrje, 16 herë në çerekfinale, 8 herë në gjysmëfinale, 1 herë në finale, 1 herë fitues

BESA - LUFTËTARI (1-1)
Bilanci: Nd. 7, F 4, B 3, H 0. Golat: 12-6
BESA: 50 pjesëmarrje, 19 herë në çerekfinale, 10 herë në gjysmëfinale, 7 herë në finale, 1 herë fitues
LUFTËTARI: 35 pjesëmarrje, 9 herë në çerekfinale, 2 herë në gjysmëfinale, 0 herë në finale, 0 herë fitues

ELBASANI - SHKUMBINI (0-2)
Bilanci: Nd. 9, F 4, B 1, H 4. Golat: 8-8
ELBASANI: 52 pjesëmarrje, 29 herë në çerkefinale, 8 herë në gjysmëfinale, 3 herë në finale, 2 herë fitues
SHKUMBINI: 19 pjesëmarrje, 8 herë në çerekfinale, 2 herë në gjysmëfinale, 0 herë në finale, 0 herë fitues

KASTRIOTI - FLAMURTARI (1-1)
Bilanci: Nd. 6, F 0, B 3, H 3. Golat: 4-14
KASTRIOTI: 22 pjesëmarrje, 1 herë në çerekfinale, 0 herë në gjysmëfinale, 0 herë në finale, 0 herë fitues
FLAMURTARI: 53 pjesëmarrje, 30 herë në çerekfinale, 16 herë në gjysmëfinale, 10 herë në finale, 2 herë fitues

Pakult: “Kujdes nga Salihi!”

Kanë filluar ta kenë frikë të gjithë dhe më shumë nga të gjithë Peter Pakult, trajneri i Rapidit të Vjenës. Bomberi shqiptar, Hamdi Salihi (10 gola në kampionatin austriak, 2 në ndeshjen e fundit), është shndërruar në tmerrin e skuadrave kundërshtare. Të mërkurën (19:30) Rapidi do të përballet me SV Ried dhe tekniku që e kërkoi ish-lojtarin e Tiranës, madje erdhi për ta parë dy herë në aksion në kryeqytetin shqiptar, paralajmëroi të tijtë për rrezikshmërinë e shkodranit. “Ne nuk duhet ta lëmë atë godasë dhe ta lejojmë të jetë i lirë në afërsi të portës sonë”, - shprehet me respekt për Salihin trajneri i Rapidit në faqet e gazetës austriake “Standard”. “Për ne çdo ndeshje është një detyrim për ta fituar, qofshin ato jashtë apo brenda”, - shton Pakult, i cili vlerëson edhe SV Ried. “Pas ndryshimit të trajnerit atje po shkojnë gjërat më mirë. Me fitoren kundër Karnten (Salihi shënoi dy gola) Ried u largua nga zona e ftohtë dhe kundër nesh nuk kanë asgjë për të humbur”.

Goleadë shqiptare kundër Kaiserslautern

E kishte paralajmëruar menaxheri i tij, Rudi Vata. Njazi Kuqi nuk mbahet më. Pas golit të parë kundër St.Paulit, kosovari me pasaportë finlandeze shënoi edhe një tjetër në fitoren e Tus Koblenz 3-2 në transfertë kundër Kaiserslautern. Për ta bërë edhe më të bukur triumfin shqiptar, autori i dy golave të tjerë për Koblenz e shënoi shqiptari nga Mali i Zi, Ardian Gjokaj. Fatmir Vata nuk luajti në këtë takim për shkak të plotësimit të pesë kartonëve të verdhë.

UEFA: “Spanja drejt përjashtimit nga Euro 2008”

UEFA shpreson të gjejë një zgjidhje të shpejtë të konfliktit, i cili mund të ndëshkojë ekipin kombëtar spanjoll me pezullimin nga turnetë e mëdha ndërkombëtare. Javën e kaluar, presidenti i FIFA-s, Sep Blater, zbuloi faktin se Spanja mund të pezullohet nga kompeticionet ndërkombëtare nëse qeveria e saj do të përpiqet të ndërhyjë në procesin zgjedhor të Federatës Spanjolle të Futbollit. Blater pohoi gjithashtu se ekipi kombëtar spanjoll dhe klubet do të përjashtoheshin nga turnetë derisa qeveria do të ndjekë të njëjtën politikë.
“Unë e di se çështja është shumë serioze, por nuk dua të spekuloj në lidhje me përrfundimet në konfliktin aktual”, - tha drejtori i komunikimeve i UEFA-s, Uilliam Gaillard. “Ne të gjithë shpresojmë se në interes të futbollit konflikti do të zgjidhet”.
UEFA paralajmëroi si masë të parë ndëshkimore përjashtimin e Spanjës nga finalet e Euro 2008-s, duke i hapur derën Irlandës së Veriut të marrë pjesë në Kampionatin Europian, që do të nisë pas katër muajsh. Spanja zuri vendin e parë në grupin e saj kualifikues, ndërsa Irlanda e Veriut u rendit e treta. “Është e njëjta situatë e ngjashme si ajo që ndodhi me Jugosllavinë në Kampionatin Europian të vitit 1992, ku pasi u pezullua vendin e saj e zuri Danimarka”, - shtoi Gaillard. Danimarka fitoi në finale 2-0 kundër Gjermanisë.
FIFA gjithmonë ka mbajtur një qëndrim të ashpër kundër qeverive që përpiqen të ndërhyjnë në punët e brendshme të federatave të futbollit dhe ka ndërhyrë fort vitet e fundit në raste të ngjashme si në Portugali e Greqi.

27 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›