E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediat e huaja: A do të ndërhyjë Tirana zyrtare në trazirat e vitit 1981?

Agjencia Telegrafike Shqiptare merrte reagimet e mediave perëndimore. Serbët dërgojnë 30 mijë forca sigurie për të mbajtur nën kontroll vendin
Gazeta gjermanoperëndimore “Frankfurter Allgemanie Caitung”, e datës 26 qershor, boton një artikull me titull “Gjendja në Kosovë është akoma e ndërlikuar. Janë dërguar 30 mijë forca të reja të sigurimit”, i shkruar nga Viktor Mejer. Në të thuhet: “Njeriu lexon çdo ditë në gazetat jugosllave se gjendja në Kosovë, e cila në pjesën më të madhe banohet nga shqiptarët, ashtu sikurse edhe më parë është e rëndë dhe e ndërlikuar dhe se diferencimi bën përparime të ngadalshme. Edhe organit të partisë së krahinës, “Rilindja”, i ndodhin gjithmonë gabime të dukshme dhe se autoritetet ndeshen kudo me një mur të heshtjes. Afërsisht, 30 mijë policë dhe ushtarë të rinj janë stacionuar në këtë krahinë, meqë forcat lokale nuk janë të besueshme. Flitet se ushtria tregon kujdes që të dërgojë në Kosovë jo vetëm ushtarë të kombësisë serbe. Me këtë qëndrim, ajo do të ruajë prestigjin e saj. Ndërsa policia në këtë drejtim është më pak e kujdesshme. Ende Kosova është një zonë e ndaluar si për të huajt, ashtu edhe, pjesërisht, për jugosllavët. Gazetarët e huaj, që zgjidhen dhe që organizohen në grupe të ruajtura me kujdes për të bërë një vizitë të shkurtër në Kosovë, ende vazhdojnë të çohen nga Prishtina në Prizren nëpër male me qëllim që t’i shmangen zonës së Ferizajt dhe të mos e shohin atë, meqenëse ajo ka qenë një qendër e kryengritjeve. Shumë jugosllavë e shohin si absurde këtë situatë që po vazhdon për mëse tre muaj. Ata pyesin nëse ky mentalitet që mbizotëron te policia, si dhe mungesa e fantazisë politike në trajtimin e kësaj çështjeje, ndoshta e zmadhojnë dëmin. Revista “Nin”, në numrin e saj të fundit, është e detyruar të plotësojë se qysh prej tre muajsh është paralizuar e gjithë jeta kulturore në Kosovë. Madje, edhe skuadrat e futbollit nga Prishtina duhet që ndeshjet e tyre, që kanë për t’i zhvilluar në fushën e vet, t’i bëjnë në fushat e tjera. “Nin” pohon gjithashtu se çdo kombësi ka të drejtën për një jetë kulturore dhe arsimim të lartë, gjë që e garanton edhe Kushtetuta jugosllave. Përfaqësues të inteligjencës shqiptare thonë se ndoshta për arsye sigurimi mund të pranohet një situatë e jashtëzakonshme për disa javë, por në rast se kjo situatë vazhdon muaj të tërë atëherë njerëzit fillojnë të flasin për një shtypje kombëtare. Të gjitha lajmet bëjnë të qartë se vija e deritanishme e shtypjes policore i ka integruar shqiptarët në Kosovë. Në pjesë të tjera të Jugosllavisë, - vazhdon artikulli i Viktor Mejerit, - po duken shfaqje të qëndrimit armiqësor ndaj shqiptarëve që banojnë në këto vise. Nga ana tjetër, policia vetëm në çastin e fundit mundi të mënjanonte një demonstratë të shqiptarëve në kryeqytetin e Sllovenisë, Ljubljanë. Në kundërshtim me lëvizjen masive në Kroaci para 10 vjetëve, e cila ishte një dallgë emocionale, lëvizja në Kosovë ka një qëllim konkret, me kuptim: kthimin e krahinës autonome në një republikë më vete. Është regjimi, dmth udhëheqja e Serbisë dhe e federatës, të cilët janë kundër dhe agjitojnë kundër me argumente emocionale, madje edhe me etiketime dhe dyshime të thjeshta. Një qëllim i dukshëm racional vepron akoma integrues. Te profesorët e Universitetit të Prishtinës, të cilët kritikohen në mënyrë globale dhe si rrjedhim edhe ata gjithmonë e më shumë në mënyrë globale reagojnë, po formohet një bërthamë e udhëheqjes intelektuale. Madje, edhe jashtë shtetit kjo lëvizje po fiton përkrahje dhe strukturë. Është zor që në Kosovë të kalohet me shtypje policore. Heshtjen e shqiptarëve është e vështirë ta kuptosh. Duket që në udhëheqjen jugosllave, veçanërisht në grupin e elementëve të rinj dhe aktivë, të ketë disa persona të cilët po mendojnë që shqiptarët brenda bashkësisë shtetërore jugosllave përbëjnë diçka të veçantë dhe se kjo duhet të kihet disi parasysh. Në mënyrë konkrete, këto mendime nuk janë perceptuar asgjëkundi. Nëpërmjet agjitacionit të deritanishëm janë prishur shumë rrugët e zgjidhjes. Nga udhëheqësit po pranohet gjithnjë e më shumë në raportet që jepen se udhëheqja lokale komuniste në Kosovë, në kushtet e tanishme, do ta kishte jashtëzakonisht të rëndë për të qeverisur dhe që krahina të kthehet në gjendje normale. Në Beograd pranohet pak a shumë hapur se fushata e madhe rreth ndërhyrjes nga Shqipëria, pra nxitja nga Tirana, kryesisht është taktikë. Udhëheqja e Prishtinës kapet mbas tezës së ndërhyrjes për të lehtësuar gjendjen e saj. Mirëpo, meqenëse bie poshtë ajo që çdo gjë e keqe ka ardhur nga jashtë, komprometohet edhe aksioni politik për të larë hesapet me masat, gjë që s’ka mundësi të kryhet”. Gazeta franceze “Figaro”, e datës 30 qershor, lidhur me ngjarjet në Kosovë shkruan: “Gjithçka nisi në marsin e fundit në Universitetin e Prishtinës, kryeqytet shumë simpatik i Kosovës... Ndonëse Kosova është e pasur në linjite, në nikel, në krom, popullsia shqiptare është ajo që ka nivelin më të ulët të të ardhurave kombëtare të Jugosllavisë. Ai është 10 herë më i vogël se i Sllovenisë, 5 herë se i Kroacisë dhe 3,5 herë më i vogël se ai i Serbisë. Nëse prodhimi industrial i Kosovës përfaqëson një të pestën e prodhimit serb, të papunët përbëjnë shifrën prej 70 000 vetash. Kjo është arsyeja për të cilën 45 000 të tjerë fitojnë bukën e tyre të përditshme në Perëndim. Popullsia e saj shpresonte dhe parashikonte një Republikë të Kosovës, të pavarur dhe të barabartë me republikat e tjera jugosllave. Që nga kjo kohë është shënuar në këtë krahinë lindja dhe rritja e një korrenti të favorshëm për pavarësi”. Më poshtë gazeta shkruan: “Lëvizja revolucionare, që lindi në marsin e kaluar në Universitetin e Prishtinës e ku pati 11 të vdekur e 260 të plagosur (shqiptarët e Kosovës thonë që të vdekurit janë 80 dhe të plagosurit i kalojnë 1000), duket t’i ketë bërë të avancojnë me rrezik ndjenjat kombëtare të shqiptarëve të Kosovës”. Duke përfunduar, ajo thekson: “Për të fituar davanë, qeveria e Beogradit arrestoi 150 shqiptarë të Kosovës dhe ka 15 ditë që dërgoi 1000 njerëz të policisë, të cilët kanë për mision të instalohen në qytetet kryesore të krahinës. Përveç kësaj, ministri i Brendshëm jugosllav ka deklaruar para disa ditësh se këta shqiptarë të arrestuar kishin organizuar 16 manifestime masash në 11 rajone të ndryshme”. Gazeta tjetër franceze “Le Kondien Rome Alpe”, e datës 17 qershor 1981, boton një shkrim me titull: ”Një shtypje policore intensive në Kosovë”, ku thuhet: “Në Kosovë, qeveria jugosllave sillet si pushtues që bën ç’është e mundur për të mbajtur në nënshtrim popullsinë shqiptare. Kudo tanke, ushtarë dhe trupa të policisë. E gjithë kjo a nuk ushqen urrejtjen e shqiptarëve të Kosovës? ǒmund të thuhet pastaj për zbatimin e idealit komunist që duhej të sillte parajsën në tokë”. Disa vazhdojnë të na bëjnë të besojmë se komunizmi jugosllav është më liberal... E vërteta tregon edhe një herë se imperializmi serb bën ligjin. Tanke të maskuar ndodhen në Aeroportin e Prishtinës. Edhe brenda aeroportit, të gjithë të huajt dhe disa jugosllavë që shkojnë në krahinën e turbullt të Kosovës dërgohen në një dhomë të veçantë për të verifikuar pasaportën dhe për të regjistruar arritjen e tyre. Të huajt duhet të kenë një autorizim me shkrim të qeverisë për të hyrë në Kosovë, krahinë ku Jugosllavia duhet të përballojë trazirat e para krahinore që prej vdekjes së presidentit Tito. Ju mund të përdorni aparatin tuaj fotografik, - tha një përfaqësues jugosllav i ngarkuar të shoqërojë një grup gazetarësh të huaj të autorizuar të shkojnë në Kosovë, - por mos fotografoni ushtarët. Më shumë se dy muaj mbas trazirave të Kosovës, ushtarë, rezervistë dhe policë të armatosur, të ardhur nga të gjitha anët e Jugosllavisë, kanë vërshuar në Prishtinë; uniforma e tyre shikohet kudo. Demonstratat e studentëve kundër kushteve të jetës në Universitetin e Prishtinës janë shndërruar në demonstrata tepër të gjera dhe janë shoqëruar me përleshje me policinë dhe shpërthimin e dhunës. Rreth 442 persona janë përjashtuar nga PK e krahinës së Kosovës, sepse kanë mbështetur ose nuk i janë kundërvënë propagandës nacionaliste. Rreth 200 persona janë pushuar, në mes të të cilëve dhe drejtues të PK-së për Kosovën, përgjegjës të forcave të sigurimit, përgjegjës të shkollave, disa prej të cilëve akuzohen se kanë futur ndër të rinj ndjenja antijugosllave. Rreth 1700 persona janë burgosur gjatë trazirave dhe 154 pritet të gjykohen. Turizmi është i ndaluar në këtë krahinë për këtë verë. Autoritetet nuk kanë saktësuar kurrë numrin e vërtetë në Kosovë, megjithatë kanë deklaruar se javën e fundit janë dërguar 1000 policë të tjerë”.

Shkrimi është marrë nga gazeta “Bashkimi” e datës 5 korrik 1981
Titulli është redaksional
Përgatiti: Matilda Arapi

Në numrin e nesërm do të lexoni:
Çfarë kanë shkruar gazetat greke për çështjen e Kosovës dhe roli i Athinës.
Faktet dhe të vërtetat që sjellin gazetat austriake dhe italiane për ngjarjet.
Si i pasqyroi e përditshmja amerikane “The New York Times” protestat

Për më shumë, na ndiqni në numrin e nesërm

27 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›