Mançini, i bindur: “Do të përsërisim fitoren në Romë”
Trajneri: “Në këtë moment, Interi dhe Roma janë dy skuadrat më të mira”. “Interi duhet të luajë për të fituar, por dhe barazimi është i mirë”
Dash Frashëri
Kur duhen edhe 12 ditë që Interi të mbushë 100 vjeç, zikaltërit me një fitore të mundshme kundër Romës (luhet sot ora 20:30) mund të festojnë para kohe titullin e tretë rresht kampion dhe të 16-in në historinë e lavdishme të tyre. Inter-Roma është shndërruar në vitet e fundit në një klasike të futbollit italian. “Pasi të tjerat nuk impenjohen shumë në kampionat, na e kanë lënë neve kampionatin dhe ne e luajmë”, - thotë me të qeshur trajneri i Interit, Roberto Mançini. “Në këtë moment, Interi dhe Roma janë dy skuadrat më të mira, të paktën kështu thotë klasifikimi dhe e njëjta gjë rezultoi edhe sezonin e kaluar”. Manço pohon se Roma luan një futboll më spektakolar se Lacio në kohën kur Roberto drejtonte atje.
Trajneri Roberto Mançini ndihet pak i shqetësuar për mungesën e disa prej lojtarëve kryesorë, përfshirë edhe Zlatan Ibrahimoviçin. “Është një moment ku kemi nevojë për të gjithë, ndërkohë që duhet të luajmë pa lojtarë të rëndësishëm”. Bosi zikaltër nuk dëshiron një barazim me ndjekësen e tij më të afërt, Romën. “Interi duhet të luajë për të fituar. Nëse ndeshja do të përfundojë në barazim, prapë do të jetë mirë. Ne, ashtu si në Romë, (Interi fitoi 4-1) do të luajmë absolutisht për të fituar”.
Interi do të luajë kundër Romës me dy sulmues, ku në vijën e parë do të përfshihet Baloteli, por talenti i ri do të hyjë gjatë lojës. Trajneri shpreson se Zlatan Ibrahimoviç (probleme me gjurin) do të jetë i gatshëm të dielën e ardhshme kundër Napolit.
Edhe një pohim për lojën e dobët të suedezit kundër Liverpulit në Ligën e Kampioneve. “Ishte më shumë një lojë mbrojtëse dhe sulmuesit ishin të detyruar të punonin më shumë për skuadrën. Por, si Ibrahimoviç, ashtu dhe skuadra, bënë atë që duhet të bënin”. Mançios i duhet të zgjedhë në mesfushë midis Luis Figos dhe Luis Himenezit. “Figo ka më shumë mundësi, pasi është më i çlodhur dhe ka më shumë gjendje se Himenez”.
Box:
Toti: “Juve nuk ndryshon kurrë”
“Juve qahet? Është i njëjti klub që mbylli arbitrat në dhomat e zhveshjes”. Françesko Toti është i bindur në atë që thotë dhe lëshon mesazhe të qarta. “Ndryshojnë njerëzit, por mbetet i njëjti klub. Futbolli është i bukur edhe për këtë, pasi është i përbërë nga njerëz me tipe të ndryshme”. Sot do të luhet Inter-Roma, një ndeshje që do të vendosë shumë për titullin në Itali. “Në Milano nuk është beteja e fundit. Dhe për më tepër që askush nuk e di se si do të përfundojë”.
Spaleti: “Ndeshja e së vërtetës”
Luçiano Spaleti nuk fshihet. Për Romën, takimi i sotëm kundër Interit mund të përcaktohet edhe si “ndeshja e së vërtetës”. Nëse do të fitojmë, - thotë tekniku verdhekuq, - do të konfirmohemi si skuadra që i kemi sjellë më shumë shqetësime. Nëse në të kundërt do të fitojë Interi, do të mbyllej kampionati. Spaleti foli edhe për arbitrat. “Boll duke lehur kundër tyre”, - tha ai.
Seria A
Java 25
Juventus-Torino
Xhenoa-Napoli
Palermo-Empoli
Siena-Kaljari
Parma-Udineze
Lacio-Rexhina
Inter-Roma
Fiorentina-Livorno
Katania-Milan
Atalanta-Sampdoria
* Ndeshjet fillojnë në orën 20:30
Renditja
Java 24
1.Inter 60
2.Roma 51
3.Juventus 47
4.Milan 41
5.Fiorentina 41
6.Udineze 36
7.Sampdoria 35
8.Xhenoa 32
9.Atalanta 31
10.Palermo 31
11.Napoli 30
12.Torino 26
13.Lacio 26
14.Empoli 25
15.Katania 23
16.Livorno 23
17.Siena 22
18.Parma 22
19.Rexhina 21
20.Kajlari 18
Kaka si Van Basteni
Milani reagoi shumë ashpër ndaj ndërhyrjeve të parregullta gjatë çdo ndeshjeje kundër jashtëklasit kuqezi, Kaka, duke publikuar edhe një listë të gjatë ndaj faulleve të ashpra kundër brazilianit.
“Parma-Milan, pjesa e parë: në minutën e 7-të faull i Morrenes nga prapa, në të 17’ faull i Desenës në kufijtë e zonës, në të 20’ një tjetër faull i Morrones. Kjo është metoda për të nxjerrë jashtë loje lojtarin e Milanit. Nuk ka rëndësi se ku e godasin, në këmbë apo kavilje”, - shkruan faqja zyrtare e Milanit.
“Milan-Palermo, pjesa e parë: pas 1 minutë e 43 sekonda ndërhyn Guana nga pas dhe godet saktësisht në gjurin problematik të Kakasë. Në të 22’faull i Miljaçios, për t’u pasuar në të 29’ nga faulli i Breshanos”, - jep të tjera raste klubi kuqezi. “E njëjta histori në Xhenoa-Milan dhe Milan-Katania”.
Historia e Kakasë po sjell në mendjen e historianëve sportivë fatin e dhimbshëm të Marko van Bastenit. Jashtëklasi holandez e luajti ndeshjen e fundit në nivel të lartë në moshën 28 vjeç, në nëntor të vitit 1992, për shkak të problemeve me gjurin. “Nuk duhet të ndodhë kështu edhe me Kakanë”, - paralajmëron komunikata në acmilan.com.
Liverpuli në shitje, “Reds” te arabët
Liverpuli është në shitje. Manjatët amerikanë Hicks dhe Gillet po përgatiten ta shesin klubin te një konsorcium të kontrolluar nga qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe. Për gazetën britanike “Times”, transferimi i pronësisë mund të kryhet në përfundim të sezonit futbollistik. Tratativat po njohin një zhvillim të shpejtë pasi dhe kontaktet midis Hicks dhe drejtuesve të “Dubai International Capital” janë më të shpeshta. Hicks dhe Gillet e blenë Liverpulin për 220 milionë sterlina në janar të vitit 2007 dhe tani dëshirojnë ta shesin për një shumë më të madhe, e cila sipas “Times” është rreth 400 milionë sterlina, të cilat do të mbulonin borxhet prej 350 milionë sterlina që kanë dy manjatët amerikanë. Manjati amerikan ka për qëllim të shesë 50 për qind të aksioneve të tij në muajin mars. Në muajt e ardhshëm do të fillojnë edhe tratativat me Gillet.
Tifozët e Liverpulit nuk kanë qenë kurrë dakord me shitjen e klubit legjendar anglez, madje iniciuan edhe një nismë për të grumbulluar një shumë për të blerë skuadrën. Dy bosët amerikanë kanë pasur vazhdimisht marrëdhënie jo të afërta me trajnerin Rafa Benitez, madje Hicks i ofroi Jurgen Klinsmanit edhe punën e trajnerit në fund të sezonit në vend të spanjollit.
Në Ligën e Kampionëve, Liverpuli fitoi 2-0 me Interin në ndeshjen e parë të 1/8 dhe i ka të gjitha mundësitë për të kaluar në çerekfinale. Liverpuli ndodhet për momentin në vendin e pestë në Premier Ligë, me tri pikë më pak se Evertoni, por edhe me një ndeshje më shumë për të luajtur. Nga Anglia marrin pjesë katër ekipet e para në Ligën e ardhshme të Kampionëve.
Grant në rrezik, te Çelsi nuk falin
Duket se përfundoi lidhja midis teknikut Avram Grant dhe Çelsit. Tekniku është në rrezik të madh pas humbjes së finales në “Carling Cup”. Dështimi i njërit prej katër objektivave sezonalë dhe sjellja e trajnerit të bluve pas ndeshjes së humbur me Totenhemin solli dhe çarjet e mëdha midis tifozerisë dhe drejtuesve të Çelsit. Gazeta britanike “Daily Mail” shkruan se ish-tekniku i Izraelit duhet të fitojë diçka për të shpëtuar në fund të sezonit bankinën e tij. Në rast se Grant do të shkarkohet, vendin e tij do ta zërë Rajkard, i cili mund të largohet nga Barcelona.
Totenhemi kërkon edhe kupën UEFA
Huande Ramos është në “qiellin e shtatë” pas fitores së “Carling Cup” me Totenhemin kundër Çelsit në Angli. Spanjolli 53-vjeçar arriti suksesin e tij të parë në ishull me “zambakët e bardhë” dhe tashmë dëshiron të fitojë edhe Kupën UEFA, ku Totenhemi bën pjesë në 16 më të mirat. “Jeta është e ëmbël dhe plot përmbajtje te Spërsat”, - tha ish-menaxheri i Seviljes, i lumtur që fitoi trofeun e parë vetëm katër muaj pasi kishte marrë në dorëzim Totenhemin. “Unë jam krenar për këtë, është një tjetër arritje në karrierën time. Kupa UEFA është një tjetër shans për të fituar diçka, por do t’i marrim ndeshjet një nga një”.
Futbollisti gjerman vishet si Hitleri
Nostalgjik për Fuhrerin. Lojtari i klubit australian të Kategorisë Superiore, Central Coast Mariners, gjermani Andre Gumpreht, u paraqit si Hitleri në festën e klubit. Disa foto të mesfushorit, të veshur me uniformë ushtarake dhe shenjat dalluese të ngjashme me ato të Hitlerit, u publikuan në gazetat lokale të Australisë duke shkaktuar edhe revoltën e komunitetit hebraik. Presidenti i Federatës Australiane të Futbollit kërkoi shpjegime nga Gumpreht për sjelljen e tij.
Rikthimi
Sër Aleks Ferguson përshëndeti kthimin e sulmuesit Louis Saha, duke pohuar se francezi do të jetë një komponent kyç në rrugën për titullin kampion në Angli. “Rikthimi i Louis Saja është një bonus i madh për ne”, - tha Ferguson për gazetën angleze “Manchester Evening News”.
Shkarkimi
Arminia Bielfeld shkarkoi drejtorin e Përgjithshëm Reinhard Saftig pas katër humbjeve rresht në Bundesligë. Bielfeld nuk fiton qysh kur Saftig punësoi Michael Frontzeck si trajnër të ri të skuadrës në 1 janar 2008. Klubi gjerman ndodhet vetëm një pikë larg zonës së rrëzimit.
Bekam
David Bekam dhe Los Angeles Galaksi do të luajë një miqësore kundër Hong Kongut më 9 mars, si pjesë e një turneu me tri ndeshje në Azi. Takimet e tjera janë programuar me Korenë e Jugut në Seul më 1 mars dhe me Kinën në Shangai më 5 mars. Kampionati amerikan nis më 29 mars.
27 Shkurt 2008