Si thirrën kosovarët në Beograd: Enver Hoxha
Gazeta amerikane vazhdon profilin me Maqedoninë dhe Kosovën. Roli i shqiptarëve në Ballkan dhe protestat e Prishtinës në vitin 1981
David Binder
(Vijon nga numri i djeshëm)
Përpara se të nisja paraqitjen për Maqedoninë, një mësues në Sarajevë më kishte thënë mua: “Unë kam frikë shqiptarizimin e Maqedonisë”. Maqedonasit janë duke emigruar. Madje, për herë të parë, ata po shkojnë edhe drejt Serbisë. Në brezin tjetër, Maqedonia do të mbisundohet nga shqiptarët. “Tashmë, kjo nuk vjen më si surprizë kur e dëgjon të shprehet si një shqetësim në kryeqytetin e vendit, në Shkup”.
“Shqiptarizimi i Maqedonisë”
Maqedonia jugosllave ka rreth 2 milionë banorë, por nga këta rreth 400 mijë janë shqiptarë etnikë dhe kohët e fundit shumë prej tyre u janë bashkuar shqiptarëve nacionalistë të provincës autonome të Kosovës, duke u shtrirë pikërisht në veri të Kosovës dhe duke iu bashkuar kërkesave radikale për autonomi. 10 prej tyre ishin burgosur. Shtatë të tjerë u akuzuan nga qeveria si anëtarë të një organizate terroriste ilegale dhe që ishin shpallur fajtorë. Sot, një numër i shqiptarëve etnikë në Maqedoni është duke u futur në telashe me autoritetet dhe ka gjasa se po afrohen në mënyrë graduale me Kosovën, ku problemi i nacionalizimit të ri ka nisur tashmë.
Marrëdhëniet midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë, që është vendi më i izoluar në Europë, janë të ngrira. Megjithëse këtu nuk ka të dhëna, Jugosllavia deklaroi se shqiptarët jugosllavë ishin nxitur dhe financuar nga Enver Hoxha, kryetar i Partisë Komuniste të Shqipërisë. Sigurisht, Shqipëria e ka hedhur poshtë një gjë të tillë.
Por akuzat jugosllave nuk janë dogmatike: Enver Hoxha, drejtuesi i Luftës së Dytë Botërore, është i sëmurë tashmë në moshën 78-vjeçare. Në shtator kishte informacione se ai urdhëroi zëvendësministrat e Mbrojtjes, të Brendshëm, të Shëndetit dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, si dhe të tjerë, të ekzekutonin të gjithë komplotistët përmes skuadrave të pushkatimit.
Tensionet ndëretnike
E gjitha kjo kishte çuar në rritjen e tensioneve të jetës ditë pas dite në Maqedoni. Shumë maqedonas sllavë tani janë duke nguruar që të hyjnë në rajonet e populluara me shqiptarë etnikë. Një gazetar, Velcho Kotsev, tregon teksa udhëtonin në dalje të veriut të Shkupit, se së fundmi te një fshat etnik shqiptar, befas, makina e tij u rrethua nga një tufë vandalësh. "Ata ishin rreth 12 vjeç. Mbase 15 vjeç. Unë doja që të vazhdoja udhëtimin dhe u kërkova atyre që të më hapnin rrugën. Ata nuk lëvizën nga vendi dhe më injoruan. Në fund, pak nga pak, u ulën gjakrat. E tmerrshme! Pastaj, unë hyra brenda një kafeneje për të marrë një pije. Një shqiptar u ul te tavolina ime dhe me dorën e tij të mbledhur grusht qëlloi me gjithë forcën në shenjat e shkruara në gjermanisht në tavolinën përpara meje: “Keni fituar shumë ë!?”, - më pyeti mua. Kjo ishte një mënyrë e të shfaqurit të pushtetit të tij.
Politikanët në këtë republikë i njohin tensionet, por besojnë se atje mund të gjendet një zgjidhje. “Nëse ne mund të zgjidhim probleme ekonomike, kjo nuk do të jetë aq e rrezikshme”, - më tha Tomislav Simoski, kryetar i Komunitetit Kombëtar për Çështjet e Jashtme. “Në qoftë se ne mund të përmirësojmë kushtet e jetesës së shqiptarëve, ky zhvillim jologjik do të zhduket tek ata”.
Pretendimet bullgare
Maqedonasit gjithashtu janë duke u ndier të shtrënguar edhe nga fqinjët e tyre bullgarë te një marrëveshje e panjohur, e nënshkruar 10 ose 20 vite më parë. Tek zoti Simoski, një 55-vjeçar i shëndoshë, duket se rilindi presioni nga Bullgaria, e cila në mënyrë të çjerrë refuzon të njohë legjitimitetin e Maqedonisë. Ai ishte zemëruar veçanërisht në gushtin e kaluar prej festimeve të qeverisë bullgare për 80-vjetorin e krijimit të Ilindenit (Dita e Shën Elias në kalendarin ortodoks) që ka të bëjë me kryengritjen maqedonase kundër pushtimit turk, në të cilën luftëtarët paraqiteshin si bullgarë. “Disa nga fjalimet e bullgarëve ishin shumë treguese”, - thotë ai. Ata thonë gjëra si: “Bullgarët jashtë kufijve dëshirojnë të jenë të bashkuar me vendin mëmë. Ata përdorin të njëjtat fjalë që përdorën bullgarët në Luftën e Dytë Botërore kur na pushtuan”. Një farë replike për deklaratat bullgare ishin edhe sjelljet në javën e dytë të shtatorit, kur ushtria e popullit jugosllav inskenoi dhe reklamoi kotësisht një manovër të madhe, të organizuar në shkallë të gjerë, përgjatë vijës kufitare me Bullgarinë. I titulluar “Jedinstvo” (Njësia 83) mobilizoi rreth 22 mijë trupa, në mënyrë domethënëse, pikërisht te shumë vendbanime ku ushtria mbretërore serbe dështoi përballë ushtrisë mbretërore bullgare në vitin 1913. Në mbështetje me Marrëveshjen e Helsinkit të vitit 1975 për sigurinë europiane, Jugosllavia ftoi vëzhgues ushtarakë edhe nga vende të tjera të Ballkanit. Bullgaria dërgoi dy gjeneralë të lartë për të vëzhguar operacionin, ndërsa Shqipëria e refuzoi duke e cilësuar çështjen në tërësi si një provokacion.
Kosova, pika e dobët e Serbisë
Gjatë vitit 1982, Parlamenti serb, këshillat partiakë dhe shtypi po përballeshin me pasqyrimin e shqetësimit në mënyrë të vazhdueshme të emigrimit të serbëve jashtë provincës autonome të Kosovës, që prej rrafshnaltave jugore që kufizoheshin me Shqipërinë. Duke u mbështetur në informacione pas informacionesh, “vuajtjet ishin të dhimbshme gjatë lëvizjes së mijëra familjeve serbe dhe fqinjëve të tyre malorë, malazezve, që po zhvendoseshin gjithnjë e më shumë nga toka e “pushtuar” prej minoriteti shqiptar.
Serbët tregoheshin të ashpër jo vetëm me Kosovën që cilësohej si vendlindja e kombit serb qindra vjet më parë, por edhe përgjatë lumit Sava, te tokat e pasura të Vojvodinës që dukeshin të shtrira tutje, prej kontrollit të Beogradit, ku minoriteti më i madh hungarez kishte probleme me një popullsi të pakënaqur serbe që mbronte veten politikisht.
Në kafenetë e Beogradit serbët nisën të flisnin në mënyrë të hidhur për “Serbinë e izoluar”, - ajo që quhet Serbia pa Kosovën dhe Vojvodinën
Këtë tetor, në një ndeshje futbolli në Beograd, tifozat e ekipit të Prishtinës nga Kosova nisën të lëshonin thirrje: “E-Ho! E-Ho!”, për Enver Hoxhën. Policia ndërhyri dhe politikanët serbë i kërkuan përmes një shkrese zyrtare Klubit të Futbollit të Prishtinës për të kërkuar ndjesë. Rreth të njëjtës kohë, një zyrë poste ishte bombarduar dhe një linjë e prodhimit të energjisë ishte sabotuar. “Kosova është përfundimisht territor serb dhe kjo është e sigurt”, - thotë Milutin Garasanin, një arkeolog i njohur në Universitetin e Beogradit.
Pushteti nën efektin e dhunës
Reflektime të tilla u shfaqën në protestat e Universitetit të Prishtinës në vitin 1981, të cilat ishin në mbështetje të pavarësisë politike, të cilat ngritën në këmbë për të protestuar të gjithë shqiptarët në të gjithë Kosovën dhe komunitetet e vogla të shqiptarëve etnikë në Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni. Serbët etnikë ishin paralajmëruar nga fqinjët e tyre shqiptarë që të zhdukeshin dhe disa prej tyre ishin keqtrajtuar fizikisht.
Kjo histori kishte nisur shekuj më parë, si një lëvizje graduale e serbëve në drejtimin verior jashtë Kosovës dhe duke përfunduar me një eksod të tmerrshëm, ku autoritetet zhvendosën rreth 13 mijë njerëz në tre vjet. Megjithëse të dhënat e zyrtarëve flasin se ato janë rreth 70 mijë. Përpjekjet domethënëse ishin bërë nga autoritetet e Beogradit të përcillnin mbrapa frikën te shtëpitë e shtetasve të tyre, por të paktë ishin ata që dëshironin të jetonin në një vend armiqësor.
Kur unë isha atje në vitin 1982, Kosova përngjante si një territor i pushtuar, me 20 mijë ose më shumë trupa ushtarake që ishin pozicionuar atje dhe ekipe me oficerë të shërbimeve të fshehta nga Ministria Federale e Brendshme që patrullonin nëpër rrugë. Madje, shëtitorja, ku bëhej shëtitja tradicionale e mbrëmjes në rrugën kryesore të Prishtinës, dukej sikur ishte nën tension, pasi shqiptarët ecnin krah për krah në njërën anë dhe serbët në anën tjetër.
Pedagogët e shkarkuar të fakulteteve të Universitetit u akuzuan për përmbysje, ku akoma vazhdonin nëpër gjykata proceset ndaj të rinjve shqiptarë që akuzohen për kryengritje, propagandë armiqësore dhe akte dhune. Tani situata është më e qetë, pjesa më e madhe e trupave ushtarake janë larguar, por shëtitorja është akoma e ngjashme me dy anët e ndara. Policët janë akoma atje për çdo rast.
Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 25 dhjetor 1983
Titulli është redaksional
Përgatiti: Albert Gjoka
Në numrin e së enjtes do të lexoni
Demokratizimi, një zgjidhje për Serbinë e vitit 1983
Gazetari amerikan David Binder vazhdon udhëtimin në Serbi, zemra e Federatës Jugosllave
Si ishte gjendja në vitin 1983 në Beograd, disa vjet pas vdekjes së mareshallit Jozif Broz Tito
Çfarë mendonin përfaqësuesit diplomatikë të Uashingtonit dhe kërkesa për më tepër demokraci
Për më shumë, na ndiqni në numrin pasardhës
27 Shkurt 2008