Kupa, të mërkurën luhen ndeshjet e kthimit
TIRANE- Kupa e Shqipërisë do të luajë të mërkurën ndeshjet e kthimit të turit të dytë, që do të përcaktojnë 8 skuadrat çerekfinaliste të këtij kompeticioni. Dinamo kryesuese në kampionat do të ketë një ndeshje deri diku të vështirë me Bylisin, pas humbjes 1-0 të pësuar dy javë ma parë, por trajneri Shkëlqim Muça pritet t’u besojë sërish të rinjve. Blutë janë duke udhëhequr bindshëm në kampionat, që mbetet objektivi kryesor i kësaj skuadre, megjithatë në këtë ekip nuk duan të dalin që tani nga Kupa. Një tjetër ndeshje që duket tërësisht e hapur është ajo mes Teutës dhe Partizanit që do të luhet në Durrës. Takimi i parë ka përfunduar 1-1, kështu që deri diku durrsakët do ta kenë më të lehtë për të qenë mes 8 më të mirëve. Ndërkohë, Tirana do të presë Lushnjën, por duket se nuk do ta ketë të vështirë pas barazimit 2-2 dy javë më parë. Një tjetër ndeshje e hapur është ajo mes Shkumbinit dhe Kastriotit, pas barazimit 1-1 që u arrit në Krujë. Ndërkohë, Vllaznia duket e kualifikuar, duke qenë se ka fituar 3-1 në Kamëz, ndërsa Flamurtarit i duhet të përmbysë disavantazhin 1-0 të arritur në Ersekë përballë Gramozit. Me të njëjtin rezultat është mundur edhe Apolonia në Korçë me Skënderbeun, ndërsa Besa arriti të fitonte 1-0 në Laç dhe të mërkurën pritet ta ketë një formalitet kualifikimin.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)