Kupa, te merkuren zbardhen gjysmëfinalistët Dinamo-Vllaznia është edhe përplasja më e madhe në turin çerekfinal të edicionit të 57-të të Kupës së Shqipërisë, pasi me përfundimin të 90-të minutave të dyta, njëra prej dy skuadrave që renditen ak

Ecuria fantastike e Dinamos në drejtimin e Shkëlqim Muçës mund të shndërrohet e tëra në pluhur, nëse kampionët në fuqi të Shqipërisë nuk do të arrijnë të kualifikohen me Vllazninë, fituesen në fuqi të Kupës së Shqipërisë.
Dinamo-Vllaznia është edhe përplasja më e madhe në turin çerekfinal të edicionit të 57-të të Kupës së Shqipërisë, pasi me përfundimin të 90-të minutave të dyta, njëra prej dy skuadrave që renditen aktualisht në vendet 2-3 të kampionatit do t’i japë fund së paku ëndrrës për fitimin e kompeticionit të dytë më të rëndësishëm të futbollit në Shqipëri.
Dinamo luan në në shtëpi me avantazhin e fitores (1-2) të siguruar në “Loro Boriçi” dy javë më parë, ndërkohë që skuadrës shkodrane, tashmë të drejtuar nga malaziasi Dervish Haxhiosmanoviç, i duhet të fitojë në kryeqytet me të paktën dy gola diferencë për të mbyllur kualifikimin brenda kohës së rregullt, ose 2-1 për ta çuar atë në shtesa e ta zgjidhur nga pika e bardhë e penalltisë.
Besa-Shkumbini është një tjetër sfidë e nxehtë e çerekfinaleve, pasi të dy skuadrat e shohin kupën si mundësinë e vetme për të dalë në Europë. Në ndeshjen e parë në Peqin takimi u mbyll në barazim 1-1, por Nora e Dervishi të Shkumbinit u ndëshkuan me karton të kuq. Goli i Fitim Halitit në fushë kundërshtare, mund të vlejë shumë në takimin e kthimit në Kavajë.
Në grupin B, të dy takimet janë të hapura. Tirana, kryesuesja e kampionatit do të përballet me Elbasanin në “Ruzhdi Bizhuta”, në një sfidë tërësisht të hapur, pasi ndeshja e parë në kryeqytet përfundoi e bardhë pa gola. Ndeshja do të ketë një spektator “VIP”, trajnerin e Kombëtares, Ari Han, i cili do të ndjekë në aksion Vrapin, Agollin e Lilën.
Elbasani shpenzoi më shumë se 200 mijë euro në merkaton dimërore, dhe e shef Kupën si mundësinë e vetme për të justifikuar faturën e madhe financiare e shpëtuar sezonin. Trajneri Faruk Sejdini ende nuk e ka arritur fitoren e parë në pesë javë drejtim, por nuk është çudi që “xhaxhi”, i njohur për kurthet e tij ta bëjë këtë kundër Tiranës, me të cilën ka barazuar dy herë në dy përballjet e fundit.
Partizani ka përballë Flamurtarin, ndaj të cilit humbi në Vlorë me një penallti të diskutueshme. Dy skuadrat nuk kanë shumë diferenca midis tyre, të paktën nga ajo që duket në renditjen e kampionatit. Të “kuqtë”, që janë dhe rekordmenët e Shqipërisë në këtë aktivitet (15 trofe) e shohin si të mundshëm kualifikimin e kalimin në mes të katër më të mirave të vendit.
KUPA E SHQIPËRISË
Çerekfinalet,
Ndeshjet e kthimit
11.03.2009, 14:30
GRUPI A
Dinamo-Vllaznia 2-1*
Gjyqtar: Lorenc Jemini
Besa-Shkumbini 1-1
Gjyqtar: Sokol Jareci
GRUPI B
Elbasani-Tirana 0-0
Gjyqtar: Albano Janku
Partizani-Flamurtari 0-1
Gjyqtar: Bardhyl Pashaj
* Rezultatet e ndeshjeve të para
E Marte, 10 Mars 2009