Kuponi tatimor në biznesin tonë

Secilit prej nesh i ka ndodhur që kur kanë blerë një produkt,ose nuk kanë marrë kupon tatimor(gjë që ndodh mjaft shpesh), ose edhe kur e kanë marrë aty kanë të shënuar gjysmën ose më pak se gjysmën e vlerës së përgjithshme të artikujve. Po ta shohim këtë rast më me kujdes i bie që konsumatori(blerësi), ka të drejtë të paguajë sa thotë fatura pavarësisht se ai mund të ketë blerë ose shpenzuar më shumë se sa vlera e kuponit tatimor. P.sh. subjektet tatimpaguese e kanë TVSH-n 20%, ndërkohë që ato tatohen për vlerën joreale që regjistron kasa fiskale. Nëse kemi 5 kafe të porositura, ku secila kushton 60 lekë, vlera e totale e tyre shkon 300 lekë. Subjekti tatimpagues duhet të paguaj 20% të 300- lekëshit që i bie 60-të lekë. Por a ndodh kështu në baret shqiptare? Më lehtë është të thuash jo. Kur kamarieri merr porosinë për 5 vetë, të sjell në tavolinë 5 kafe dhe kuponin që ka të shënuar vetëm vlerën e dy kafeve. Vlera e tatimit (TVSH) që ky subjekt paguan është 24 lekë kundrejt 60 lekeve që parashikon ligji.
Ky nuk është marifeti i vetëm që subjektet përdorin për t’u shmangur. Ka edhe të tjera si p.sh kur subjekti nuk sjell asnjëherë kupon ose kur kuponi tatimor, që del në mënyrë elektronike, zëvendësohet nga një faturë e shkruar me dorë. Kjo bëhet me qëllim për t’i shpëtuar regjistrimit zyrtar nga Ministria e Financës. Në këto lloj situatash dëgjon justifikime të ndryshme si: “kasa nuk ka letra”, “nuk punon”, “nuk ka bojë” etj. Shpesh bizneset nuk presin kupon gjatë aktivitetit të tyre ditor por e bëjnë këtë në fund, duke prerë formalisht më pak se gjysma e tyre.
Ta shohim këtë problem nga tre këndvështrime: nga ai ligjor(se çfarë duhet të bëhet), nga praktika e përditshme (çfarë bëhet), nga këndvështrimi subjekt- konsumator-shtet.(përfitues-pësues-mos ndëshkues)
Sipas ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për Proçedurat Tatimore Në Republikën e Shqipërisë” neni 54 pika 3 thotë: të gjithë tatim paguesit e shitjeve me pakicë, që shesin mallra apo ofrojnë shërbime në mjedise apo njësi të përhershme, të hapura për publikun duhet të instalojnë pajisje fiskale dhe të lëshojnë kupon tatimorë për çdo transaksion. Kjo është ajo që duhet të bëhet.
Të gjithë e njohin dhe e kuptojnë këtë ligj, por sesa e zbatojnë atë kjo lë për të dëshiruar. Këtë e vërtetojmë me shumë praktika të jetës së përditshme. Blejmë veshje dhe a marrim ndonjëherë kupon tatimor? Të gjithë shkojmë te furra e bukës dhe ajo çka marrim është vetëm buka dhe kusuri, kuponi ku është? Po kur blini fruta-perime dhe ushqime të tjera në dyqane me pakicë, a pajiseni me kuponin tatimor? Po kur shkoni në një qendër interneti, ju qëllon të merrni ndonjëherë kupon? Po kur qëndroni një natë në hotel? Fatmirësisht përgjigjen e dimë të gjithë, por fatkeqësisht kjo është ajo që ndodh.
Të njëjtat probleme has edhe te biznesi i mesëm dhe i madh,por ja vlen të merresh me tepër me ato probleme që shumica i has në një ditë normale dhe që ka mundësi t’i shmang. Të gjitha rastet e përmendura më sipër quhen abuzime. Por këtu nuk ka vetëm një fajtor, subjekti tatimpagues ose shitësi siç e pandehim të gjithë, por ka edhe dy të tjerë, konsumatori dhe shteti.
Ti marrim me radhë:
Subjekti ka faj sepse duke mos vendosur vlerën reale e të gjithë produkteve të shitura ose duke faturuar vetëm një pjesë të tyre,tatohet nga shteti më pak se sa do të duhej. Kjo përbën kundravajtje penale dhe rrit informalitetin dhe përkeqësimin e ekonomisë së vendit.
Konsumatori është fajtor sepse, përveçse nuk kërkon kuponin, që është detyrim ligjor, por edhe kur e merr atë , e hedh, duke shkelur ligjin. Ai duhet të denoncojë rastet kur në kupon nuk shënohet vlera reale për aq produkte apo shërbime të konsumuara. Edhe për rastet kur subjekti nuk jep kupon ose faturë, edhe kur ai e kërkon, nuk duhet heshtur.
Shteti (organe të caktuara) nga ana e tij, jo vetëm që është bashkëpunues duke toleruar dhe mos penalizuar, njëkohësisht është edhe fajtor edhe viktimë. Ai është fajtor pasi nuk tregohet më i “ashpër” në masat shtrënguese që merr, por bën të kundërtën duke lëshuar pe. Nuk harton plane konkrete se si ta luftojë fenomenin. Ndërsa viktimë është sepse duke mos marrë masat e duhura, duke mos bërë shembuj ndëshkimi, nuk arrin të mbushë arkën e shtetit dhe të rrisë të ardhurat e vendit. Mungesa e ndëshkimit për shkelësit vendos rregulla jo të barabarta “loje” për biznesin. Gjithashtu, për të qenë më afër konsumatorit dhe problemit, një numër kontakti falas nuk do ishte i tepërt.
Tema të tilla janë trajtuar me mijëra herë, duke lënë jashtë detaje të jetës së përditshme. Është mirë të shuajmë pasivitetin duke i parë, pranuar, trajtuar dhe zgjidhur problemet që na shqetësojnë të gjithë. Zgjidhja nuk është e menjëhershme, por e ngadaltë dhe mund të vijë vetëm duke u ndërgjegjësuar dhe bashkëpunuar të tre palët. Kjo mund të ndodh kur disa të luajnë drejtë, të zbatojnë ligjin, kur të tjetër të denoncojnë pa frikë dhe kur më të mëdhenjtë, më me pushtet të mos i kursejnë masat shtrënguese nëse moskokëçarja vazhdon.
A është ky një problem i vogël apo i madh, këtë e gjykojnë ata që shpenzojnë shuma parash përditë. Ajo që duket është se shumicën e biznesit në vendin tonë e përbën ai i vogël dhe i mesëm nga ku duhet të nisë edhe zgjidhja. Mos vallë kjo që ndodh e thellon më tepër krizën ekonomike që ne kemi? Patjetër që po. Por më tepër sesa krizë ekonomike, kjo është një krizë menaxhimi.
/Elio Gorica/Start/
2012-01-02 14:56