E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuptoni, Kosova është e pavarur

Nga Express më 23 maj 2011 në ora 10:53

Lideri i Partisë Demokratike së Socialistëve të Malit të Zi, Milo Djukanovic ka thënë se një nga problemet e Ballkanit është Serbia dhe se ky problem mund të zgjidhet nëse Serbia e kupton se Kosova është e pavarur.

Sipas tij, Serbia duhet të fokusohet në të ardhmen e saj, e ajo është perspektiva evropiane.

Ish kryeministri malazias Milo Djukanovic, ka thënë se për zgjidhjen e problemit të Serbisë dhe Kosovës duhet shumë kohë.

Mediat serbe, citojnë Djukanovicin të ketë thënë se Beogradi duhet ta kuptojë se “është i pamundur rivizatimi i kufijve dhe se Kosova është e pavarur”.

“Serbia duhet të jetë diku, nëse jo lokomotivë, atëherë në fillim të kompozicionit. Nëse mbetet në fund, siç po ndodh tash, kjo shkakton vonesa. Është me rëndësi që Serbia t’i kthehet ardhmërisë së saj evropiane, ndërsa Kosova të fokusohet në pavarësinë e saj, në funksionimin e institucioneve, në vendosjen e sundimit të ligjit dhe në respektimin e të drejtave të pakicave”, ka thënë Djukanovic.

Ai ka thënë se Ballkani Perëndimor duhet ta shohë BE-në si një shans dhe jo si një problem.

Duke folur për Bosnjën, Djukanovic tha se pjesë të përgjegjësisë për gjendjen e tashmë bien mbi shoqërinë boshnjake, por edhe mbi bashkësinë ndërkombëtare, e cila sipas tij ka dështuar.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›