Lidhja me Egjiptin
Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj shpreson se pas revolucionit në Egjipt, pushteti i ri do të njohë pavarësinë e Kosovës.
Në një intervistë për gazetën El-Ahram, Hoxhaj ka folur edhe për marrëdhëniet historike mes popullit shqiptar dhe të Egjiptit dhe për nevojën e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve.
“Pas revolucionit, ne do të punojmë për hapjen e kanaleve të reja politike, diplomatike, kulturore dhe ekonomike me Egjiptin. Ne shpresojmë që të realizojmë marrëdhënie të plota mes Kosovës – shtetit më të ri në botë dhe Egjiptit - shtetit më të vjetër në botë”.
Hoxhaj ka thënë se populli i Kosovës është i lidhur ngushtë me historinë e popullit egjiptian.
“Themeluesi i shtetit modern të Egjiptit, Muhamed Ali Pasha Mesuud bin Aga, ka qenë me orgjinë shqiptare, i cili ka folur gjuhën të cilën e përdor shumica dërrmuese e popullit të Kosovës, kurse ka shumë kosovarë, të cilët kanë studiuar në Egjipt gjatë shekullit të kaluar”, ka theksuar Hoxhaj.
Ai ka thënë se Kosova ka pritur përkrahje më të madhe të popullit të Egjiptit për Kosovën, duke pasur parasysh lidhjet historike dhe fesë së përbashkët, mirëpo, siç ka thënë Hoxhaj, politika e Mubarakut nuk ishte e hapur ndaj Kosovës.
Në pyetjen se çfarë do të përfitonte Egjipti nëse do të pranonte shtetësinë e Kosovës, ministri Hoxhaj është përgjigjur se lidhja e marrëdhënieve diplomatike nuk është vetëm çështje e përfitimit, por çështje e drejtësisë dhe principit.
“Do të ishte e natyrshme që Egjipti të jetë ndër vendet, të cilat do ta njihnin shtetësinë, po ashtu të njihnin vuajtjet dhe dhimbjet e popullit tim. Kosova është rast sui-generis në përcaktimin e fatit të saj”, ka shtuar Hoxhaj.
Ai ka folur edhe për demonstratat e miliona egjiptianëve për liri, derisa revolucionin në këtë shtet e ka quajtur fitore të mëdha për paqen dhe demokracinë në botë.
“Kemi përcjellë revolucionin egjiptian dhe jemi gëzuar për ndaljen e gjakderdhjes.
Rruga e cila shpie në demokraci është shumë afër në vendin tuaj. Egjipti do të ketë rol të rëndësishëm në stabilitetin e botës si dhe në arritjen e paqes afatgjatë në Ballkan”.
Kryediplomati kosovar në këtë intervistë ka shpjeguar se si ndërhyrja ndërkombëtare në Kosovë i ka shërbyer parandalimit të dhunës dhe dëbimit të qindra mijëra shqiptareve të Kosovës.
“Kosova është shembulli më i mirë, simboli më i qartë dhe rasti më unik në botë. Është prova më e mirë që tregon se intervenimi i Bashkësisë Ndërkombëtare, ka parandaluar katastrofën më të madhe njerëzore, që nga Lufta e Dytë Botërore. Kosova nuk është e pasur me naftë.
Pasuria më e madhe e Kosovës është rinia e saj, e cila e përbën shumicën e popullatës. Dhe dikush dëshironte t’i vriste ata, t’i dëmtonte, prandaj ndërhyrja e NATO’s u bë e pashmangshme. Kosova është tregim i suksesit jo vetëm për Kombet e Bashkuara, por për gjithë botën. Po ashtu është tregimi më i mirë në sigurimin e paqes dhe në etablimin e një sistemit demokratik”, ka theksuar Hoxhaj.