E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuqezinjtë e Kuzhes, tenis me Qipron

Shqipëria regjistroi fitoren më të thellë në historinë e saj futbollistike. Kombëtarja “lumë golash” kundër ishullorëve. Fiton 6-1. Skela dopjetë

Rekord. Fitore historike. Ndeshje madhështore. Shqipëri magjike. Tenistike. E papërsëritshme. Ishim mësuar të fitonim thellë me Vietnamin, Maltën, San Marinon, Luksemburgun, Lihteshtejnin. Por, tani fitorja me e thellë në statistikat “kokëforta” te ndeshjeve të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare do të shkruhet ajo kundër Qipros. 6-1. Më, 12 gusht 2009. Në “Qemal Stafa”. Një ndeshje me shumë rekorde brenda saj. Asnjëherë nuk kishim shënuar gjashtë gola në një ndeshje. E para kundër Qipros në katër takime miqësore. E para e trajnerit Josip Kuzhe në tri ndeshje me Shqipërinë. E para me tre penallti të dhëna për Shqipërinë. Fitorja 6-1 i Kuzhes është një përmbysje “piramidale” e 6-1 të Rumanisë, humbja më e turpshme e Shqipërisë në 20 vitet e fundit. Kështu pra, 56-vjeçari Kuzhe me fitoren kundër Qipros ka marrë hak njëherësh edhe për Astrit Hafizin (humbi 3-2, 19 gusht 1998), më pas edhe për Medin Zhegën (barazoi 0-0, 15 gusht 2000) e së fundi edhe Hans-Peter Brigel (humbi 2-1, 19 gusht 2004). Por, tashmë kemi edhe një përmbysje golaverazhi: 9-6 për Shqipërinë në përballjet me Qipron.

PJESA E PARË
Surpriza e parë e Kuzhes ishte vendosja në portë e Samir Ujkanit, portierit që mbron ngjyrat e Novaras në Serinë C1 (Itali), dhe jo të Isli Hidit (luan me Krivbas, në Premier Ligën e ukrainase). Topin e parë e luajti Qipro, por ishte Erjon Bogdani ai që dha sinjalin e parë, kur brenda 30 sekondave të para, duke fituar edhe goditjen e parë nga këndi. Pas, disa përpjekjeve të qipriotëve, ishte sërish “Er Bomber” që goditi me kokë në të 15’, por pa mundur të shënojë. Mesfushori i Krivbasit, Ansi Agolli (12 ndeshje, 1 gol) goditi nga larg në kuadrat në të 21’, duke ngacmuar sërish portën e mbrojtur nga Sofronis Avgousti, portierit që mbron ngjyrat e Ael Limasolit në kampionatin qipriot.

Shqipëri-Qipro 1-0
Në minutën e 25-të “mbërriti” në “Qemal Stafa” (rreth 3 mijë shikues) edhe momenti i golit të parë të Shqipërisë. Sulmuesi i Kievos, Erjon Bogdani (ndeshja e 51-të e tij), bëri një veprim të jashtëzakonshëm, duke gjarpëruar mbi vijën e 16-shes midis dy mbrojtësve qipriotë, lëshoi me thembër topin në drejtim të Hamdi Salihit, ky i fundit pengohet nga Pareskevas Kristu dhe gjyqtari turk, Bylent Ildirim, nuk mund të bënte gjë tjetër vetëm të akordonte penallti. Kapiteni Ervin Skela u tregua mjeshtëror nga pika e bardhë, duke shënuar për Shqipërinë në minutën e 26-të, njëherësh edhe goli i tij i 11-të i 33-vjeçarit me Kombëtaren.

Shqipëri-Qipro 1-1
Qipriotët u zgjuan, dhe në minutën e 37-të, mesfushori i Apoel Nilosias, 27-vjeçari Konstandinos Çaralambis shënoi nga afër golin e barazimit 1-1. Goli i tij i 9-të me përfaqësuesen qipriote, në 49 ndeshje. Pas pesë minutash, në të 42’ Hamdi Salihi ishte pranë golit të dytë, kur shmangu brenda zonës ndëryhjene portierit Sofroni Agusti, por mbrojtësi Okaridis nuk i lejoi shënimin e golit të avantazhit. Gjithsesi, goli nuk vonoi.

Shqipëri-Qipro 2-1
Një minutë para përfundimit të pjesës së parë, Klodian Duro, i vetmi lojtar i Kombëtares sonë që luan në Qipro me Apollon Limasolin, gjeti një hapësirë për Hamdi Salihin, sulmuesi i Riedit “përsëriti skemën”, duke fituar penalltinë e dytë. Te pika e bardhë u shfaq “ustai” Ervin Skela, i cili shënoi golin e dytë për Shqipërinë, duke mbyllur pjesën e parë 2-1.

PJESA E DYTË

Avantazhi i krijuar e sidomos loja e qartë me pak pasime i lejoi strategut Josip Kuzhe ta orientojë skuadrën të shtyhet akoma më përpara në drejtim të mesfushës qipriote, për të qenë më shpejtë në zonën mbrojtëse të kundërshtarit. Pas harkimit të Klodian Duros, 32-vjeçarin Bogdani rrezikoi me një goditje me kokë në minutën e 52-të, por pa mposhtur dot 32-vjeçarin qipriot, Avgousti. Skuadra jonë ishte pranë golit të tretë në të 56’, Skela i dhuroi një top Bogdanit, ky i fundit u fut në zonë, por diagonalja e tij e fuqishme ishte jashtë kuadratit. Në minutën e 60-të, trajneri Kuzhe hodhi në fushë mesfushorin e Maincit në Gjermani, Jahmir Hykën në vend të mbrojtësit të Arisit, Kristi Vangjeli, duke i dhënë më shumë frymëmarrje veprimeve ofensive.

Shqipëri-Qipro 3-1
Në të 65’ erdhi radha e Erjon Bogdanit të shkruajë edhe ai emrin në miqësoren më të bujshme të Shqipërisë. Pas një kombinimi Duro-Salihi, ky i fundit goditi, portieri qipriot grushtoi dhe aty Bogdani, i ndodhur pranë portës shënoi golin e tretë të përfaqësueses sonë dhe të 11-n historik të tij, duke barazuar sulmuesin kavajas Altin Rraklli. Emiljano Vila e Gilman Lika zënë vendin e Ervin Skelës dhe Erjon Bogdanit, autorëve të golave të deriatëhershëm të Shqipërisë (3-1).

Shqipëri-Qipro 4-1
Në minutën e 68-të, Armend Dallku i rrëmbeu një top mesfushori Aleksis Garzopis, në afërsi të mbrojtjes qipriote, u fut në zonë duke fituar penalltinë e tretë në këtë takim të dhënë nga turku Ildirim, “xhaketa e zezë” që drejtoi takimin e kthimit Vllaznia-Rapidi i Vjenës (0-3) për Ligën e Europës. Në mungesë të Skelës, gjuajti Klodian Duro, por topi i goditur nga mesfushori u grushtua nga nga portieri kundërshtar, dhe në tentativën e dytë të elbasanasit, Kristostumos devijoi topin në portën e tij. 4-1.

Shqipëri-Qipro 5-1
Goleada kuqezi nuk pati të ndalur. Mesfushori i majtë, Ansi Agolli, realizoi një eurogol, kur me një diagonale nga 20 metra “firmosi” golin e pestë të Shqipërisë në të 70’, njëherësh edhe “kryevepra” e mbrëmjes më magjike të futbollit shqiptar. Goli i dytë i Agollit, duke përfshirë dhe atë shënuar në miqësoren me Gjeorgjinë (1-1), dhe të dy nga distanca.

Shqipëri-Qipro 6-1
Radha e golit nuk i mungoi as mesfushorit sulmuesi të talentuar Emiljano Vila. Durrsaku, i transferuar gjatë kësaj vere te Dinamo e Zagrebit, por i huazuar te skuadra satelite e kampionëve të Kroacisë, Lokomotiva Zagreb, realizoi në minutën e 75-të golin e gjashtë të Shqipërisë, në rezultatin tenistik të saj.

KATËR NDESHJET ME QIPRON

19 gusht 1998
Qipro-Shqipëri 3-2
Shënues: Altin Haxhi, Alban Bushi
Trajner: Astrit Hafizi

15 gusht 2000
Shqipëri-Qipro 0-0
Trajner: Medin Zhega

19 gusht 2004
Qipro-Shqipëri 2-1
Shënues: Altin Rraklli
Trajner: Hans Peter Brigel

12 gusht 2009
Shqipëri-Qipro 6-1
Shënues: Ervin Skela (2), Erjon Bogdani, Kristostomos (autogol), Ansi Agolli, Emiljano Vila

Trajner: Josip Kuzhe

Bilanci: 4 ndeshje, 1 fitore, 1 barazim, 2 humbje. Golaverazhi: 9-6

HUMBJA MË E THELLË

Humbja më e thellë e Qipros është ajo kundër Gjermanisë, 12-0, më 21 maj 1969, por pa dyshim edhe kjo ndaj Shqipërisë do të regjistrohet e do të mbahet mend si një nga më të turpshmet e futbollit qipriot.

Kuzhe parakalon 17 trajnerë të Kombëtares

Trajneri kroat Josip Kuzhe me fioren 6-1 kundër Qipros “thyen” me një ndeshje, jo pak por 17 trajnerë paraardhës të tij, që kanë drejtuar më parë Shqipërinë, duke filluar me Adem Karapicin (fitorja më e thellë e tij, 2-1. kundër Bullgarisë), Myslim Allën (3-2 me Çekosllavakinë), Ludovik Jakovën (2-1 me Bullgarinë), Loro Boriçin (3-0 me Algjerinë), Zyber Konçin, Shyqyri Rrelin, Bejkush Birçen (1-0 me Greqinë), Neptun Bajkon (3-0 me Moldavinë), Astrit Hafizin (më e thella e tij, 4-1 me Turqinë), Medin Zhegën (3-0 me Andorën e Maltën), por dhe paraardhësit e tij të huaj, Xhuzepe Dosenën (2-1 me Kosovën), Hans Peter Brigelin (5-0 me Vietnamin), Oto Bariçin (3-0 me Maltën e San Marinon), Ari Hanin (2-0 me Lihteshtejnin).

Skela, dy gola larg rekordmenit Bushi

Ervin Skela me dy penalltitë e realizuara ndaj Qipros u ngjit në kuotën e 12 golave, duke lënë pas Altin Rraklin (11) e Erjon Bogdanin (11), e duke qenë kështu golashënuesi i dytë më i mirë i Shqipërisë, vetëm 2 gola larg rekordmenit absolut kuqezi, Alban Bushi, 14 gola. Ja dhe shtatë golat në miqësore të kapitenit aktual të Shqipërisë, shirit që e ka mbajtur në tri ndeshjet e fundit. Skela e ka shënuar golin e tij të parë në një ndeshje miqësore, në fitoren 2-0 kundër Turqisë në Gaziantep (25.04.2001). Të dytin e ka shënuar kundër Maqedonisë, në humbjen 3-1 në Prilep (20.05.2003), të tretin në fitoren 2-1 kundër Suedisë në Tiranë, më 18.02.2004. Goli i katërt i tij në një ndeshje miqësore është ai kundër San Marinos (3-0). Të pestin e ka shënuar në miqësoren kundër Azerbajxhanit (1-1) në Baku (19.11.2008) dhe të gjashtin e të shtatin në miqësoren kundër Qipros (2-1, 12.08.2009). Skela, me 7 gola në miqësore mban edhe një rekord tjetër të golave në miqësore, pasi la pas vetes edhe mbrojtësin Adrian Aliaj, i cili ka shënuar 6 të tillë, respektivisht 2 kundër Portugalisë (humbëm jashtë 5-3), 1 kundër Estonisë (fituam 2-0), 1 kundër Suedisë (fituam në Tiranë 2-1), 1 kundër Islandës (fituam në Tirana 2-1) dhe 1 kundër Estonisë (barazuam jashtë 1-1).

“Er Bomber” mbush 11

Erjon Bogdani me golin kundër Qipros, u ngjit në kuotë e 11 golave, duke barazuar sulmuesin kavajas Altin Rraklli. Bogu e çoi në katër numrin e golave në ndeshje miqësore. Sulmuesi aktual i Kievos e ka shënuar golin e tij të parë në një ndeshje miqësore, në fitoren 2-0 kundër Maqedonisë në Tiranë, më 10 shkurt 1999. Bogdani ka shënuar edhe dy gola në miqësoren e fituar 3-0 kundër Maltës (15.11.2000, në Tiranë). I katërti është ky kundër Qipros.

13 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›