E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeverisja e robotëve

Tregim humoristik

Ymer Minxhozi

Në imagjinatën time po kristalizohet gjithnjë e më qartë ideja se formimi i qeverive të reja apo zgjidhja e krizave qeveritare – një problem i përhershëm dhe i ndërlikuar gjatë gjithë shekullit të shkuar – aty nga fundi i shekullit XXI do të mund të mekanizohet për mrekulli, si edhe shumë probleme të tjera të jetës së përditshme. Unë kam bindjen se pasardhësit tanë do ta zgjidhin këtë detyrë në mënyrë të përsosur, me ndihmën e robotëve. Përderisa robotët kanë arritur që tani të krasisin edhe degët e thata të pemëve, përse të mos jenë në gjendje të formojnë edhe qeveri të reja, sipas dëshirës sonë?
Nisur nga kjo bindje unë marr guximin të parashikoj se në vitin 2081, kur mbi vendin tonë do të bëhet edhe Eklipsi i radhës i Diellit, ndërrimi i qeverive do të bëhet me mënyrat e mëposhtme:
Trusti Kombëtar, që merret me heqjen dhe vënien e qeverive, dërgon përfaqësuesin e vet te Shoqëria Shumëkombëshe e Prodhimit të Robotëve (SHSHPR) me qendër në Strasburg, në Bruksel apo në ndonjë vend tjetër të globit dhe i kërkon aq kryeministra dhe ministra, sa i duhen për të formuar një qeveri. Në Supermarketin Universal ku tregtohen kryeministrat dhe ministrat – Robotë, zhvillohet kjo bisedë:
- Sa kryeministra ju duhen?
- Tani për tani vetëm një.
- Pse vetëm një?
- Sepse tani për tani vetëm një qeveri do të formojmë.
- Ne ju këshillojmë të punoni me perspektivë. Po ti merrni me shumicë ua japim me çmime më të ulëta. Merrni një dyzinë kryeministrash dhe dhjetë dyzina ministrash. Me siguri do t’iu duhen. Asnjë vend s’mund të jetojë për një kohë të gjatë vetëm me një qeveri. Ne i prodhojmë kryeministrat bashkë me programet përkatëse qeveritare. Mos humbisni rastin. Robotët tanë janë të prodhimit më të fundit dhe çmimet i kemi konkurruese.
- Po të marrim shumë kryeministra, ne s’kemi ku t’i strehojmë. Secili kërkon një vilë më vete, vetura, bodigardë...
- Jo, jo, kryeministrat e prodhuar nga ne nuk kërkojnë as vila, as makina luksoze, as bodigardë. Mjafton një qoshe pa lagështirë, pranë sallës së Parlamentit dhe pastaj i hiqni apo i vini sa herë t’iu paraqitet nevoja. Veç kësaj ata hanë me karar, madje me një dietë modeste të përcaktuar me rreptësi shkencore. Kështu ju s’do të keni probleme as me Opozitën dhe askush s’do të mund t’iu thotë “hani derra, pini derra”, sepse ata s’do të kenë asnjë lidhje me derrat apo me dosat.
- Po ne duam qeveri koalicioni, jo qeveri njëngjyrëshe, si robotët tuaj.
- Këtë ne e kemi gjithmonë parasysh. Krijesat tona shquhen jo vetëm për disiplinë të lartë, por edhe për ndjeshmëri ndaj ngjyrave. Ata janë krejtësisht pluraliste. Secilit mund t’i japësh ngjyrën e partisë ku bën pjesë. E dëshironi qeverinë me ngjyrë rozë, me ngjyrë blu apo të murrme, të verdhë apo krejt të zezë, jeshile, gri apo bionde? Sipas dëshirës dhe gjithçka bëhet me komandë elektronike. Në qoftë se dëshironi të krijoni një qeveri të qendrës së djathtë, mjafton të shtohet pakëz ngjyra e zezë (natyrisht me përmasa të arsyeshme). Nëse dëshironi qeveri të qendrës së majtë, me një anim fare të vogël nga e djathta, atëherë është e qartë se do të duhet të shtohet ngjyra e verdhë. Me pak fjalë, sipas leverdisë. Dëshironi të keni një parlament me fraksione? Punë e kryer. Iu kalojmë një ngjyrë jeshile dy-tre deputetëve apo ministrave si dhe një ngjyrë gri dy-tre të tjerëve dhe fraksionet janë gati. Ju vetëm do të na tregoni ngjyrën e fraksionit që iu duhet. Me siguri, në parlamentin tuaj ju dëshironi të keni edhe deputetë të pavarur apo fare pak të varur. Edhe këtë kërkesë ne jemi në gjendje ta plotësojmë, sipas dëshirës suaj. Mjafton tu japim robotëve ngjyrën e zebrës dhe asnjeri s’do të jetë në gjendje të dallojë se nga anon deputeti i pavarur, sepse askush nuk mund të përcaktojë se cila ngjyrë dominon te zebra: E bardha apo e zeza?
- Të njëjtin çmim kanë të gjitha ngjyrat?
- Po, të njëjtin. Përjashtim bën vetëm kryeministri apo ministrat që janë me mjekër. Roboti me mjekër kushton pesë përqind më shumë nga roboti pa mjekër. Këtu merren parasysh shpenzimet për mirëmbajtjen e mjekrës, sepse mund të ketë prej atyre që mjekrën e duan me brazda. Megjithatë, po t’i merrni me shumicë, edhe për Robotët me Mjekra mund të bëjmë pazar.
- Ne na duhet qeveri pa korrupsion, me funksionarë të papërlyer, me duar të pastra, si i thonë. Nuk i durojmë dot gazetat.
- Kjo çështje është e zgjidhur një herë e mirë nga trusti ynë. Ne prodhojmë të gjitha llojet e funksionarëve: me ryshfet, pa ryshfet, me transparencë ose me errësim, sipas nevojës. Ne i shesim ata bashkë me telekomandën në distancë. Ne prodhojmë drejtorë doganash e shefa policie me zemër krejt transparente, si letra kalk. Nëpunës e policë që s’dinë se ç’është kontrabanda. Kemi gjykatës e avokatë që s’marrin erë fare nga bie ryshfeti e që kurrë s’kanë prekur pare me dorë. Qeveri krejt transparente, si rrezja e diellit.
- Kjo do të thotë se s’do të kemi as ndërtime pa leje?
- Në asnjë mënyrë. Kryetari i Bashkisë apo shefi i Urbanistikës, i prodhuar në trustin tonë, s’di të shitet as të blihet, ai di vetëm ligjin, ai nuk e njeh zarfin nën dorë e mbi dorë, zemra dhe mendja e tij s’njohin as kioska as troje. Zemra dhe mendja e tyre është e mbjellë me gjelbërim-lulishte, parqe për fëmijë, stola për të moshuarit, pastërti rrugësh e oborresh. Zemra e funksionarit të prodhuar në trustin tonë është e pastër si rëra e kristaltë e plazheve buzë Adriatikut; ajo s’ka as gropa; as puseta të hapura apo tubacione të çara.
- Do me thënë, firma juaj do të na shpëtojë një herë e mirë nga të gjitha fatkeqësitë që na kanë pllakosur?
- Pa asnjë dyshim. Robotë, zotërinj, blini Robotë me duar e zemër të pastër, se vetëm ata janë shpëtimi juaj!.
- Po sikur një ditë prej ditësh edhe zemra e robotëve tuaj, ashtu si shumë zemra të tjera, të fillojë të errësohet?
- Edhe kjo është e zgjidhur. Robotët tanë nuk janë si ata kryetarët e partisë që ngulen e s’shkulen më. Ne, sapo fillojnë të errësohen, i zëvendësojmë me robotë të tjerë. Sipas disa shpikjeve më të fundit të projektuesve tanë, së shpejti do të futim në prodhim robotë-qeverisës pa zemër, bile edhe pa duar. Në vend të zemrës ata do të kenë një kuti të mbyllur hermetikisht, kështu që s’ka asnjë mundësi që zemra e tyre të preket nga ryshfeti. Robotë të tillë do të punojnë, sidomos, në dhënien e drejtësisë.
- Ne na duhet edhe opozitë dhe...
- Vetëkuptohet, s’ka nevojë për shpjegime... OSBE e ku ta di unë. Shkenca e robotëve i parashikon të gjitha. Si është e mundur të prodhohen vetëm parti qeveritare? Opozitën ne e vëmë në krye të punës sonë.
- Po votimet?
- Sigurisht, kjo është kryesorja. Ku ka demokraci pa votime?
- Ne e kemi keq me numërimin.
- Çështje e zgjidhur. Ne kemi robotë numërues, me garanci 200%. Ja, ky roboti këtu, është prodhim i fundit dhe kryen disa operacione njëherësh – edhe numërimin, edhe seleksionimin, edhe ngjyrimin e votave, sipas detyrës së dhënë nga telekomanda. Nga rozë i kthen në blu, në jeshile, ose anasjelltas. Natyrisht ka kosto më të lartë sepse është prodhim i ri, por leverdinë e ka brenda. Ju, sigurisht keni nevojë edhe për polici, apo jo?
- Policinë e kemi të përgatitur vetëm për ndeshjet me qeniet e gjalla, ndërsa me krijesa metalike...
- Atëherë merrni një çelës trefazor. Ndërsa rrini në verandën e vilës personale, në një vend klimaterik diku në një vend fqinj, kryeministrat, bashkë me ministrat e tyre dhe opozitarët do t’u binden me përpikmëri lëvizjeve të gishtërinjve tuaj.
- Shpesh herë lind nevoja për të krijuar parti të reja apo shoqata jo qeveritare e grupime sindikaliste. Mund të na ndihmoni në këtë drejtim?
- O, ne kemi firma të posaçme që merren me plotësimin e kërkesave të kësaj natyre. E pse të rrekesh për të mbledhur nënshkrime për peticione e referendume kur mund të marrësh me qira të përkohshme një mijë robotë, tamam sa të duhen për të krijuar partinë e re politike apo disa sindikata? Ndonjëherë, të duhen vetëm dy apo tre vota për të fituar postin e Presidentit të Republikës. Pritni një faturë në sportelet tona dhe postin e keni në xhep... Madje ne prodhojmë edhe fushata elektorale plotësisht të mekanizuara. Programet elektorale të partive të ndryshme ne i kemi të gatshme, të regjistruara e të kompjuterizuara, me zë e me figurë. Ne kemi programe standard ose të ngjyrosura, sipas ngjyrave të partisë. Kandidati për deputet ose president s’ka nevojë të shkojë në takime me zgjedhësit, ai do të dërgojë atje programin e tij të regjistruar nga ne, ndërsa vetë mund të shkojë me pushime ose të merret me biznes. Edhe në Parlament mund të mos shkohet. Edhe atje mund të dërgohet njeriu yt i besueshëm, si për shembull vjehrri ose baxhanaku... robot, sigurisht.
Kur ia tregova një mikut tim këto projekte të së ardhmes, më tha:
- Domethënë, ti parashikon se në vitin 2081 nuk do të ketë nevojë për politikanë – qenie të gjalla?
- Po, unë jam i bindur për këtë.
- As anti-mitingje e konferenca shtypi nuk do të ketë?
- Edhe ato do të zëvendësohen me Robotë.
- Domethënë, ti beson seriozisht se në vitin 2081...
- Pa asnjë dyshim. Atë vit unë do të festoj edhe 151 vjetorin e ditëlindjes sime. Shqipëria do të jetë e mbuluar e gjitha me panele diellore, drita elektrike do të llamburijnë në të katër anët dhe TEC-et e hidrocentralet do të jenë harruar përgjithmonë.
- Po ti thua se dielli do të zihet!
- Sapo të zihet dielli (se, mund të qëllojë të ketë edhe natë) do të hyjnë në punë mullinjtë e erës. Në të gjitha qafat e maleve do të ketë mullinj me vela dhe helika gjigante që vihen në lëvizje nga era. Sapo të lëvizin fletët, vihen në lëvizje edhe gjeneratorët.
- Domethënë ditën do të përdorim diellin dhe natën erën. Po qeveria, me se do të punojë: me diell apo me erë?
- Unë ta shpjegova: qeveria dhe parlamentarët do të përbëhen nga robotë dhe në kokën e secilit robot-qeverisës do të vendosen nga dy bateri të karikuara me erë. Dhe çdo gjë ecën për mrekulli.
Miku im m’i nguli sytë dhe pastaj më tha:
- Ah, sikur të vdisja tashti dhe të ringjallesha n’atë vitin tënd të mrekullive, 2081!
Kolumbia apo edhe diku më afër?
Fshatari Perez de Santos mori kalin dhe shkoi në pyll për dru. Ndërsa po kthehej, i dolën përpara dy njerëz me maska, i vunë revolen në grykë dhe i morën kalin.
Ashtu i pezmatuar për humbjen e kafshës, fshatari Perez shkoi në qendrën e komunës për t’u ankuar.
- Ku është gjykata këtu? – pyeti ai njeriun e parë që takoi.
- Ja, ajo ndërtesa në të djathtë, - iu përgjigj i panjohuri.
Perezi shkon atje dhe kërkon të takojë gjykatësin.
- Gjykatësin e kanë vrarë ka tri ditë dhe akoma nuk e kanë zëvendësuar, - i tha portieri që rrinte te dera e gjykatës.
- Po kryetari i Bashkisë, ku e ka zyrën?
- Ai ka një javë që është zhdukur bashkë me gruan e komandantit të xhandarmërisë.
- Atëherë më ndihmoni të takoj shefin e policisë, - u lut Perezi.
- Kam marrë vesh se shefin e policisë e kanë arrestuar dje.
- Pse kështu?
- Thonë se paska vrarë gjykatësin. Qenkëshin grindur ndërsa po ndanin ryshfetin që kishin marrë nga një shoqëri e huaj, që merret me shitblerjen e minierave.
- Ka ndonjë qe e zëvendëson shefin e policisë?
- Aha, edhe atë...
- Çfarë, e kanë vrarë ?
- Jo, akoma s’ka vdekur. Mbrëmë bëri duel me pronarin e klubeve të natës, senjor Pedro Miguel Sanço de Eskavedon për punën e një femre që quhet Maria Santo de Pedros.
- Kaq e bukur qenka?
- E bukur është, djalli. Tri a katër çifte burrash kanë bërë duel për të, deri tani dhe ...
- Keq e paska.
- Kush, Maria?
- Jo, kali im. Ma kanë grabitur sot kur po vija nga pylli dhe s’gjej dot njeri që të më ndihmojë.
- Ama për punë kali ke ardhur? Me këto punë merret kapiteni i rojave të Financës. Shko njëherë edhe atje, ndoshta të ndihmon.
- E ku ta gjej unë kapitenin e rojeve të financës? Kushedi ç’mund t’i ndodhë atij derisa ta gjej unë.
- Ec drejt kësaj rruge në të dalë të qytetit, në krah të majtë është një vilë dykatëshe bojë qielli, ka një kopsht përpara. Ka numrin 37. Atje banon kapiteni.
Fshatari Perez shkoi në adresën e caktuar dhe trokiti në portën e jashtme. Një bodigard pa grada i hapi portën dhe Perezi pa kalin e vet të lidhur në një qoshe të oborrit!
Kuzhina e Djallit
Porta qe si një gojë e hapur që të çonte në një hon të zi. Në prag m’u ngatërruan këmbët në një kufomë që shtrihej sa gjatë-gjerë. Një krismë revolveri erdhi si nga fundi i varrit. Në çast çdo gjë u shua dhe vetëm më vonë e pashë veten në dhomën e Djallit.
Kur hapa sytë, Djalli po vërtitej e kërcente sa në një tavolinë në tjetrën dhe qe veshur me petkun e tij tradicional: një skelet i mbështjellë me lëkurë zvarraniku. Tavolina e tij e shkrimit qe mbushur me vegla pak si të jashtëzakonshme për një tavolinë shkrimtari – thika, revolverë, shigjeta të helmatisura, kuti narkotikësh të madhësive të ndryshme.
- Më thanë se dëshironi një intervistë prej meje? – m’u drejtua Djalli, duke gërryer dhëmbët me një thikë të gjatë si bajonetë.
- Po, - u përgjigja
- Pyesni, - tha ai me një ton të dyshimtë.
- Çfarë ju tërheq më tepër në punën tuaj të përditshme? – pyeta unë.
- Unë jam një romantik i pandreqshëm, - tha Djalli, ndërsa skeleti i tij rrakëllinte nga përkuljet sa më një anë në tjetrën.
– Më pëlqen t’i bëj njerëzit copa-copa me thikë ose t’i djeg për së gjalli. Natyrisht, në një mënyrë sa më estetike dhe origjinale.
- Dhe këtë punë e bëni shpesh?
- Unë merrem vetëm me këtë punë. Çdo ditë dhe gjithnjë në një formë të re. Duhet fantazi krijuese. Sidomos kur gjërat janë të lidhura me seksin. E shikon këtë fotografi?
Ai më tregoi një skelet.
- Kjo ka qenë dashnorja ime, - vazhdoi Djalli. – Bjonde. Të gjitha revistat e kanë botuar për reklamën e benzinës. Një ditë i bëra një banjo me acid sulfurik... Tani kam një bjondinë tjetër. Për atë kam menduar diçka më interesante, po për këtë do të flas më vonë.
- Thuhet se ju jeni milioner?
- Vetëkuptohet. Veprat e mia reklamohen si ushqim i përditshëm. Unë kam shumë makina në dispozicion dhe nuk rri mbyllur në katër muret. Kur dal në rrugë, u hedh njerëzve jo vetëm pluhur, por edhe gazra të vluar. Veç t’i shohësh: kalimtarët avullohen sikur të mos kishin ekzistuar kurrë. Kjo është një nga metodat e fundit shkencore.
- Gjithmonë shkruani me emrin tuaj? – vazhdova unë.
Ai kërceu edhe një herë nga një tavolinë në tjetrën dhe unë dëgjova përsëri rrakëllimën e skeletit të tij.
- Jo gjithmonë. Tani janë në modë titujt e vjetër: lordët, kontët, padishahët, shenjtorët. Tamam si puna e favoriteve dhe ikonave. Ju e dini se disa firma shumë moderne duan të kenë një etiketë lashtësie për të fituar besimin e klientëve. Modernes i shkon më shumë lashtësia. Çështje kontrasti.
- Cila është dëshira juaj më e zjarrtë?
- Dëshira ime është që të gjithë njerëzit të kthehen në shpella. A ka gjë më romantike?
- Çfarë vepre jeni duke shkruar tani? – e pyeta.
- Tani kam në dorë një bestseller me titullin “Rekordi i mbytjes me tel”
Unë hapa sytë dhe ai, për t’iu përgjigjur habisë sime, i ra gongut me dorën e tij prej kocke të zhveshur dhe në dhomë hyri një vajzë e bukur.
- E shikoni? Kjo është dashnorja ime e fundit për të cilën ju fola më parë (Ai lëvizi përsëri dorën prej kocke të zhveshur dhe sakaq vajza u zhduk). Nesër unë do të thyej një rekord, dhe ajo do të jetë personazhi kryesor i romanit tim të ri: lexuesi do të shohë se si mbytja e një vajze me anën e një teli të zakonshëm telefoni do të vazhdojë tri orë e pesë minuta, në mos më shumë. Wshtë një gjë me të vërtetë fantastike. Në bestsellerin tim të mëparshëm një mbytje e tillë ka vazhduar vetëm tre orë.
Unë ndjeja se gjaku po më hipte në kokë dhe zemra po më dridhej.
- Mos u shqetësoni, - m’u afrua Djalli duke folur me gjysmë zëri. - Kjo është plotësisht e mundur. Gjithë sekreti i suksesit qëndron në faktin se…. ah, më falni, ky është sekret krijues, të cilin do ta mësoni vetëm pasi të jetë shfaqur filmi në ekranet televizive. Dhe ky do të jetë vetëm rekordi i mbytjes së femrës. Për burrat dhe fëmijët ka afate të tjera.

13 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›