E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konfliktet dhe Konventat e Gjenevës



Imogen Faulkes

Data 12 gushti shënon edhe 60 vjetorin e Konventave të Gjenevës, që janë të hartuara për të vendosur rregulla në kohë lufte në mënyrë të veçantë për mbrojtjen e civilëve. Por sa mirë funksionojnë këto konventa në konfliktet moderne? Për këtë BBC udhëtoi me Kryqin e Kuq Ndërkombëtar në Gjeorgji dhe Osetinë Jugore.

Tokë e braktisur
Dy makina Land Rover të Kryqit të Kuq zbresin nëpër korsitë e vijëzuara të kufirit tashmë të mbyllur me Osetinë Jugore. Kjo është një tokë pjellore bujqësore. Pemë me pjeshkë dhe mollë janë në anë të rrugës. Por sot këto fruta janë lënë të kalben në tokë. Shtëpitë e fshatit janë të djegura dhe të braktisura. Kjo është trashëgimia e konfliktit të vitit të kaluar. Punonjësit e Kryqit të Kuq rrethohen sa herë që hyjnë në qytet, njerëzit janë të dëshpëruar që dikush t'u kushtojë vëmendje kërkesave që kanë. Në mesin e tyre është Natia, një grua me dy fëmijë të vegjël dhe një shtëpi që sot është e rrënuar.
"Ka qenë ora 3 e pasdites kur dëgjova njerëz të vraponin nëpër fshat që thërrisnin se duhet të largoheshin, përndryshe do të ndëshkoheshim." "Unë u fsheha në fushë dhe prej andej pashë shtëpinë time të digjej. Gjithçka u shkatërrua fund e krye, ata madje dogjën edhe pemët e mollës dhe të arrës," - tregon Natia.
Dëmtim pa diskriminim dhe ndaj pronës së civilëve dhe kjo është kundër Konventave të Gjenevës. Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, si gardian i Konventave supozohet ta parandalojë këtë gjë, apo të paktën ta reduktojë. Delegatja e këtij Komitetit të Kryqit të Kuq, Florence Gillette e pranon. "Mund të them se Konventat e Gjenevës nuk i kanë ndihmuar. Këto konventa thonë se duhen marrë masa paraprake për të mbrojtur jetën dhe pronën e civilëve dhe jo vetëm këtë, por të gjithë infrastrukturën që është esenciale për mbijetesën."
"Rusët dhe gjeorgjianët i kanë nënshkruar dhe ratifikuar ato para shumë kohe," shton Florence Gillete. Nëse Konventat e Gjenevës nuk i mbrojnë civilët në këtë konflikt modern mes dy palëve nënshkrueses, atëherë konventat nuk janë aq të forta sa duhet.
Philippe Spoerri, kreu i ligjit ndërkombëtar në Kryqin e Kuq, thotë se mangësitë nuk gjendet tek rregullat por mënyra se si ato zbatohen.
"Ne duhet të gjejmë mënyra se si t'i imponojmë këto rregulla në një mënyrë për të besueshme dhe të bindin ata që i shkelin ato që të mos e bëjnë më këtë."
"Për sa i takon ligjit ne si Kryq i Kuq nuk mund t'i forcojmë ato, Kombet e Bashkuara mund ta bëjnë nëse duan, por natyrisht që në shumë raste, që nuk ka vullnet për forcimin e tyre", thotë zoti Spoerri.

Njerëz të izoluar
Mungesa e vullnetit ka bërë që shtëpitë të shkatërrohen në mënyrë sistematike, kurse rajoni i tërë të jetë i ndarë. Për të shkuar në Osetinë Jugore nga Gjeorgjia kalon një udhëtim maratonë. Një fluturim nga Moska, një tjetër fluturim pastaj në jug të Rusisë dhe pastaj 6 orë udhëtim me makinë nëpër Kaukazin malor. Joyce Hood një infermiere e Kryqit të Kuq tregon se ndalesa e radhës është Saskeneti, një fshat i vogël që është djegur gati tërësisht dhe ku jetojnë vetëm 5 individë që të gjithë në të shtatëdhjetat apo tetëdhjetat.
Në mesin e tyre është Valodya. Ai ka lindur në këtë fshat dhe thotë se nuk e kupton, përse jeta e tij ka marrë fund në këtë lloj mënyre. "Ky ka qenë një fshat i mrekullueshëm, të gjithë shkonin mirë me njëri-tjetrin. Nuk e kuptoj këtë luftë, përse nuk negociojnë, por luftojmë?"
"Në Gjeorgji kam fëmijë, nipër e mbesa, por nuk mund të shkoj. Është shumë e vështirë të jetosh këtu, por nuk mund ta lë shtëpinë që e kam ndërtuar vetë", thotë Valodya. Vizitat një herë në javë të infermieres Joyce janë i vetmi kontakt me botën jashtë për plakun Valodya dhe gruan e tij Natella.
Kur infermierja i ofron telefonin celular për të folur me të bijën që ndodhet vetëm pak kilometra larg, Natella nuk e përmban dot veten. Edhe Joyce preket dhe ajo ka mbi 10 vjet eksperiencë në zonat e konfliktit. Ajo e pranon se pasojat e luftës në këto kohë e bëjnë atë të bjerë në dëshpërim.
"Këto janë konflikte të vogla për pjesën tjetër të botës, por për këta njerëz janë të jashtëzakonshme. E gjithë jeta e tyre është shkatërruar." "Këta njerëz nuk po bënin asgjë, nuk po lëndonin askënd, shijonin një jetë pastorale dhe tani jeta e tyre është kthyer përmbys pa asnjë shkak", thotë Joyce. Joyce lë çiftin e pleqve të vetëm në fshatin e tyre të braktisur.
Në përvjetorin e 60-të, Konventat e Gjenevës mund të jenë të mirënjohura, por ato nuk janë të respektuara. Në selinë e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar po punohet për t'i bërë këto konventa më relevante për luftërat moderne dhe për të inkurajuar ushtritë t'i respektojnë ato më shumë. Ndërkaq roli kryesor i gardianit të Konventave është duke mbledhur copëzat e jetëve të shkatërruara nga konflikti.
------------------------
Autorja është korrespondente e BBC-së në Gjenevë

13 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›