E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuqo: “Formula e suksesit është loja me zemër”

Shqiptari Ermal Kurtoglu (Kuqo), shënoi 21 nga 24 pikët e tij në gjysmën e dytë dhe në kohën shtesë, duke e udhëhequr përfaqësuesen e vendit të tij adoptuar, Turqinë, drejt një fitoreje 95-84 kundër Lituanisë, cka bëri që turqit të mos renditen më poshtë se 6-shja e parë në Botërorin e Basketbollit "Japoni 2006". Por vendi i gjashtë nuk është ai që Kuqo dhe shokët e tij të skuadrës kanë në mendje, ndërkohë që kanë mësuar po dje se cila do të jetë kundërshtarja e radhës në duelin për vendin e pestë dhe të gjashtë, pasi Franca dhuroi surprizën, duke mundur Gjermaninë 75-73 në ndeshjen tjetër të ditës.
Pavarsisht nga kundërshtari, skuadra turke, e drejtuar nga Bogdan Tanjevic do të synojë vendin e pestë, cka do të ishte një kurorëzim i suksesshëm i ecurisë së Turqisë në këtë veprimtari botërore të basketbollit, pasi ka përmbysur të gjitha gjasat, ka kapërcyer dëmtime të shumta dhe, mbi të gjitha, ka pësuar një transformim rrënjësor që nga ajo fiasko e Kampionatit Evropian për të ardhur deri këtu. Pavarsisht nga fakti se Kuqo është një nga 12 lojtarët e përfaqësueses turke, ai ka qenë në fokusin e shtypit ndërkombëtar dhe më poshtë vijon biseda e me korrespondentin e FIBA-s, Simon Uillkinson, pas fitores mbresëlënëse në kohë shtesë kundër Lituanisë.

- Keni kapërcyer një disavantazh prej plot 10 pikësh kur kishin mbetur edhe 2 minuta e 30 sekonda lojë, duke e barazuar rezultatin dhe duke fituar, madje bindshëm. Si ndjehemi pas kësaj përmbysjeje dhe fitores?
- Ishte një fitore e madhe, por unë nuk mendoj se ne e vodhëm fitoren. Kjo ishte një fitore e merituar, sepse ne kemi luajtur fort që nga fillimi i përgatitjeve, në fillim të korrikut dhe, faktikisht, kemi rreth 50 ditë që luajmë jashtë fushës sonë. Por ia ka vlejtur barra qiranë. Po, po, të vish këtu dhe të jesh në gjendje të luash për vendin e pestë në botë, me të vërtetë bën që t'ia vlejë barra qiranë.
- Nuk ka dyshim që renditja midis 6 më të mirave të botës është padyshim një rezultat i madh për Turqinë, apo jo …?
- Ky është një rezultat i madh për basketbollin turk dhe është dicka mjaft pozitive për të ardhmen e këtij sporti në këtë vend, vecanërisht po të kesh parasysh se do të jetë vendi që do të organizojë Botërorin e ardhshëm të Basketbollit më 2010-n. Lojtarët tanë të rinj po fitojnë mjaft përvojë këtu dhe kjo nënkupton se ata po fitojnë edhe siguri në vetvete. Kjo është vendimtare për zhvillimin e skuadrës, sepse, kur të luajmë Botërorin e ardhshëm në shtëpinë tonë, do të jemi një skuadër edhe më e mirë dhe do të synojmë realisht për një medalje.
- A mund të na flisni për mënyrën sesi ju dhe Ender Arslani luajtët në gjysmën e dytë të ndeshjes, duke e udhëhequr Turqinë drejt kapërcimit të një disavantazhi me dy shifra, duke e barazuar rezultatin e duke e cuar atë në kohë shtesë, si dhe duke e fituar atë me 11 pikë epërsi?
- Mbase sot ishte dita jonë me fat, por unë mendoj se ajo që na ka sjellë neve deri këtu, nuk ishte loja individuale. Kjo skuadër ka shumë lojtarë që mund të shënojnë 20 a më tepër pikë në një ndeshje të cakuar. Por, gjëja më e rëndësishme është që të mos kesh vetëm një apo dy skuadra që e bëjnë këtë në cdo ndeshje, pasi, përndryshe, do të kishim një skuadër me një superyll. Në skuadrën tonë, gjithkush është një yll, sepse ne luajtëm të gjithë me zemër dhe nuk ka rëndësi se kush është ai që shënon. Ajo që ka më rëndësi në përfundim të ndeshjes është rezultati. Askush nuk do të thotë që unë munda Lituaninë, por që Turqia mundi Lituaninë. Kështu që, ajo që ka rëndësi, nuk është emri në pjesën e pasme të fanellës, por flamuri përpara saj dhe kjo është arsyeja që luan në një skuadër përfaqësuese. Serkan Erdogan na udhëhoqi gjatë shumicës së kësaj veprimtarie, Ersan Iljasova dhuroi disa ndeshje të bukura, por, nuk para ka rëndësi se kush fiton, për sa kohë që ne të fitojmë.
- A është kjo fitore edhe më e vecantë për shkak të gjithë atyre dëmtimeve që keni pasur në skuadër? Disa nga lojtarët kanë luajtur duke qenë të dëmtuar, ndërsa të tjerët s'kanë arritur të luajnë dot, apo jo…?
- Eh, nuk do ta besoni, por dhomat tona të zhveshjes ngjajnë me një fushë beteje. Të gjithë kanë pësuar dëmtime dhe ka lojtarë që kanë luajtur të dëmtuar, cka tregon një shpirt me të vërtetë të paepur. Kapiteni ynë, për shembull, Ibrahim Kutlluaji, nuk luajti dot sot (dje), sepse kavilja e tij ishte shumë e ënjtur dhe, ndonëse ai nuk luajti, na ndihmoi mjaft nga stoli, duke na dhënë zemër dhe duke na këshilluar.
- Kjo nuk është hera e parë në këtë veprimtari që Turqia ka përmbysur rezultatin, pasi e bëtë këtë më së fundi në ndeshjen e 1/8-ave kundër Sllovenisë. A nuk tregon kjo sesa të fortë jeni kur ndesheni me vështirësi dhe se jeni të aftë për të kryer përmbysje të mëdha?
- Nuk do të thoja që tregon se jemi të mirë për të kryer përmbysje të mëdha, por që luajmë me zemër dhe se nuk jepemi lehtësisht. Nëse luan me zemër, fort dhe nuk pranon kurrsesi të humbasësh, ky është rezultati që merr. Dhe kjo është pjesë e të qenit një skuadër e mirë.
- Dihet tashmë që skuadra përfaqësuese e Turqisë në basketboll ka bërë shumë rrugë nga Evropiani i Basketbollit vitin e shkuar. Për ata që nuk e njohin skuadrën, c'mund të na thoni ju për të?
- Ju mund ta shikoni potencialin e vërtetë të basketbollit turk vetëm duke hedhur një sy në gjirin e kësaj skuadre. Është e vërtetë që disa nga lojtarët më të mirë, në mos më të mirët, mungojnë në këtë përfaqësuese, të tillë si Mehmet Okur, Hidajet Turkoglu dhe Mirsad Turkan, të cilët janë simbole kombëtare të këtij vendi. Por, ne kemi gjithashtu një brez të ri basketbollistësh, të lindur midis 1986-s dhe 1987-s, të tillë si Iljasova apo të tjerët dhe kjo tregon se basketbolli turk është i mbushur me talente.
- Renditja në vendin e gjashtë do të ishte padyshim një arritje, por, duket se ju po synoni për më tepër, apo jo…?
- Jo, absolutisht jo! Ne e duam atë vend të pestë dhe ky është synimi ynë. Edhe nëse humbasim, ky do të niveli më i lartë i arritur ndonjëherë nga përfaqësuesha e Turqisë në një kampionat botëror. Gjithsesi, ne duam ta fitojmë patjetër atë ndeshje.
Përshtati: Altin B. Kodra

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›