E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuqo: “Spanjën e kisha ëndërr që 14 vjeç”

Basketbollisti shqiptar Ermal Kuqo është prezantuar meditën e djeshme përpara mediave spanjolle me ekipin e ri të Pamesa Valencia. Në arenën e Fuente de San Luis shtatlarti Kuqo do të mbajë të veshur fanelën me numër 12. "Në fillim dua të falenderoj presidentin dhe drejtorin e klubit për fjalët e mira që kanë thënë për mua. Gjithashtu dua t'i falenderoj edhe për besimin që patën dhe mundësinë që më kanë dhënë për të luajtur në këtë skuadër. Jam i vetëdijshëm se do të jem pjesë e një skuadre të madhe", u shpreh Kuqo për faqen zyrtare të klubit spanjoll. Në vijom 28-vjecari nuk harroi të bënte edhe pak humor. "Kur isha 14 vjec, duke parë një ndeshje të Euroligës, nëpërmjet televizorit me babain tim, i thashë se një ditë do të kisha shumë dëshirë të luaja në Ligën ACB. Jam jashtëzakonisht i lumtur që ekipi im i parë në Spanjë është Pamesa Valencia ", ka theksuar shqiptari. Më tej Kuqo ka folur edhe për grupin me të cilin do të luajë në 2 vitet e ardhshme. "Katsikaris e njoh dhe e di që është një trajner shumë i rreptë dhe me një stil që më pëlqen shumë. Ai përdor një mbrojtje shumë të fortë dhe mendoj se mund të përshtatem me shumë lehtësi. Mund të them se edhe me pozicionin e katërt dhe të pestë ndjehem shumë komod", përfundoi titullari i Pamesa Valencia. Basketbollisti 2.07m i gjatë u përshëndet edhe nga presidenti i klubit, Manuel Llorente. "Ermal Kuqos i urojmë mirëseardhjen dhe i jemi shumë mirënjohës që ka besuar në projektin dhe në klubin tonë. Jemi shumë të lumtur që do të mbështetemi te ky djalë, pasi është një lojtar titullar, i ri dhe me një përvojë shumë të madhe në Europë. Shpresojmë të kemi shumë sukses këtë sezon". Në prezantim foli edhe drejtori sportiv, Xhoni Roxhers. "Jemi shumë të lumtur që Kuqo do të luaj me Pamesan. Gjithashtu jemi shumë të sigurt se Kuqo do të jetë një ndihmesë shumë e madhe për ne. Ardhja e tij në në Ligën ACB do ta bëj atë të ecë edhe më shumë përpara si basketbollist", theksoi Roxhers. Në takimin e djeshëm ishte i pranishëm edhe Visente Sola, zëvendëspresidenti i Pamesa Valencia.
Olgert Serani

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›