E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur Berisha rren dhe të tijtë

dokuNga Altin Ketro

Kryeministri, për vetë pozicionin politik dhe shtetëror që ka, është më i informuari për gjithçka ndodh brenda territorit administrativ të shtetit. Ndër shumë dijenitë e tij, janë edhe se cila ndërtesë është apo jo pronë publike. Institucionet në varësi, kur ia kërkon detyra, e informojnë shefin e qeverisë përpara se ai të hedhë për miratim në Këshillin e Ministrave një akt të caktuar që ndryshon destinacionet e institucioneve.

Një ndër këto vendime, i cili, bëri heqjen nga inventari i Forcave të Atmatosura të një godine social- kulturore, dhe kalimin një dikasteri civil, me qëllim final, marrjen në përdorim të saj nga forca politike që militon kryeministri në detyrë, është edhe ai për të ashtuquajturën godina e SHQUP-it.

Shqetësimi që dua të ngre me këtë rast, ka të bëjë me faktin se qeverisemi (për fat, edhe për pak kohë) nga një kryeministër tërësisht i papërgjegjshëm. Një kryeministër që gënjeshtrën e paska në gjen dhe smundet të bëjë dot pa të, edhe kur viktimë e saj bien vetë demokratët.

Mirë ne të tjerëve, që kujton se na rrenë natë e ditë me broçkullat e tij, por të paktën të ishte i sinqertë me të vetët. Dhe, me të vetët, kam parasysh ata mijëra militantë që ende besojnë tek marrëzitë e tij.

Nën dritën e zhvillimeve të reja, ku, trashëgimtarë të pronës mbi territorin ku shtrihet SHQUP-i, janë disa shtetas amerikanë me origjinë shqiptare nga familja Toptani, kuptohet ashiqare se ajo çka Berisha u argumentonte fansave të vet në Facebook se, SHQUP-i ishte thjesht një godinë publike që dikur i paska shërbyer komunizmit e tash shërben veç për dasma, zijafete e ceremoni mortore e prandaj është e pavlerë, paska qenë një gënjeshtër e madhe dhe e shëmtuar.

As që mund të diskutohet që Berisha ka qenë në dijeni të pronësisë së Toptanasve mbi atë godinë dhe këtë e vërteton vetë fakti i refuzimit të dhënies së saj në përdorim, si për Gjykatën e Lartë, ashtu dhe për OSBE-në, pas kërkesave të këtyre të fundit. Vetë qënia e SHQUP-it si territor ushtarak, i jepte imunitet kushtetues karshi çdo ligji që i njeh të drejtën pronarëve të ligjshëm që të fitojnë pronësinë mbi të.

Nuk e di se si do ndjehen tani ato fansa që e kanë mbështetur këtë vendim- marrje të qeverisë për ti dhënë PD-së një godinë më të madhe se ekzistuesja, tashmë që ajo i përket (ish) pronarëve, një shtesë që kjo parti, dikur, e ka konsideruar se është ADN-ja e saj. Ata kanë besuar fuqishëm te fjalët e Berishës, në ndershmërinë e tij se çdo gjë po bëhej konform ligjeve.

Spo përfshij këtu ata analistë shtypi që i kanë bërë fresk gjithë këto vjet dhe, ndonëse janë në dijeni të problemeve pronësore të godinës, vijuan ta mbështesin nëpërmjet propagandës mediatike këtë vendim- marrje të paligjshme.

Unë vijoj ti përmbahem mungesës së sinqeritetit të Berishës me popullin e thjesht demokrat; me shplarjen e trurit që ai ende vijon ti bëjë; me talljen kolektive që arrin tu përcjellë dhe besimin e rrejshëm që ndërton tek ata se Ai është Nona, Baba, Mbreti, vetë Ligji në këtë vend. Për fat të keq, dhe këtë e them me dhimbje, në këtë rast Berisha nuk ka asnjë faj. Gjen, pa bën!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›