Për Kishën dhe të vërtetën që njohin përmetarët
Nga Flamur Hoxha*
Ka patur gjatë këtyre ditëve mjaft debate dhe qëndrime të ndryshme,lidhur me ngjarjet e stisura enkas në ambientet e shtëpisë së kulturës në Përmet,të cilat ngacmohen nga individë të porositur, për të mbyllur një padrejtësi, të cilën drejtësia e kishte vendosur prej vitesh.
Krejt pa pritur e në mënyrë arbitrare por hajdutshe, në vitin famëkeq për Përmetin 1997, një aparatçik i papërgjegjshëm, lëshoi një palo shkresë që këto ambiente na i takokan kishës, Shën Mëria. Në këmbim të saj ky aparatçik u largua shpejt e shpejt nga qyteti në vendin fqinj, me sa thuhet, me çantën plot, por i trembur! Po kaq shpejt e shpejt të interesuarit që ishin në pritje, zgjodhën një ish stallier të kooperativës, i vunë një veladonin dhe nga Agron e kthyen në At Vasili, si prifti i kishës! Ky së bashku dhe nën drejtimin nga lartë tyre, u sollën mjaft peripeci dhe lodhje të madhe institucioneve nga viti 1997 e deri më sot. Me sa duket kjo ishte koha e pehlivanëve dhe i ngjan rrëfenjës së vjetër, kur hedh një gur në lumë një budalla, duhen njëqind të mençur dhe nuk e nxjerrin dot.
Gjatë gjithë viteve të shkuara, ka patur mjaft tentativa për rikthimin e shtëpisë së kulturës, në gjendjen e mëparshme, por pengesat më shumë dhe vetëm, silleshin nga zaptuesit, me pretendime nga më absurdet, duke ulur më shumë imazhin e shtetit dhe autoritetin e tij i cili, me oportunitetin e treguar, …mos ta prishim me komunitetin fetar, kishën, se na futen besimtarët në grevë…etj., nuk ndërhynin ose kur ndërhynin forcat e rendit, jepej ndonjë urdhër, … jo sot, se skemi forca policie! Edhe këto ditë kështu ka ndodhur, mbledh Agroni dhjetë apo pesëmbëdhjete familjarë, shtou dhe disa të importuar nga Gjirokastra shumica me uniformat e priftit dhe u bëka kiameti me …protesta të komunitetit ortodoks, ne Përmet! Megjithatë asnjëherë nuk është vonë.
Të gjitha ngatërresat priftërinjtë e emëruar i realizonin kryesisht në periudha para zgjedhore, për të rritur sensibilitetin fetar dhe zgjedhor! Në atë territor ku pretendohet, ka patur një kishë të vjetër, e cila sipas besimtarëve dhe dokumenteve arkivore të Ministrisë së Ndërtimit, të trashëguara nga arkivat e vjetra, e tregojnë këtë objekt në një tjetër pozicion gjeografik, për nga mënyra se si ndërtoheshin kishat në përgjithësi, fakt ky që vërtetohet lehtësisht edhe në të gjitha objektet si motra, të Shën Mërisë, por që edhe gjykatat, gjatë shqyrtimit besoj se e kanë vlerësuar.
Siç thonë dokumentet, Shtëpia e kulturës Naim Frashëri është ndërtuar në vitin 1961, së bashku me disa objekte të tilla, si në Tepelenë, etj., me vendim te ish Këshillit të Ministrave. Materialet e ndërtimit, të përdorura, sidomos themelet që kisha pretendonte se janë të kishës ekzistuese, janë prodhime të ish Ndërmarrjeve të Ndërtimit, si gurë, etj., që nuk ngjasojnë me ato që përdoreshin në kishat e asaj kohe, lloje guri karakteristik, gjë që argumenta të tilla u vlerësuan nga drejtësia.
Kisha gjithashtu nuk ka të drejtë të pretendojë, mbasi nga ana e këtij shkruesi, për periudhën që kam qenë deputet, së bashku me autoritetet vendore, kam këmbëngulur ti plotësohej kërkesat për objekte kulti në një terren tjetër, por që nuk kanë qenë dakord! Jam i bindur që edhe sot qëndron kjo ofertë e arsyeshme. Nuk e kam kuptuar kurrë …. përse nuk u ka pëlqyer një zgjidhe e tillë! Për sa kohë që distanca e objektit të pretenduar, është më larg për besimtarët, kundrejt çdo objekti tjetër që do mund të ndërtohej diku, në qytetin e Përmetit.!
Objekti i (Shtëpia e Kulturës) ndërtuar, ka pozicion tjetër gjeografik, mbasi dihej tanimë që nuk lejonte dhe të pranonte ai sistem, që shtëpia e kulturës të vendosej mbi kishën! Për rrjedhojë nga ish kisha e vjetër në atë territor, shtëpia e kulturës Naim Frashëri, i ka marë vetëm 4.2% të sheshit ose rreth 25m2 territor të pretenduar, gjë që sipas ligjeve në fuqi,i takonte shtëpisë së kulturës që mban emrin e Naimit të madh. Gjatë këtyre viteve, zaptuesit e Shtëpisë së Kulturës, me pretendimin e tyre të pa drejtë, rrëzuan dhe zhdukën emrin e tij, duke e hedhur tej, ndërsa qarqet greke, bërtasin sot se …janë hedhur objektet e kultit…, kur ne pamë që punonjësi i bashkisë lëvizte në krah, kryqin, për diku tjetër.
Po çduhet të thoshin përmetarët për ngjarjet makabre te zhvarrimeve të turpshme në fshatin Kosinë nga kisha, me dijeninë e Hirësisë jo shqiptar Janullatos, vëmendjen e përfaqësuesit të konsullatës greke në Gjirokastër si dhe përkushtimin maksimal të At Vasilit, njeriut me mangësira të theksuara bindjesh fetare! Për të mos kujtuar krimet e viteve të shkuara me andartët e famshëm.
Me të hyrë në objekt, Agroni dhe të tjerët, tjetërsuan, shkatërruan dhe prishën vlera të mëdha kulturore, deri edhe kollona betoni ndërtuan nga brenda godinës, fshehurazi dhe natën, duke rrafshuar skenën e sallës dhe gjithë inventarin me vlera të mëdha kulturore e financiare. Përse nuk flet Hirësia jo shqiptar për këtë?! Iu mohua përmetarëve në këto vite e drejta për aktivitete kulturore, shfaqje të ndryshme apo aktivitete sociale, duke i detyruar ti bënin jashtë ose asgjë! Kush do përgjigjet për këto dëme? A do tia kthejë kisha ortodokse, Bashkisë Përmet, vlerën materiale dhe morale të shkaktuar!
Njëherazi mund të sjell në kujtesën e shumë aktorëve se edhe komunitetet e tjera fetare përmetare, si ai mysliman dhe bektashinj ngrejnë pretendimet e tyre duke kërcënuar me protesta dhe greva të tipit të At Vasilit, sepse disponojnë dokumenta për territorin ku është aktualisht shkolla e vetme e mesme në qytet apo objekte të tjera si Pallati aktual i Sporteve, etj, etj. Si të bëjmë ta prishim edhe gjimnazin, edhe Pallatin e Sportit, për ti hequr qytetit kulturën, me të cilën njihet historikisht ajo trevë, çthotë Agroni (At Vasili) dhe Hirësia e tij Janullatos për këtë?
*Ish deputet i PS për qytetin e Përmetit