E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur Lasgushi pikturonte të dashurën!



Kanë dëshirë ta quajnë si gruan mitike, pikturën e Lagush Poradecit, po ashtu dhe vargjet dashurore, me shtatë rreshta që u zbuluan kohë më parë, derdhur e mbushur përplot dashuri mistike, prapë të tillë iu është dashur ta etiketojnë, sikur këtij poeti që e dinte veten fare mirë pranë qiellit, i rrihte muza për lexuesin. Jo.

Lasgushit, duhet ta pohojnë dhe të dy bijat e tij, Konstadina dhe Maria, asnjëherë nuk i dihet. Shumë poezi e tradhtojnë “fanatizmin” për ta interpretuar poetin, po ashtu dhe pikturat, letërkëmbimet... vetë jeta e tij e mbyllur.

Bëhet fjalë për njohjen për herë të parë të Lasgushit piktor. Është një fond i pasur që ruajnë në shtëpi trashëgimtaret, që thuhet se mund të shkojë në mbi 50 piktura, por pak prej tyre mund të ekspozohen të enjten mbrëma, në Ditën Ndërkombëtare të Librit, janë tablo që janë marrë përsipër të rregullohen me korniza nga botuesi “Argeta LMG”. Shumica e tablove janë piktura në vaj, me ngjyra klasike, si dhe shumë vizatime që dihet se poeti i ka ilustruar vetë poezitë e tij.

Ajo që nuk është thënë për pikturat në vaj janë portretet, që lidhen me femrën. Ata që i kanë parë këto piktura e lidhin me femrën mitike. Por, nuk mungojnë hamendjet se Lasgushi këtu do të na befasojë si piktor, i panjohur, për tablotë e të dashurës.

Në pritje të kësaj natyre të panjohur të poetit, ky vit është solemn për Poradecin, e shpallur nga Ministria e Kulturës si vit në nderim të poetit. Por deri tani asgjë zyrtare, e projektuar nuk është bërë përveçse shpalljes. Dita e enjte, 23 prill, është lënë zyrtare, për poetin që i festojnë dhe 110-vjetorin e lindjes në mjediset e ministrisë, një sallë e liruar për të ekspozuar disa piktura, disa foto dhe faksimile të nënshkruara nga poeti. Nuk është konfirmuar saktësisht, është folur, por dhe mund të mos jetë gati, botimi i doktoraturës së famshme të Poradecit, për poetin e të njëjtit lloj, rumunin Mihal Eminesku, me të cilën u diplomua në universitetin e Gracit, në Austri.

"Eminesku i shpërfillur dhe ideologjia e tij popullore dhe atdhetare" (një studim gjenetik duke pasur sidomos parasysh lidhjet me kulturën gjermane), është titulli i tezës së doktoraturës, të cilën Llazar Gusho e dorëzoi më 23 shkurt të vitit 1932 dhe e mbrojti atë më 23 maj të vitit 1933. Komisionit, të përbërë prej filozofit Joannes Benndorf, rektor i universitetit të Gracit, Otto Maull, gjeograf, dekan dhe profesor Franciscus Hertisch, iu desh rreth një vit të studionte tezën e doktoraturës së Llazar Gushos.

Ndonëse është histori e ezauruar, prapë është ngjarje që ky punim i Lasgushit më në fund pas kaq vitesh njoftimi dhe njohjeje, do të shohë dritën e botimit.

Teza është e ndarë në pesë kapituj "Eminesku i shpërfillur", "Prejardhja e popullit rumun", "Fillesat e atdheut rumun", "Idealizimi i sundimtarit të Moldavisë, Stefan cel Mare", idealizimi i sundimtarit të Vllahisë Micrea-Voda cel Batran", si dhe "Arratisje në të shkuarën e atdheut". Në botim kjo do të jepet në gjuhën gjermane, si dhe në shqip, të ilustruar me dorëshkrimin e vetë autorit. Doktoratura pritej të botohej në fund të vitit të kaluar, por siç duket rrezikon t’i përgjigjet dhe tani kohës së botimit. Marie Gusho tha dje për “gazetën” se sot pritet të dalë nga shtypi libri.

Bashkë me këtë botim, nga trashëgimtarët është thënë se do të shoqërohet me ekspozimin e gjithçkaje ka lënë Lasgush Poradeci. Po ashtu ministria do të risjellë në nderim të poetit, në Ditën Ndërkombëtare të Librit, dhe dokumentarin e “lodhur”, ai që njohim tradicionalisht për Lasgushin, ku flet aktori Mevlan Shanaj - dhe poezinë live, të enjten, do ta interpretojë aktori Mirush Kabashi. Gjithë këto hollësira, për poetin, do të përmbushen në këtë ditë nga referencat mbi veprën e tij poetike - një që i takon këshilltarit të ministrit, që për koecidencë është vetë poet Bardhyl Londo dhe tjetri është studiuesi Behar Gjoka, pasi ky merret me të “vjetrit” si duket, dhe hyn në këto grumbullime ku nuk nxirren para. Fundja ajo që është realitet, dhe nuk thuhet, ka të bëjë se askush nuk del vullnetar, që të flasë si kompetent. Burime në Drejtorinë e Letrave na thonë se janë duke folur me familjen për të nisur brenda vitit disa botime.

Nëse deri tani familjarët e poetit, sidomos ajo që kujdeset më fort, e bija Maria, kanë thënë se nuk gjetur botuesin e duhur, me daljen e doktoraturës së Emineskut, shtëpia botuese “Argeta LMG” është më afër kësaj marrëveshjeje. Çfarë është e vërtetë ka të bëjë me faktin se prej vitesh nuk ka asnjë vepër poetike në treg për Lasgush Poradecin. Qysh me botimin e vitit 1999, nga “Onufri”, prej 13 vitesh vëllimet poetike kanë ndalur së botuari. Ermir Nika specialist në Drejtorinë e Letrave pranë MTKRS-së, thotë se këtë vit në marrëveshje me familjen e poetit kanë vendosur, të marrin përsipër botimin e veprave poetike - duke iu referuar dhe cilësisë së botimit që do të ofrojë botuesi “Argeta LMG”. Se çfarë do të botohet, Nika na thotë se janë në diskutimet e fundit, duke marrë parasysh se fondi i Poradecit është e pafund, tepër e pasur. Ajo që njihet deri tani si kontribut nga shteti për këtë poet është nderimi me çmimin “Penda e Artë” - që tani ka humbur, si markë, dhe nuk dihet a reziston dot realitetin të sotëm të këtyre çmimeve, ka pasur tepër kontestime për këtë ndryshim në strukturën e çmimeve të përvitshme që jep ministria për njerëzit e letrave.

Ndërsa një vit më parë, emri i Poradecit, prapë si duket për nderim, është konvertuar në çmim nga ministria. Po ashtu, me fonde të MTKRS-së i është bërë edhe një monument në Pogradec, vendin e lindjes dhe të prehjes së poetit. Aq është nderimi ynë i deritanishëm. Përderisa ky poet qëndron i panjohur duhet të kthehet në punë akademikësh - na vjen përgjigjja nga ministria.

Nesër nga Muzeu Kombëtar do të eksportohen për në ministri disa vitrina prej xhami ku pritet të “izolohen” dorëshkrimet, fotografitë, letërkëmbimet - dhe gjithçka interesante për këtë poet. Por, kjo është për pak ditë sepse ky fond do të rikthehet në shtëpi - aty ku bijat e Poradecit e ruajnë dhe mbrojnë me shumë fanatizëm-poezinë, pikturën, fotografinë, letërkëmbimin gjithçka të atit të tyre. Ekspozita do të shoqërohet me rreth 150 fotografi të Lasgushit, fotografi familjare, broshura apo kopertina të librave. Por nuk dihet nëse në mes pikturave që do të ekspozohen, të enjten, do të ketë nga tablotë – ku mendohet, se poeti t’ia ketë kushtuar të dashurës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›