HEC-et e rinj, KESH studim për kapacitetet prodhuese
Shqipëria ka burime hidrike për të prodhuar energji të mjaftueshme, për të furnizuar normalisht konsumatorët me energji elektrike, madje edhe për të eksportuar në mënyrë të vazhdueshme. Për herë të parë pas 20 vitesh, KESH ka kryer një studim të plotë për mundësitë e ndërtimit të hidrocentraleve të reja në lumenjtë e Vjosës, Drinit të Zi dhe Semanit. Ky studim ka nxjerrë të dhënat mbi kapacitet e lumenjve shqiptarë për të prodhuar energji. KESH ka bërë publike dje të dhënat e këtij studimi, i cili është kryer nga kompania franceze “Sogra”, studimi i së cilës është financuar nga vetë KESH, me rreth 1 milion euro. Kjo kompani ka punuar për rreth 8 muaj, duke kryer të gjitha matjet e duhura rreth hidro-energjetikës, sizmikës dhe mjedisit. Drejtori i KESH-it, Gjergj Bojaxhi, e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm këtë studim, pasi ai siguron të dhënat për investimin që do të kryhet në kaskadat e këtyre lumenjve, të cilët do të kenë rëndësi për nga fuqia prodhuese, duke rritur kështu sasinë e energjisë së prodhuar në vend. Bojaxhiu vlerësoi se vetëm në kaskadën e Vjosës, sipas studimit, mund të ndërtohen tre hidrocentrale të rinj, të cilët do të arrijnë të prodhojnë rreth 30-40 për qind të energjisë në vend. "Në qoftë se këto studime do të realizohen në projekte konkrete, kaskada e Vjosës do të bëhet e dyta për nga rëndësia për prodhimin energjetik në Shqipëri dhe do të prodhojë 30-40 për qind të energjisë, që prodhohet sot nga kaskada e Drinit. Ky është studimi i parë i plotë dhe shumë i integruar sidomos mbi lumin Vjosë”, - ka deklaruar dje Bojaxhiu. Sipas drejtorit të KESH-it, Bojaxhi, vlera e shtuar e këtij studimi në mënyrë të veçantë është se ky studim integron jo vetëm aspektet hidrometrike, gjeologjike dhe sizmike, që kanë qenë standarde në studimet shqiptare më parë, por bën dhe një integrim të aspekteve sociale, ekonomike dhe mjedisore, që këto hidrocentrale mund të kenë në zonat që mund të ndërtohen. Bojaxhiu bëri me dije se në zonat që janë shpallur monumente kulture nuk do të aplikohet teknologjia e digave, ndërsa për tokat bujqësore që mund të përmbyten, do të bëhet një llogaritje e mirë mbi përfitimet ekonomike.
BOX
Sa energji do të prodhohet në tre lumenjtë sipas studimit
Studimi i kryer nga francezët ka matur kapacitetin prodhues për të tre lumenjtë, nëse në kaskadat e tyre do të ndërtohen hidrocentrale të rinj. Vetëm në kaskadën e lumit Vjosë parashikohen të ndërtohen 3 hidrocentrale të rinj, duke e kthyer atë për nga rëndësia të dytën, pas kaskadës së lumit Drin. Sipas studimit të kryer, rezulton se
në total mbi këta lumenj mund të instalohet një fuqi prej 721 megavatësh, ndërsa kapaciteti prodhues arrin deri në 2.8 miliardë kilovat/orë. Ndërtimi i këtyre hidrocentraleve të rinj dhe vënia e tyre në funksion do të rrisë ndjeshëm kapacitetin prodhues të energjisë në vend, duke garantuar një herë e përgjithmonë furnizimin e konsumatorëve me energji pa ndërprerje, pa qenë nevoja që të importohet nga vendet fqinje. Madje, pas ndërtimit të këtyre burimeve të reja prodhuese, Shqipëria mund të kthehet në një nga vendet kryesore në rajon që do të eksportojë energji, jo vetëm vendeve fqinje, por pse jo edhe në vendet e Evropës Perëndimore.
KESH, në 2009 fiton 12 milionë euro nga eksporti i energjisë
Situata e mirë hidrike jo vetëm i ka siguruar energji pa ndërprerje konsumatorëve shqiptarë, por ka ndikuar në përmirësimin e treguesve të eksport-importit të ekonomisë. Duke nisur nga fillimi i këtij viti, KESH nisi të eksportojë energji, jo vetëm në Kosovë, por edhe në shtetin fqinj në Greqi. Vetëm për këto afro katër muaj, KESH ka arritur të sigurojë rreth 12 milionë euro nga eksporti i energjisë. Drejtori i Përgjithshëm i KESH-it, Gjergj Bojaxhi, deklaroi dje se eksporti i energjisë po vazhdon drejt Kosovës dhe Greqisë. KESH po eksporton energji elektrike që prej datës 4 prill në Kosovë dhe në Greqi, kjo falë përmirësimit të ndjeshëm të situatës hidrike në vend, për shkak të reshjeve të bollshme dhe shkrirjes së dëborës. Falë situatës së mirë hidrike, korporata ka ndërprerë që në fillim të muajit importin dhe falë reshjeve të bollshme po furnizon të gjithë vendin me energji nëpërmjet prodhimit vendas. “Situata hidrike paraqitet shumë e mirë, KESH për momentin po furnizon me energji të gjithë konsumin shqiptarë dhe është duke eksportuar energji në Greqi dhe në Kosovë në kohë piku, si dhe përmirësimin e bilancit eksport-import të ekonomisë shqiptare. Gjithashtu ndihmon edhe KESH-in nga ana financiare”, - tha Bojaxhi. Drejtori i KESH-it, Bojaxhi, theksoi se "të ardhurat nga shitja e energjisë elektrike përmirësojnë edhe bilancin eksport-import të ekonomisë shqiptare, por ndihmojnë edhe KESH-in nga ana financiare, duke marrë parasysh gjendjen e vështirë financiare, e cila doli nga thatësira e dy viteve të kaluara".