12 bursa polake për studentët shqiptarë
Polonia ofron 12 bursa studimi për studime universitare dhe pasuniversitare. Ministria e Arsimit bëri dje të ditur se të gjithë ata maturantë apo të diplomuar që janë të interesuar të vijojnë studimet në Poloni, duhet të dorëzojnë dokumentacionin përkatës pranë ministrisë, deri më 8 maj. “Në kuadër të “Programit të Bashkëpunimit midis Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Shkencës dhe Arsimit të Lartë të Polonisë”, Ministria e Shkencës dhe Arsimit të Lartë të Polonisë ofron për shtetasit shqiptarë 12 (dymbëdhjetë) të drejta studimi për studime universitare dhe pasuniversitare në universitetet publike të Polonisë, për vitin akademik 2009-2010”, – bëri të ditur Ministria e Arsimit.
Aplikantët duhet të paraqesin pranë Sektorit të Marrëdhënieve me Jashtë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dosjen e aplikimit, sipas ministrisë. Ata që dëshirojnë të vazhdojnë studime universitare duhet të dorëzojnë: dëftesën e shkollës së mesme, ose vërtetimin e notave të tre viteve të para dhe të semestrit të parë të vitit të katërt të shkollës së mesme. Këto dokumente duhet të jenë të firmosura nga Drejtoria Arsimore e Qarkut, ose nga Zyra Arsimore e rrethit përkatës; kërkesën për studime, ku të specifikohen 3 degë në të cilat aplikanti dëshiron të studiojë; raportin mjekësor për aftësi për studime; dhe certifikatën e lindjes me fotografi.
Ndërkohë që për studimet pasuniversitare duhet të dorëzojnë: kërkesën e të interesuarit drejtuar MASH-it, duke specifikuar fushën e studimit në të cilën dëshiron të studiojë; diplomën e shkollës së lartë, fotokopjen e noterizuar; listën e notave, fotokopjen e noterizuar; dy rekomandime; programin e studimit; raportin mjekësor për aftësi studimesh; certifikatën e lindjes me fotografi; dhe 3 fotografi.
“Të gjithë fituesit e të drejtave të studimit për studime universitare do t’i nënshtrohen vitit përgatitor të gjuhës polake, i cili fillon në shtator 2009, ndërsa për kandidatët për studime pasuniversitare duhet ta njohin gjuhën polake”, - bëri të ditur Ministria e Arsimit.
Sipas saj, pala polake merr përsipër arsimimin falas dhe mundësinë për akomodimin dhe ushqimin me pagesë në konviktet e mensat e studentëve. Të interesuarit duhet të mbulojnë vetë shpenzimet e udhëtimit për në Poloni, si dhe shpenzimet e ushqimit dhe të akomodimit, të cilat shkojnë afërsisht 300 € në muaj. Afati i fundit për pranimin e dokumentacionit është data 8 maj 2009.
Dokumentet
Për studime universitare
1. Dëftesën e shkollës së mesme, ose vërtetimin e notave të tre viteve të para dhe të semestrit të parë të vitit të katërt të shkollës së mesme. Këto dokumente duhet të jenë të firmosura nga Drejtoria Arsimore e Qarkut, ose nga Zyra Arsimore e rrethit përkatës;
2. Kërkesën për studime, ku të specifikohen 3 degë në të cilat aplikanti dëshiron të studiojë;
3. Raportin mjekësor për aftësi për studime;
4. Certifikatën e lindjes me fotografi;
Për studime pasuniversitare:
1. Kërkesën e të interesuarit drejtuar MASH-it, duke specifikuar fushën e studimit në të cilën dëshiron të studiojë;
2. Diplomën e shkollës së lartë, fotokopjen e noterizuar;
3. Listën e notave, fotokopjen e noterizuar;
4. Dy rekomandime;
5. Programin e studimit;
6. Raportin mjekësor për aftësi studimesh;
7. Certifikatën e lindjes me fotografi;
8. 3 fotografi
Durrës, katër lagje pa ujë
Prej disa ditësh një pjesë e mirë e qytetit bregdetar ka mbetur pa furnizimin me ujë të pijshëm. Një tubacion i ri i instaluar në hyrje të Durrësit ka lënë pa ujë katër lagjet më të mëdha të qytetit. Drejtuesit e ujësjellësit kanë deklaruar për “standard” se “një masë e tillë do të vërë nën kontroll furnizimin me ujë të banorëve të ish-Kënetës të cilët do të furnizohen me orar të njëjtë me të gjithë qytetin e Durrësit”. Gjatë gjithë ditës së shtunë deri të martën, katër lagje të Durrësit 5, 6, 15 dhe 18 kanë mbetur pa u furnizuar me ujë të pijshëm. Kjo situatë ka sjellë shqetësimin e banorëve të këtyre lagjeve, të cilat përbëjnë gjysmën e qytetit të Durrësit dhe kanë qenë të papërgatitur për një situatë të tillë. Drejtori i Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve, Agron Islamaj, ka sqaruar se “një situatë e tillë u krijua për shkak të një ndërhyrjeje të fortë që realizuam brenda 24 orëve. Punonjësit tanë kanë shtrirë një tubacion të ri paralel me atë të ish-Kënetës, në mënyrë që kjo e fundit të futet në skemën e furnizimit me orar, njëlloj si e gjithë pjesa tjetër e qytetit”. Brigada e punimeve operative instaloi në hyrje të Durrësit ose “Te rrota e qerres”, siç e njohin banorët, një tubacion të ri 870 m të gjatë me diametër 49 cm paralel me tubin me të njëjtat përmasa, i cili përshkon ish-Kënetën. Qëllimi i instalimit të tubacionit të ri është krijimi i një by-pass-i me qëllim shmangien e abuzimeve me ujin të banorëve të ish-Kënetës. Deri dje ata merrnin ujë nga tubi ekzistues 6 deri 7 orë në ditë. Çfarë tepronte nga uji shkonte te banorët e 4 lagjeve 5, 6, 15 dhe 18. Pas kësaj ndërhyrjeje këta banorë do të furnizohen me orar njëlloj si të gjithë banorët e Durrësit, tashmë edhe ata përfshihen në skemën e Ujësjellësit, pasi është mundësuar manovrimi i qarkullimit të ujit në të dyja tubacionet.
Një situatë e tillë është e favorshme edhe për banorët e plazhit gjatë stinës së verës, pasi edhe për ata do të ketë ujë me bollëk këtë sezon veror.
ANTA
Workshop për trafikun ajror
Agjencia Nacionale e Trafikut Ajror ka zhvilluar dje në mjediset e hotel “Tirana” workshop-in për sigurinë e trafikut ajror, në kuadër të programit evropian “Safety”. “Shqipëria si anëtare e re e NATO-s, anëtare e Eurocontrol-it dhe kandidate për anëtarësimin në Bashkimin Evropian po mbështet fuqimisht programin evropian për sigurinë dhe zhvillimin e menaxhimit të sigurisë së trafikut ajror në të gjithë Zonën e Përbashkët Evropiane të Aviacionit”, – deklaroi Ing. Arben Xhiku, drejtor i ANTA-s. Ai përshëndeti pjesëmarrësit dhe deklaroi se siguria është një prioritet për Agjencinë Nacionale të Trafikut Ajror. Drejtori i projektit për Shqipërinë, Përparim Zuna, tha se “ky workshop është një program proaktiv i gjeneruar dhe iniciuar nga programi evropian i Safety, objektivi i të cilit është fokusimi i zgjerimit dhe gjithëpërfshirjen e sigurisë në menaxhimin e trafikut ajror”. Synimet e programit janë implementimi dhe mbështetja e legjislacionit evropian të sigurisë, ngritja e një sistemi raportimi të ngjarjeve dhe shkëmbimi i të dhënave, vlerësimi dhe minimizimi i riskut, ngritja e një sistemi mbështetës të mbrojtjes së sigurisë, nxitja e sistemit të menaxhimit që ANTA ka në politikat primare të aktivitetit të saj, etj. Në këtë seminar morën pjesë edhe përfaqësues të agjencisë në Kosovë.