E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur Polonia shkëputej nga Evropa

"Polonia 1939-1989" në fotografi. Momentet më të rëndësishme të historisë së Polonisë gjatë dhe pas Luftës. Ambasada Polake prezanton ekspozitën në Tiranë


Ambasada Polake në Shqipëri përkujton 70-vjetorin e shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore me një ekspozitë fotografike. Dje, në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë, është çelur ekspozita "Polonia 1939-1989", 33 fotografi nga arkivat polake.


Fotot e shpërthimit të luftës nënkuptojnë fillimin e një procesi që synonte ta shkëpuste këtë vend nga Evropa.


"Ky proces nisi në vitin 1939, kur Polonia u sulmua nga dy fqinjët e saj, më 1 shtator 1939 nga Gjermania hitleriane dhe më 17 shtator nga Bashkimi Sovjetik. Kjo ndezi dhe Luftën e Dytë Botërore, e cila për Poloninë ishte shumë e dhimbshme dhe i solli dëme të mëdha", - thotë Slovomir Kovalski, këshilltar i Ambasadës Polake dhe njëkohësisht njeriu që ka përgatitur ekspozitën.


Në fakt, 1939-1989-a është vetëm titulli i saj, pasi periudha kohore që rrok është paksa më e gjatë. Fotografia e parë paraqet një prej udhëheqësve me popullorë të Polonisë, Juzef Pilsudski (Josef Pilsudski). Përbri portretit të tij është një tekst që tregon për kontributin e Pilsudskit në politikën e Polonisë.


Diku në mes, teksti ndërpritet nga një paragraf i shkruar me bojë të kuqe. Aty citohet testamenti i tij politik: "Nuk mund t'ia lejojmë vetes të gjendemi në një situatë të tillë, ku na duhet të flemë me pushkën tek koka. Pushkët e kanë vendin në depo".


Por pushkët nuk do të qëndronin aty edhe për shumë kohë. Pilsudski vdes më 1935-ën, katër vjet më vonë, më 1 shtator 1939, Polonia sulmohet nga Gjermania naziste.
Fotografitë janë ndërtuar pothuajse në të njëjtën mënyrë.


Brenda së njëjtës kornizë qëndrojnë në mënyrë të pavarur dy-tri imazhe të ndryshme që shoqërohen me diçiturat përkatëse. Në anën e majtë qëndron një tekst shpjegues në gjuhën shqipe, ndërsa në të djathtë, me shifra të mëdha në ngjyrë të kuqe ose të bardhë, jepet viti për të cilin bëhet fjalë.


Çdo moment i rëndësishëm i kësaj periudhe, në fotografi shoqërohet me tituj të shkurtër: Aleatët; Drejt luftës; Enigma; Varshava e bombarduar; 17 shtator, goditje pas shpine; Lufta; Tablo e pas luftës; Solidarnoshç; Fitorja.
Ka edhe të tjera, të cilat japin informacione politike të detajuara, si në rastin "Stalini dhe ekspansioni komunist".


Në tekstin që shoqëron foton janë theksuar me ngjyrë të kuqe fjalët e Josif Stalinit: "Ç'të keqe do të kishim sikur të shkatërronim Poloninë, duke zgjeruar në këtë mënyrë sistemin socialist me territore të reja dhe popullsi të re".


Dhe si për të ilustruar këtë propozim të Stalinit, në dy skaje të ekspozitës janë vendosur dy harta të Polonisë, njëra i takon Polonisë së para luftës dhe tjetra të pas luftës.


Ekspozita dokumenton jo vetëm përpjekjen e popullit polak gjatë Luftë së Dytë Botërore, por edhe sistemin opozitar, Solidarnoshç që u krijua në vend si kundërpërgjigje ndaj komunizmit. "Gjithçka përfundoi në vitin 1989, në mënyrë paqësore, nëpërmjet bisedimeve në tryezën e rrumbullakët, e cila paraqitet në këtë ekspozitë.


Këto bisedime mes lëvizjes Solidarnoshç dhe palës qeverisëse, çuan në dorëzimin e pushtetit nga ana e komunizmit dhe u kurorëzuan me zgjedhjet e para të lira. Rezultat i të cilave ishte qeveria e parë demokratike antikomuniste. Dhe fitorja me e madhe ishte hyrja e Polonisë në NATO dhe në BE", - shpjegon Kovalski.


Ekspozita e realizuar nën kujdesin e ambasadores Irena Tatarzynska, u shoqërua edhe me shfaqjen e një dokumentari historik për ngjarjet më të rëndësishme të periudhës 1939-1989. Një pjesë e dokumentarit u dedikohej ngjarjeve të mëvonshme politike, sidomos anëtarësimit të Polonisë në BE.


Ekspozita që do të qëndrojë e hapur deri më 5 shtator, nuk është i vetmi aktivitet që Ambasada Polake ka përgatitur për këtë jubile. Më 9 shtator, në Muzeun Historik çelet një tjetër ekspozitë kushtuar dhjetë viteve të veprimtarisë së lëvizjes Solidarnoshç.

---------------------------------------

"Gjallë!" në ekranin e madh


Duke filluar nga data 5 shtator, bashkëprodhimi shqiptaro-austriak, "Gjallë!" i regjisorit Artan Minarolli, nis xhiron e kinemave prej Kinema "Imperialit" në Tiranë.


Në historinë e djalit që kërkon të shpëtojë nga një histori gjakmarrjeje ku ishte përfshirë babai i tij, interpretojnë Kreshnik Xhelilaj, Bruno Shllaku, Xhevdet Feri, Nijada Saliasi etj. Filmi u shfaq premierë para pak ditësh në Festivalin Veror Ndërkombëtar të Filmit në Durrës, ku u vlerësua me Çmimin Special të Jurisë.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›