AH1N1 prek një komando shqiptar në Afganistan
Gjendja shëndetësore e ushtarakut shqiptar është përmirësuar, ndërsa konfirmohet se nuk ka të prekur të tjerë
Burime të Ministrisë së Mbrojtjes konfirmojnë një komando të prekur nga gripi i derrave në Herat
TIRANË- Virusi i gripit A H1N1, i njohur si gripi i derrit prek dhe trupat komando shqiptare në Herat të Afganistanit, ku është konfirmuar infektimi i një paqeruajtësi.
Ushtaraku shqiptar që është me mision paqeruajtës në Afganistan është prekur para disa ditësh, ndërsa gjendja e tij shëndetësore është përmirësuar dhe ai tani ndodhet në komandën e grupit paqeruajtës.
Lajmi për prekjen e ushtarit nga Shqipëria është konfirmuar nga burime të rezervuara nga Ministria e Mbrojtës, ku thuhet se vetëm një pjesëtar i grupit paqeruajtës është prekur nga një formë e lehtë e virusit A H1N1, ndërsa të gjithë komandot e tjerë të misionit ndodhen në gjendje të mirë.
"Ushtari pasi ka marrë mjekimin e duhur në spitalin e kampit ushtarak, është rikthyer përsëri në aktivitetin normal, duke mos shfaqur shqetësime serioze, ndërsa asnjë nga ushtarët e tjerë që ndodhet me mision ushtarak në Afganistan nuk ka shfaqur shenja të prekjes nga virusi A H1N1",- thanë dje për gazetën "Shekulli" burime nga Ministria e Mbrojtjes.
Në lidhje me mundësinë e prekjes së ushtarëve të tjerë, dikasteri i Mbrojtjes nuk ka dhënë informacione të mëtejshme, duke sqaruar se nuk ka asnjë problem serioz në kryerjen e misionit. Kontingjenti shtesë paqeruajtës është nisur drejt Heratit në Afganistan në javën e dytë gushtit, të këtij viti dhe shërben nën komandën italiane.
Komandot shqiptarë kanë si detyrë ruajtjen e bazës së NATO-s në këtë vend. Shqipëria ka aktualisht 251 trupa në Afganistan, të vendosur në kryeqytetin afgan, Kabul dhe Herat, si pjesë e misionit ISAF.
Virusi AH1N1, i njohur ndryshe si gripi i derrave tashmë ka prekur thuajse pjesën më të madhe të botës. Deri tani në Shqipëri janë prekur rreth 30 persona nga Virusi AH1N1, ndërsa numri i të dyshuarve është më i madh.
Specialistët e shëndetësisë thonë se në vjeshtë virusi mund të shfaqet në një formë më agresive. Një studim i publikuar në mediat ndërkombëtare nxirrte në pah frikën e kombinimit të këtij virusi me virusin e gripit sezonal.