E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lirimi i të burgosurve, Rama letër Topit

Kreu socialist i ka dërguar kreut të shtetit edhe një dosje me të dhënat për të gjithë të burgosurit e liruar


"S'mund të lejojmë që ky problem kaq i rëndë jo thjesht për zgjedhjet, po për sigurinë e shtetin e së drejtës në Shqipëri, të mbetet pa u trajtuar deri në fund"


TIRANË- Partia Socialiste nuk resht së denoncuari shkeljet që, sipas saj, shoqëruan procesin zgjedhor të 28 qershorit.


Pasi bëri publike në disa dalje për mediat disa nga faktet që komprometonin rëndë procesin, kreu i selisë rozë, Edi Rama, ia ka vënë ato në dispozicion edhe kreut të shtetit, Bamir Topi.


Kështu, ai i ka nisur dje Presidentit Topi një dosje voluminoze, në brendësi të së cilës ka përfshirë një sërë dokumentesh që, sipas tij, vërtetojnë shkeljen e rëndë ligjore që qeveria ka bërë duke liruar në mënyrë të përkohshme një numër të konsiderueshëm zgjedhësish, për t'i vënë ata në shërbim të fitores së zgjedhjeve.


Bashkë me dosjen, kryesocialisti në detyrë, Edi Rama, i ka nisur Presidentit edhe një letër shpjeguese lidhur me gjithë materialet e vëna në dispozicion, si dhe vlerësimin e tij dhe të Partisë Socialiste për zgjedhjet.


"Më lejoni të ndaj me Ju shqetësimin serioz që zgjedhjet e 28 qershorit jo vetëm që nuk plotësuan aspiratën dhe nevojën e Shqipërisë për përmbushjen e standardeve europiane të lirisë e të ndershmërisë së tyre, por nxorën ndër të tjera në pah edhe një problem mprehtësisht kërcënues për demokracinë dhe shtetin ligjor", - shprehet Rama në letrën e vet.


Më tej, duke iu referuar pikërisht problemit të të burgosurve të liruar me leje të veçanta nga autoritetet përgjegjëse, Rama i bën me dije kreut të shtetit, si kreu edhe i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, se ky fenomen përbën një shkelje të rëndë ligjore, për të cilën autorët duhet të mbajnë përgjegjësi.


"Ky problem ka lindur prej shkeljes flagrante të ligjit, nga autoritete të larta shtetërore, që kanë mundësuar në periudhën e fushatës elektorale nxjerrjen prej burgjeve të personave shoqërisht të rrezikshëm, jashtë të gjitha kushteve të parashtruara me ligj për dhënien e "lejeve të përkohshme", - u shpreh më tej Rama.


Për rrjedhojë, ai bën të ditur në letrën e vet se PS-ja nuk mund të pranojë rezultatin dhe institucionet e dala prej këtyre zgjedhjeve.


"Ne nuk mund të pranojmë që Shqipëria të jetë vendi ku Parlamenti dhe qeveria lindin nga shkelja e standardeve demokratike deri në bashkëpunim mes autoriteteve të shtetit dhe "autoriteteve" të krimit, ashtu si kundër nuk mund të lejojmë që ky problem kaq i rëndë jo thjesht për zgjedhjet, po për sigurinë e shtetin e së drejtës në Shqipëri, të mbetet pa u trajtuar deri në fund, në të gjitha rrugët e mundshme ligjore e institucionale", - shprehet Rama në fund të letrës së vet, duke i kërkuar në të njëjtën kohë kreut të shtetit që të marrë në konsideratë materialin e vënë në dispozicion.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›