Kur Shqipëria kremton festa, Edvin Rama bën protesta
Komunizmi i zhdukte edhe fizikisht kundërshtarët e vet. Sa herë që dështonte haptas, ua hidhte fajin imperializmit, revizionizmit dhe reaksionit të brendshëm. Të gjithë ata që nuk duartrokisnin sukseset e tij fiktive, dënoheshin si sabotatorë.
Opozita socialiste, duke mos qenë e aftë të bëjë projekte, a të krijojë alternativa, nis e bën protesta. Mirëpo, meqë për këto i duhen sebepe, gëzohet kur ka fatkeqësí. Sukseset e kundërshtarit e tërbojnë, kurse mbajtja e premtimeve prej tij, e bën të dalë nga vetja. Ajo ka kuptuar vetëm se “misioni” i saj është të marrë pushtetin, qoftë edhe në mënyrë të paligjshme. Ajo shtiret sikur nuk e kupton që suksesi i vërtetë arrihet me përpjekje të sinqerta për mbarëvajtjen e vendit. Me qëndrimet e saj absurde, opozíta po i ngjan atij të marrit që, i futur në fuçi, dëgjon britmat e veta. Harron, e “gjora”opozítë, që shqiptarët nuk po ua varin ulërimave të saj. Ata u regjën me gënjeshtrat komuniste Pse, vërtet të mos e dallojë ajo rolin fisnik, që ka një gjest i matur në favor të njerëzve në nevojë ? Por duket që kjo opozitë nuk është e aftë të kryejë vepra, të cilat në çaste të tilla kërkojnë të kapërcesh madje edhe veten. I paafti jeton dhe me fiksime. Opozitës i është ngulitur sajesa se duhet të kërkojë me ngulm vetëm “transparencë”, ndaj kërkon që dhe Shqipëria të jetojë doemos me këtë shqetësim, të stisur prej imagjinatës së sëmurë të kësaj ambiciozeje për pushtet të pamerituar. Opozita nuk po e justifikon votën e elektoratit të saj.
Mirëpo i paafti është dhe i rrezikshëm. Duke besuar në gënjeshtrat e veta, ai e shndërron në “kauzë” ambicien e tij, qoftë dhe kur e sheh se ajo është e dështuar. Egoja e plagosur e pengon Ramën të arsyetojë drejt, ndaj e shohim atë shpesh të ndryshojë qëndrime, pa ditur as vetë ç’kërkon. Mos vallë shtiret si naiv, ngaqë po i zbulohen synimet e e vërteta, të mbrapshta, kur i duhet të tregojë sadopak njerzillëk ? Se cilët shqiptarë mund të pranojnë t’i drejtojë një shpirtkazëm që qan, kur ata duan të qeshin? (Shihni si flet, kur liberalizohen vizat!). Rama mezi pret të dëgjojë ndonjë fatkeqësí, si e Shkodrës. Në vend që të bëhet pjesë e solidaritetit qytetar dhe të ndihmojë për t’u lehtësuar vuajtjet të përmbyturve, Rama sulet në sheshe të akuzojë natë e ditë mazhorancën. Dhe skuqet e zverdhet sipas shkallës së fatkeqësísë. I gjori Ramë! Aq keq është katandisur, sa ka nisur të besojë se edhe fatkeqësia natyrore mund t’i shërbejë për t’u mbushur mendjen njerëzve ta ndjekin në protesta. Madje, e kërkon këtë edhe kur këta njerëz janë të përlotur nga dhembshuria për katastrofën, që ka kapluar vëllezërit e tyre! Nuk e kupton dot ambiciozi se urrejtja që ngrihet mbi dhimbjen, kthehet në bumerang. Mirëpo Rama u edukua nga i pashpirti i diktaturës, i cili gjente kënaqësí mbi fatkeqësitë, që u shkaktonte vetë shqiptarëve. Mjerë ata që detyrohen sot të ndjekin një drejtues cinik si Rama, i cili edhe në gjumë ëndërron të shohë vetëm njerëz të katandisur. Mirëpo gëzimet, e ngritura mbi mjerime, i sjellin pikëllime të mëdha çdo “kacagjeli” pa pendë. Sidomos, të guxosh të bësh protesta, kur një popull i tërë solidarizohet me shpirt me ata që luftojnë heroikisht me fatkeqësínë. Edhe vetë “shtriga” diktaturë detyrohej ndonjëherë ta “zbuste” sadopak luftën e klasave, për të fshehur mizorinë e saj dhe për të shmangur arritjen e asaj pike dëshpërimi, që e shpie njeriun në mosnjohjen e rrezikut të humbjes së jetës. Se diktaturat lozin bukur kukafshehtas me jetën e njerëzve. Ato i shpien “skllevërit” e tyre deri në caqet e padurimit dhe, kur e shohin se vdekja nuk ka më pushtet mbi ta, apo kur frika vritet nga pikëllimi i madh, bëjnë sikur “zbuten”, shtiren “njerëzore”, madje lejojnë që njerëzit të shprehin edhe pak keqardhje ndaj atyre, që kanë nevojë për ngushëllim. Dhe Shqipëría, ndonëse e terrorizuar, i shfrytëzonte këto raste për të treguar solidaritetin e vet njerëzor, bile dhe me të nëpërkëmburit prej diktaturës. Mirëpo kjo “zemërgjerësí” e “kuçedrës” gjithmonë ka qenë e shkurtër dhe e përkohshme. Diktatura komuniste ishte një hienë e vërtetë, që mbijetoi vetëm me kufoma. Ajo sajonte çdo ditë armiq imagjinarë. Me të drejtë F.Niçe ka thënë :” Ai që jeton me anë të luftës ndaj një armiku, ka interes të ketë gjithnjë armiq në jetë !”. Ndoshta prandaj Rama nuk njeh tjetër alternativë për të bërë opozitë. Ai u ka besuar bojkoteve dhe protestave. Por, meqë “motivet” e sajuara të këtyre proçkave të tij shterojnë shpejt, ai kërkon çdo ditë sebepe të reja, manára, shkaqe fiktive. Ndoshta prandaj i mban sytë nga qielli, duke pritur të bjerë sa më shumë shí, kur njerëzit të mbytur në ujë kanë vështirësí të mëdha. Në shumë drejtime, pra, Rama i afrohet diktaturës, pavarësisht retorikës së tij “demokratike”, me të cilën tenton të duket liberal, madje edhe i dhembshur. Sepse, ka shumë raste që ky sharlatan nuk i kursen as lotët e krokodilit. Ai kënaqet vetëm me fatkeqësitë, ndaj lutet e falet të ketë sa më shumë të tilla. Mirëpo solidariteti i lartë qytetar i këtij populli, e tmerron, ia prish atë kënaqësínë e egër, që i japin bojkoti dhe protesta. Prandaj tenton ta shpjerë deri në fund vallen e korbave, me të cilën po fut në rresht edhe gjithë “dasmorët”, që i ka zgjedhur me kokrra misri. Dhe nuk arrin të kuptojë vetë, qyqari Ramë, se pikërisht ky cinizëm dhe kjo shpirtligësí janë burimi i atyre “krizave” të brendshme, që ky mjeran po përpiqet t’ia veshë Shqipërísë. Ndaj nuk po pyet as për imazhin e saj, as për reformat shpëtimtare, që po i trokasin çdo ditë vendit në derë. Bile, i verbuar nga ambicia për pushtet të pamerituar, ai nuk po llogarit as të ardhmen e tij politike!...