E Shtunë, 31 Tetor 2026

Analiza e Policisë së Shtetit

15-12-2010 / Gazeta 55

Arritjet domethënëse në luftën kundër krimit - garanci për menaxhimin e rreptë të kufijve dhe respektimin e standardeve “Schengen”

Policia e Shtetit analizoi dje punën 1 vjetore të këtij organi të rëndësishëm të funksionimit të shtetit, mes sfidave dhe vështirësive të zakonta dhe pazakonta, në një betejë të egër me luftën kundër krimit të organizuar, trafikimit të lëndëve narkotike si dhe detyra e re që bëhet e imponueshme gjithnjë e më tepër, lidhur me respektimin dhe zbatimin e direktivave të ligjeve dhe rregullave të zonës “Schengen”. Në takimin e realizuar dje, kryeministri i vendit Sali Berisha vlerësoi punën e Policisë, ndërsa kërkoi angazhim maksimal në kontrollin e kufijve, në mënyrë që, siç theksoi Berisha, Shqipëria të respektojë me përpikmëri vendimin e BE-së, për heqjen e vizave. Po ashtu, edhe ministri Basha informoi se Policia e Shtetit do ushtrojë një plan të ri masash pas liberalizimit të vizave. Nga ana e tij, drejtori Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, konstatoi se viti 2010 ka qenë një vit plot me suksese për punën e policisë në luftën kundër krimit të organizuar, bandave të trafikut, korrupsionit., etj.

Berisha: Detyra Policisë, kontrolle të rrepta në kufijtë detar, ajror dhe tokësor

Një ditë para se të hynte në fuqi vendimi i Bashkimit Evropian, për liberalizimin e vizave me qytetarët shqiptarë, kryeministri Sali Berisha i kërkoi Policisë së Shtetit marrjen e masave për të mos dëmtuar qytetarët e vendit nga kriminaliteti i individëve të caktuar. Në analizën vjetore të Policisë së Shtetit, kryeministri kërkoi hartimin e një plani të ri masash për t’iu përgjigjur me seriozitet bashkëpunimit me vendet e tjera. “Zoti Drejtor i Përgjithshëm i Policisë, zoti ministër mendoj se ky vendim kërkon dhe ju fton të hartoni një plan të ri konkret masash, për t’ju përgjigjur me efiçencën më të madhe këtij bashkëpunimi. Në çdo vend ka kriminalitet. Por asnjë vend, asnjë qeveri nuk ka autoritet të marrë kriminalitet shtesë për qytetarët e vendit të tij, ndaj ju takon juve të jepni garanci të plotë, në një bashkëpunim transparent me partnerët tuaj, në mënyrë që ky akt madhor të mos krijojë as edhe shqetësimin më të vogël, në vendet e zonës “Schengen”. Unë jam i bindur se ju do e realizoni këtë, se ju tani keni në dorë të gjitha të mjetet, përkushtimin për një kontroll të plotë të kufijve tanë detar, ajrorë dhe tokësor, keni vendosur ura besimi të plotë me policisë e vendeve mike dhe partnere dhe agjencitë  e tjera dhe kjo kërkon një nivel të ri pune, planifikimi, përkushtimi”- u shpreh kryeministri Berisha duke iu drejtuar ministrit Basha dhe drejtorit të Policisë, Burgaj. Shefi i ekzekutivit vlerësoi angazhimin e strukturave të Policisë, për standardet e arritura, të cilat bënë të mundur aktin më madhor për liritë dhe të drejtat e shqiptarëve, pas shembjes së perdes së hekurt, heqjes së vizave për shqiptarët dhe të lëvizjes së tyre të lirë në Europë. “Ky akt është i një rëndësie kapitale për liritë të drejtat e çdo qytetari, i cili, nga nesër e tutje, e ndien hapësirën Europiane si hapësirën e tij, lëviz i lirë dhe në dinjitet të plotë. Ky vendim nuk mund të vinte dhe nuk do të vinte pa punën  e madhe dhe serioze që ju keni bërë. Ju, me trimëri e sakrifica të mëdha, profesionalizëm të lartë ia dolët që këtë vend, të cilin e kishte gjunjëzuar krimi, të cilin në sektorë të tërë e kontrollonin bandat kriminale, ku mafia e krimi i të cilit ishte bërë rrezik për Europën, ta shndërronit në një nga vendet e sigurta të rajonit dhe të kontinentit. Ju u përballët me bandat më mizore, më të rrezikshme e më të fuqishme dhe me gjakftohtësi i çmontuat ato, mbi një mijë anëtarë dhe bosët e tyre i vendosët para ligjit. Ndërkohë ju ndoqët me përkushtim të madh, dinamikën e krimit, format e reja të tij”- tha Berisha, duke theksuar se “modernizimi i gjitha sistemeve tuaja të kontrollit, bashkëpunimi me partnerët tuaj në rajon dhe në Europë, të gjitha këto ishin një nga faktorët më kryesore që bënë që qeveritë e vendeve anëtare të zonës së “Schengen”-it të vendosnin heqjen e vizave. Falë punës së Policisë, tha Berisha, Shqipëria u kthye në një vend të sigurt dhe të besueshëm për plot 3.5 milionë vizitorë. Ju e keni bërë Shqipërinë një vend të sigurt dhe kjo është një meritë e madhe e juaja. Këtë vit, ne numërojmë rreth 3.5 milion vizitorë. Shqipëria turistike është realiteti më i bujshëm i këtyre viteve. Këtu, ju keni kontributin tuaj të madh. Unë kam biseduar me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë dhe ministrin dhe kërkoj nga ju programe të detajuara, për të garantuar se ata miliona e miliona vizitorë që vijnë në këtë vend, të vijnë të pushojnë, ta vizitojnë dhe të kthehen të sigurt në vendet e tyre”- deklaroi Berisha.  Shefi i ekzekutivit vlerësoi përparimet e policisë në luftën kundër drogës, por kujtoi se i takon atyre që “kur të ndalojnë kamionin me drogë, të ndalojnë dhe drejtuesin e automjetit”, për të cilin, siç tha kryeministri, shpesh raportohet se është larguar në drejtim të paditur. Si mund t’ju ikë shoferi? Më mirë thoni se na e dorëzoi kamionin shoferi.
Doganierit mund t’i shpëtojë drejtuesi, pasi gjatë kontrollit të automjetit për drogë ai mund të jetë larguar, por jo juve. Në asnjë rrethanë. Ju keni suksese të pamohueshme, por duhet të studioni ku i keni dobësitë, pasi kjo është një betejë e pandërprerë”- theksoi kryeministri. Ndërsa duke u ndalur te aksidentet rrugore, kreu i qeverisë kërkoi angazhim maksimal të forcave të rendit, në minimizimin e aksidenteve. “Çështja e aksidenteve rrugore është një çështje madhore për çdo vend të lirë, por, në qoftë se studioni dhe ndiqni statistikën, do ta gjeni në nivelet më të larta në vendin tonë. Zoti Drejtor i Përgjithshëm i Policisë, ne si objektiv kemi e do të kemi mesataren e Bashkimit Europian. Unë kërkoj nga policia që të programojë punën në këtë fushë, në mënyrë që të ketë një rënie tjetër më drastike e të vazhdueshme të aksidenteve”- kërkoi kryeministri Berisha, në analizën vjetore të Policisë së Shtetit. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›