Sherri për një femër, qëllohet me “shotgun” azerbajxhanasi dhe dy shqiptarë
Sherri për një femër mes një shqiptari dhe një azerbajxhanasi, ka çuar në plagosjen e tre personave natën e djeshme në qytetin e Durrësit. Burime nga policia e këtij qyteti thanë se Turat Maturov ishte përplasur me një person tjetër ndërsa hanin darkë në një tavernë në afërsi të plazhit të Durrësit. Maturov dhe shqiptari në fjalë kanë dalë jashtë ku kanë vijuar përplasjen, ndërkohë që shqiptari që policia e ka identifikuar si Gjergj alias Gjok Tusha, ka nxjerr armën një “shotgun” dhe ka qëlluar mbi 44-vjeçarin nga Azerbajxhani. Ky i fundit ka mbetur i plagosur rëndë, ndërkohë që plumbat kanë marrë nga këmbët edhe Avdulla Osmanin, 52 vjeç, Leonard Laska 55 vjeç, të cilët dyshohet se janë përfshirë rastësisht në grindje.
Ngjarja
Burime nga policia thanë se mbrëmjen e djeshme Gjergj Tusha, i dyshuar si autorë i ngjarjes ka qenë duke ngrënë darkë me tre persona të tjerë mes të cilëve edhe një vajzë, në një lokal pranë plazhit në Durrës. Në tavolinën ngjitur ka qenë edhe shtetasi nga Azerbajxhani, statusi i të cilit në Shqipëria është ende i paqartë. Policia që ende është duke hetuar ngjarjen thotë se dy personat janë konfliktuar fillimisht me fjalë brenda në lokal, por më pas kanë dalë jashtë dhe janë përleshur sërish. Këtu shqiptari i dyshuar për ngjarjen, ka qëlluar me armë mbi të huajin dhe plumbat kanë zënë edhe dy persona të tjerë, përfshirja e të cilëve në ngjarje është ende e paqartë.
Hetimet
Policia e lajmëruar nga dëshmitarë të rastit ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe në hetimet e parë ka identifikuar autorin e ngjarjes dhe viktimat, ndërsa po punon për të zbardhur shkaqet e grindjes që çuan deri në përdorimin e armëve. Policia e qytetit bregdetare ndërkohë njoftoi se një tjetër person që dyshohet i përfshirë në grindje është në kërkim, ndërsa ende nuk njoftohen për arrestime të mundshme. Rezultatet e para të hetimit kanë zbuluar se një femër e pranishme në tavolinë me të dyshuarin si autorë ka qenë edhe motivi i përplasjes mes shqiptarit dhe azerbajxhanasit.