Prefekti i Durrësit rikthen listën e përfituesve të apartamenteve
Prefekti i Durrësit, Genci Alizoti, nuk e ka firmosur dhe ka rikthyer listën e përfituesve të strehimit në banesat e ndërtuara nga Enti Kombëtar i Banesave. Bëhet fjalë për 48 familje të pastreha të Bashkisë së Durrësit, vendimi i të cilit marrë nga Këshilli Bashkiak, nën arsyetimin se “nuk janë zbatuar procedurat ligjore, duhet rishikuar edhe një herë”. Kjo ka ndodhur kur është menduar se gjithçka është përfunduar pas votimit në KB, por prefekti i Durrësit, Genci Alizoti, e ka kthyer dosjen me emrat e 48 kryefamiljarëve përfitues. Sipas tij “si shkak për këtë vendim është bërë vërejtja e procesverbaleve të mbledhjes së radhës KB”. Ka qenë kryetari i bashkisë, Vangjush Dako, që ka shtyrë prefektin të shohë me lupë mbështetjen ligjore në marrjen e vendimit për listën e te pastrehëve. Alizoti u shpreh se “vendimet në raste të tilla siç është miratimi i listës së përfituesve të apartamenteve për strehim, merren me 3/5 numrit të këshilltarëve të pranishëm. Hapin e kam marrë në konsultim me detyrimet që ka institucioni, i cili mbikëqyr ligjshmërinë e vendimeve të komunave e bashkinë në nivel prefekture”. Specialistë dhe juristë të kërkuar nga Alizoti kanë shqyrtuar në rrugë institucionale vendimin e Këshillit të Bashkisë së Durrësit dhe ankesën e kryetarit Dako. Ka mbi 3 vjet që KB mundohet të zbardhë një listë të tillë për 48 apartamente të ndërtuara në lagjen 17. Dy godinat kanë përfunduar dy vite më parë, por këshilltarët e majtë e të djathtë nuk kanë rënë në ujdi për listën, duke kërkuar sistem pikëzimi. Fillimisht KB-së i janë afruar 600 emra dhe më pas numri i tyre ka rënë derisa në mbledhjen e fundit këshilltarët votuan me shumicë të pranishme. Kryetari i KB-së, Zamir Ramadani, që i përket grupit të PD-së, ka bërë të ditur për “standard” se “lista me 48 emra është votuar nga 25 këshilltarë. Këshilli i Bashkisë së Durrësit ka 45 këshilltarë dhe në të përfaqësohen 13 subjekte, unë nuk kam dijeni që prefekti ka rikthyer në këshill vendimin për listën e të pastrehëve”. Por menjëherë sapo prefekti Alizoti ka deklaruar rishqyrtim të listës, është larguar për në Tiranë ku do të diskutojë me strukturat e qeverisjes qendrore. Aktualisht PD dhe aleatët e saj përbëjnë shumicën në KB, por kundër listës kanë qenë edhe dy këshilltarë të LSI-së, të cilët kanë ndjekur linjën e arsyetimeve të këshilltarëve të PS-së. Deri dje nuk ka pasur ndonjë reagim nga grupimet politike, por pritet që lista e sipërpërmendur pritet të sjellë zhvillime të reja në KB.