E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur bëhet shkencë pa shkencëtarë

Nga Sadedin Çeliku

Shqipëria është nga të paktat vende në Evropë që prodhon gjithçka me shumicë: njerëz

me mastera, doktoratura, diploma universitare, dekorata, tituj nderi, emra rrugësh me emra personalitetesh të huaja dhe kriza.

Si shpjegohet gjithë ky superprodhim? Thjesht fare. Një master, doktoraturë apo diplomë universitare, sa për ilustrim, mund ta marrësh në Maqedoni dhe brenda ditësh me pak pará, dhe me pak të tjera të njehsohet në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.

Këtë virozë shqiptarët e morën që në vitin 1993, kur gjyqtarët i bëmë për gjashtë muaj, gjyqtarë të cilët sot i konsiderojmë si më të mirët.

Nuk gjen një president në Shqipëri që nuk ka marrë një apo më shumë çmime në universitetet prestigjioze të Evropës, në mënyrë të veçantë në Angli. Tashmë u mësuam që të kesh një karrige të fisme në ekzekutiv apo legjislativ mund të bëhesh doktor dhe profesor menjëherë, duke vënë në punë aparatin e institucionit për të përgatitur dhe sajuar materiale në emër të mbrojtjes së gradës shkencore, tema këto që nuk i hyjnë as dreqit në punë. Po ku janë shkencëtarët e vërtetë apo i shpërndamë në emër të reformës që na serviret dhe shkencën e vërtetë e bëjnë të sipërpërmendurit që nuk janë shkencëtarë?

Çdo ditë në ekranet e televizorit shikojmë ministra, politikanë, madje edhe kryeministri i Shqipërisë, që bëjnë “shkencë”. Dhe është kjo shkencë që ka prodhuar kriza që e lanë Shqipërinë 20 vjet në tranzicion. Për dy dekada bëmë eksperimente me administratën publike dhe e mbushëm atë me militantë pa shkollë dhe pa formim profesional. Tre vjet përpara pata rastin të dëgjoj ish-ministrin e Transportit, z. Basha, të prezantonte Drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimeve të Transportit Rrugor si juristin më të zot të Shqipërisë. Kaluan pak ditë dhe mësuam se ai ishte kushëriri i ministrit dhe kishte punuar kasap në Bulqizë dhe më pas ishte kualifikuar kuzhinier në burgun e Tiranës. Kjo ka bërë që shqiptarët të humbasin besimin te qeveria, partitë politike madje dhe te vetja.

Sondazhi i fundit i bërë më 25 shkurt tregoi humbje të besimit te qytetarët; 43 % e të anketuarve nga Gallup Europa, shprehet se nuk beson më te qeveria shqiptare dhe se ajo nuk ka mbajtur premtimet elektorale. Qytetarët nuk besojnë më te Fazlliçët, Jala, OSSH, “Taçi Oil”, Gërdeci, Gjiri i Lalzit, Porto Romano etj.

Viti elektoral i gjeti shqiptarët me mjaft probleme si ai e krizës financiare që ka pllakosur globin. Vala goditëse e krizës në Evropë po përjetohet në masë si një problem lidhur me kreditë e pashlyera në Evropën Juglindore. Një fenomen e tillë po përshkallëzohet për shkak edhe të një erozioni të mundshëm të kapitalit bazë të bankave mëmë të Evropës Perëndimore. Kjo po shoqërohet me rënie të ndjeshme të ekonomisë dhe kjo të bën të jesh vigjilent për atë që mund të ndodhë nesër.

Vendi ynë ka rreth 400 milionë dollarë kredi të këqija, jo pak për një vend të vogël. E keqja nuk është aty, por te mënyra se si sillet qeveria në përgjithësi dhe ministri i Financave në veçanti. Për atë nuk ka krizë e për pasojë s’ka pse të ketë masa antikrizë. Në fakt kriza nuk e prek drejtpërdrejt Shqipërinë, por në mënyrë të tërthortë. Këto pasoja nuk janë të vogla për një vend që ka gati 40% të papunë. Shikoni dyqanet në Tiranë, ku bie në sy shkrimi: “Jepet me qira”. Kjo tregon se biznesi i vogël është në vështirësi. Biznesi i madh ka filluar të prodhojë të papunë, për shkak të shumë faktorëve që nuk dua të ndalem.

Zhvleftësimi i lekut ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve sidomos të produkteve bazë. Mishi, peshku 8 dollarë kilogrami, të tjerat po ashtu. Ministri i Financës ka deklaruar se nuk ndërhyj në kontrollin e çmimeve të tregut. Gabim!

Aktualisht, qeveria greke po kontrollon me rigorozitet të gjitha çmimet e tregut, nuk ka lejuar rritje abuzive të tyre. Autoriteti i konkurrencës këtu është thuajse jashtë loje dhe nuk merr përsipër asnjë përgjegjësi. Nuk bëhet rivlerësimi apo indeksimi i depozitave për shkak të zhvleftësimit të lekut dhe as i bonove të thesarit. Nuk ka masa dhe politika të qarta për reduktimin e varfërisë dhe uljen e papunësisë. Duhet urgjentisht të bëhet rivlerësimi i programit ekonomik për vitin 2009, për shkak se është i parealizueshëm. Të ardhurat nuk realizohen. Rivlerësimi duhet të bëhet në kushtet e krizës financiare dhe faktorëve ndikues në ekonominë shqiptare. Të gjitha këto duhet t’i bëjnë njerëzit e mençur që e duan Shqipërinë dhe jo të paaftët që mendojnë vetëm për sot e për përfitim personal. Vetëm kështu do të amortizojmë problemet që kemi dhe do futemi në rrugën e vërtetë të zhvillimit dhe integrimit rajonal e më gjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›