E Diel, 1 Nëntor 2026

Operatori i katërt celular, në garë ngelet vetëm kompania me bashkëpronar Mishkoviçin

Nga Fitim Zekthi

Kompania Postë Telekomi i Kosovës (PTK) është e vetmja kompani në garën për celularin e katërt në Shqipëri.

Burime zyrtare nga AKEP bënë të ditur për agjencinë NOA se kompania tjetër “Univers PG” është tërhequr nga gara, për shkak se dokumentacioni i saj nuk ishte i plotë.

“Univers PG” ofroi në tenderin e hapur nga AKEP pesë milionë euro ose limitin kufi të caktuar për pranim në tender.

Në fakt, edhe kompania suedeze “Tele2” kishte paralajmëruar duke njoftuar qeverinë, se ajo donte të ishte e pranishme në tender, por nuk paraqiti asnjë dosje për pranim.

Kështu duket se Damir Fazlliç, sekseri serbo-boshnjak i kryeministrit, Sali Berisha, do të ketë në dorë një tjetër pasuri të vendit tonë.

Mediet kosovare kanë denoncuar skandalin. Sipas tyre, pronari i “Delta Holding”, Mirosllav Mishkoviç, është pas konsorciumit që ka ngritur Posta e Kosovës, dhe që ka paraqitur një ofertë prej 7.2 milionë eurosh për këtë licencë. Në garë nuk ka ndonjë emër të njohur të kompanive celulare ndërkombëtare, ndërsa mediet e Kosovës po vijojnë hetimin për Mishkoviçin, të cilin gazeta “TemA” e ka denoncuar si të lidhur me Damir Fazlliçin, madje ka botuar dhe të dhëna për këtë.

Mishkoviç ka blerë rrjetin Euromax në Shqipëri dhe përmes këtij rrjeti tenton të bëjë konsorcium me Postën e Kosovës.

Skandali është denoncuar dhe në parlamentin shqiptar. Nënkryetari i grupit parlamentar të PS, Erion Braçe, tha se privatizimet në Shqipëri po bëhen në mënyrë skandaloze.

“Po ju kujtoj që privatizimi për së dyti i Albtelekomit është nën hetim në organin e Prokurorisë, privatizimi për së pari i ARMO-s është nën hetim në organin e Prokurorisë, privatizimi i INSIG është nën denoncim publik të të gjitha medieve në Shqipëri, privatizimi i OSSH tashmë është nën padi penale në organin e Prokurorisë dhe në fund fare privatizimi apo dhënia me koncesion e Ndërmarrjes së Shërbimit të Automjeteve është vënë edhe kjo nën dyshime dhe po pritet thjesht dhe vetëm një vendim i Avokaturës së Shtetit për ta kthyer edhe këtë çështje nën hetim penal. Ajo që më shtyu ta rikthej çështjen e privatizimit në vëmendje, ka të bëjë me privatizimin apo me shitjen e licencës së katërt celulare në Shqipëri, për këtë çështje doja të thosha se procesi është thellësisht jotransparent dhe jashtë vëmendjes, qoftë të publikut, qoftë edhe të interesuarve, ai nuk është në kohën e duhur, jo në interes strategjik dhe në fund ai është thellësisht klientelist.

Një mori gazetash kosovare, artikujt e cilave i kam këtu, këto ditë bëjnë me dije pikërisht elementë për këtë çështje, për këtë po ju them që të listuar në atë kompani që është paraqitur e para në tender janë 5 klientë të qeverisë së Republikës së Shqipërisë, mes të cilëve asnjëri i marrë më parë me veprimtari të telefonisë celulare dhe mbi të gjitha njëri prej tyre është kompani shitjesh pijesh energjike ose pijesh alkoolike në Shqipëri dhe ne Ballkan”, - tha Braçe.

Ndërsa Ministri i Punëve Publike dhe Telekomunikacioneve, Sokol Olldashi, tha se qeverisë nuk i intereson se me kë futet në bashkëpunim Posta e Kosovës.

“Ka një vendim të qeverisë së Kosovës për të autorizuar Postën e Kosovës të marrë pjesë në procedurat për GSM e katërt në Shqipëri. Nëse Posta e Kosovës apo cilido investitor tjetër futet në një procedurë i vetëm, me aksionerë apo me “joint venture”, kjo nuk është përgjegjësi e jona, por është përgjegjësi e investitorit. Ju (opozita) dhe as unë nuk kemi të drejtë të kërkojmë që Posta e Kosovës të seleksionojë aksionerët e vet. Ky nuk është problemi i ynë dhe as i juaji”, - tha Olldashi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›