E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagon PS: Meta flet me gjuhën e Gerti Bogdanit

Nga L.Progni

Edlira Haxhiymeri, Sekretare në PS për Shanset e Barabarta, i është përgjigjur akuzave që kryetari i LSI, Ilir Meta, hodhi dje ndaj kryetarit të PS, Edi Rama. Në këtë mënyrë kreu socialist ka shpërfillur akuzat e Metës duke udhëzuar Sekretaren Socialiste për Shanset e Barabarta të reagojë ndaj atyre akuzave të forta të Ilir Metës. Haxhiymeri tha dje se Meta po i shërben plotësisht Sali Berishës, pasi, sipas saj Meta akuzon Ramën njësoj si zëdhënësi i PD, Gerti Bogdani. Ajo u shpreh dje se vota për Metën është votë për Berishën.

“Që Ilir Meta të flasë si Berisha, kjo s’është as e para, as e fundit, por që Iliri të rithotë ato që thotë Gerti i Berishës, kjo vërtet flet më shumë se çdo gjë tjetër; që ai, jo vetëm po i shërben Berishës, por edhe që po katandiset njësoj si ata që i shërbejnë Berishës, pa dashur t’ia dinë për nivelin shumë të ulët moral e kulturor që shfaqin. Meta dhe Berisha janë e shkuara. Vota për Metën është votë për Berishën!”, - tha dje Haxhiymeri.

Dy ditë më parë kryetari i LSI, Ilir Meta, hodhi akuza të rënda nga Shkodra për kryetarin e PS, Edi Rama.

“Sa turp për Edi Ramën, të cilin, ne, socialistët, e morëm nga Franca, e bëmë ministër, e bëmë kryetar bashkie, e mbrojtëm, edhe kur Esmeralda Uruçi, si ministre e Kulturës, e çoi në prokurori për vjedhje dhe e dini mirë të gjithë ju dhe e dinë mirë të gjithë atje! Sa turp për Edi Ramën që e mbrojtëm në 2007, kur Sali Berisha e nxori lakuriq përpara gjithë shqiptarëve, jo se mbrojtëm perversitetin e tij, po se nuk donim që Sali Berisha të fitonte Bashkinë e Tiranës, Bashkinë e Durrësit, Bashkinë e Elbasanit dhe kështu me radhë! Me lejet e ndërtimit dhe me ato 15 milionë eurot që nuk do t’i deklarojë, kujton se do blejë LSI. Ky mjeran që nuk ka kuptuar asgjë nga politika, që nuk ka kuptuar asgjë nga shpirti dhe nga dinjiteti i popullit të Shkodrës dhe i popullit të Shqipërisë! Është ky hipokrit i pashembullt që, në vend të kërkojë falje për firmat që ka hedhur daja e tij, anëtar i Byrosë Politike dhe babai i tij, anëtar i Komitetit Qendror dhe Presidiumit të Kuvendit Popullor, për ekzekutimin e shumë artistëve e shumë shqiptarëve, bën si i persekutuar nga regjimi komunist. Është po ky hipokrit i pashembullt, i cili bën sikur i qan zemra për të majtën, por që e ka përçarë të majtën për ambiciet e tij për pará, dhe për pushtet”, - tha Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›