Pack: Aplikimin për BE bëjeni në fund të vitit
Një zë tjetër nga Brukseli, kësaj here tepër i qartë, i këshillon qeverisë shqiptare që të mos nxitohet me aplikimin për statusin kandidat. Doris Pack, kryetare e delegacionit për Evropën Juglindore në Parlamentin Evropian, deklaron për Alsat se një aplikim, të cilit do t’i mungonte përgjigjja e shpejtë e BE, është më i dëmshëm për vendin sesa pritja për ta bërë këtë gjë në një moment më të përshtatshëm.
“Mendoj se fillimisht duhet të them se Shqipëria ka bërë hapa të mëdha përpara dhe për këtë duhet ta vlerësoj. Por nuk është momenti për të kërkuar statusin kandidat. Sepse, nëse e shihni çfarë ndodh në BE në këtë moment që po flasim,do të kemi dhe zgjedhjet e Parlamentit Evropian, do të kemi një Komision të ri. Ata nuk do të marrin asnjë përgjigje. Kjo do të thotë se, ta bësh kërkesën në muajin prill, për shembull, atëherë nuk do të ketë asnjë përgjigje gjatë këtij viti dhe do të duhet të presin. Pra, është më shumë frustruese që të kërkosh diçka dhe të mos marrësh përgjigje në kohë se sa të presësh dhe të vazhdosh të punosh drejt Bashkimit Evropian. Dhe unë mendoj se nuk ju bën asnjë dëm, nëse ata presin. Si një mike e Shqipërisë unë mund t’ju them, ju lutem prisni. Dhe mos e përdorni këtë për ndonjë manovër politike, pasi kjo gjë nuk ju ndihmon”, - tha Doris Pack, Kryetare e Delegacionit për Evropën Juglindore në PE.
Vlen të theksohet se në këtë çështje Doris Pack nuk përfaqëson vetëm opinionin e kryetares së delegacionit europarlamentar me rajonin e Ballkanit, por edhe vendin e saj, Gjermaninë, e cila, përveç recesionit ekonomik dhe problemeve brenda BE, përballet këtë vit me zgjedhje të shumta në vend, të cilave iu shtohen edhe ato të Parlamentit Evropian.
Jeni të sigurt se nuk do të merret drita e gjelbër gjatë kësaj presidence dhe ata thonë që është një presidencë e artë?
Jo, jo, jo, unë po ju them që ata nuk mund të marrin asnjë drite jeshile gjatë këtij viti. Ju flas nga eksperienca ime. Tani kemi presidencën çeke, por presidenca çeke nuk mund ta bëjë e vetme, pasi duhet të jenë dakord të 27 vendet dhe pikërisht në këtë moment ne kemi probleme të tjera se sa t’i përgjigjemi kësaj kërkese. Kemi një situatë, ku kemi edhe zgjedhjet, siç ju thashë, dhe konstituimin e Komisionit të ri. Unë jam e sigurt, të paktën kështu mendoj ndoshta dhe gabohem, por eksperienca ime që është e gjatë në këtë çështje, pra që nuk do të ketë asnjë përgjigje këtë vit. Pra, ju lutem prisni. Prisni dhe nëse e bëjnë në fund të vitit aplikimin, atëherë mund të marrin përgjigjen vitin tjetër. Kjo do të ishte rruga korrekte. Më besoni.